“Fluturuan” dhe 3 milion euro nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit

47

Skandali/ Qeveria drejt boshatisjes së Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit për të ekzekutuar vendimet e Strasburgut

 Qeveria Rama ia mori dorën tashmë Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit. Efektet financiare të vendimeve të djeshme të qeverisë, për ekzekutimin e vendimeve të Strasburgut për pronarët, do të përballohen nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit. Përpos kësaj, në këto vendime bëhet e qartë se: “Në rast mospagimi brenda afatit, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind”. Pra, për çdo ditë vonesë të ekzekutimit të vendimeve të Strasburgut, taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë shumëfish shumën që qeveria i detyrohet pronarëve shqiptarë. Ajo çka përbën një skandal, e denoncuar dhe një javë më parë nga gazeta “Telegraf” (në vendimet e radhës), është se me këto vendime, Qeveria “Rama” do ta çojë në zero Fondin Rezervë të Buxhetit të Shtetit, pa dalë vera akoma. Efekti financiar vetëm i vendimit “Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013 për çështjen nr. 49 109/06, ‘Delvina kundër Shqipërisë’” është rreth 2 025 900 euro, pa llogaritur interesat dhe 3 % për çdo ditë vonesë. Ndërsa nuk bëhet e ditur fatura e vendimit “Për pagesën e vlerës së mbetur për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane prë të Drejtat e Njeriut, datë 31.7.2012, për ankimet nr. 604/07, 43628/07 dhe 46684/07, ‘Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë’”.

Qeveria Rama bën të paditurën për çështjet e Strasburgut

Fondi rezervë i buxhetit të shtetit 2014 është 1 500 milionë lekë dhe përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Kështu thuhet në Ligjin për Buxhetin 2014, e miratuar nga Qeveria në fillim-dhjetorin e vitit 2013. Edhe pse ligji e parashikon se kur përdoret fondi rezervë, Qeveria “Rama” vazhdon të vejë dorë mbi të, duke e pakësuar me, të paktën, 3 milion euro, pa llogaritur interesat dhe përqindjet si dhe vendimin tjetër për të cilën nuk bëhet e ditur fatura financiare. Qeveria “Rama” vazhdon të bëjë ende të paditurin edhe në ekzekutimin e vendimeve të Strasburgut, duke i trajtuar ato si raste të paparashikuara. Ndërsa pronarët shqiptarë kanë kohë që duan të sensibilizojnë politikën shqiptare duke i bërë publike çështjet e tyre në Strasburg si dhe efektet që do të kenë ato në buxhetin e shtetit, duke kërkuar vazhdimisht seriozitet nga ana e politikës shqiptare për të zgjidhur një herë e mirë çështjen e pronës.

Vendimet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimeve të Strasburgut:

Vendim

“Për disa ndryshime në vendimin nr.172, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave “Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013 për çështjen nr. 49 109/06, ‘Delvina kundër Shqipërisë’”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi:

Në vendimin nr.172, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

 1. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit, numri i aplikimit të çështjes nga “nr.49109/06”, bëhet “nr.49106/06”.

 2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 “1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr.49106/06, “Delvina kundër Shqipёrisё”, në shumën 2 025 900 (dy milionë e njëzet e pesë mijë e nëntëqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin”.

 3. Në fund të pikës 4 shtohet fjalia, si më poshtë vijon:

 “Në rast mospagimi brenda këtij afati, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.”.

 4. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Efekti financiar për zbatimin e këtij vendimi të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.”.

 Vendim

 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 180, datë 26.3.2014, të këshillit të Ministrave, “Për pagesën e vlerës së mbetur pëer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 31.7.2012, për ankimet nr. 604/07, 43628/07 dhe 46684/07, ‘Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë’”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

Në vendimin nr.180, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit fjalët “… ankimet nr.604/07, 43628/07 dhe 46684/07 …”, zëvendësohen me “… ankimet nr.604/07, 43628/07, 46684/07 dhe 34770/09 …”.

 2. Në fund të pikës 4 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

 “Në rast mospagimi brenda këtij afati, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Europiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.”.

3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Efekti financiar për zbatimin e këtij vendimi të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.”.