Territori, bregdeti dhe ekonomia, brenda 2016 tre plane kombëtare

589
Për herë të parë, Shqipëria do të ketë brenda vitit 2016, 3 Plane Kombëtare: Plani i Përgjithëm Kombëtar i Territorit, Planit i Integruar ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani i Integruar ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë–Durrës.
Por, nga ana tjetër 31 njësi vendore fillimisht do të mund të kenë planet e tyre të përgjithshme vendore.
Dhe këto plane, do të orientohen në bazë të një dokumenti kombëtar, Manuali Teknik për Planifikimin Territorial, hartuar nga MZHU, AKPT me asistencën e USAID.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni gjatë prezantimit të manualit, në prani të kryetarëve të 61 bashkive si dhe Drejtorit ekzekutiv të USAID, Marcus Johnson lajmëroi fillimin e dëgjesave publike në Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë për hartimin e 3 planeve kombëtare, të cilat japin vizionin e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë, zhvillimit ekonomik, social apo urban për 10 – 25 vitet e ardhshme
“Veç 3 planeve kombëtare, që janë vizioni dhe paraqesin se, si do të jetë Shqipëria në vitin 2030, ne po punojmë bashkarisht për të gjitha njësite vendore, në mënyrë të vecantë për 26 prej tyre për të realizuar planet e tyre të përgjithshme vendore. Siç jeni në dijeni, 26 bashki do të kenë planet e tyre vendore duke u ndihmuar me asistencë dhe ekspertizë nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe nga AKPT. Them se është proçes historic, sepse nuk ka ndodhur ndonjëherë që njësitë vendore të marrin fonde, apo ekspertizë në mënyrë të tillë intensive që të hartojnë planet e tyre të përgjithshme vendore”, tha ministrja Gjermeni.
Përveç 26 bashkive, që do ndihmohen në mënyrë direkte me një fond prej 560 mln lekësh për hartimin e planeve vendore, 5 njësi të tjera vendore do të ndihmohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga programi i USAID për të hartuar planet e përgjithshme vendore.
“Gjej rastin për të nënvizuar sërish angazhimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Zhvillimit Urban, për sa iI përket 30 njësive të tjera vendore (nga 61 që janë në total), të cilat nuk kemi mundur t’i ndihmojmë me këtë buxhet që kemi miratuar. Jemi tërësisht të gatshëm të gjejmë mundësi financimi, si Brenda buxhetit të shtetit, por edhe përmes donatorëve ndërkombëtare. Proçes, i cili kërkon vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me të gjithë kryetarët e bashkive”, deklaroi ministrja në fjalën e saj.
Në fjalën e tij, drejtori i USAID, Petter Johnson theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në proçesin e realizimit të Planeve Kombëtare, por në veçanti për planet e përgjithshme vendore.
“Ju jeni të vetëdijshëm që Planifikimi i Territorit nuk mund të realizohet të vetëm, as nga njësitë e qeverisjes vendore dhe as vetëm nga Qeveria. Është një proçes që kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve”, tha z. Johnson.
Manuali për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit bëhet një udhërrëfyes i përditësuar në funksion të nevojave të bashkive dhe autoriteteve të tjera publike; ofron një gamë të gjerë metodologjish mbi mënyrën e realizimit të analizave hapësinore/territoriale në planifikimin vendor dhe sjell një buqetë instrumentesh për zhvillimin e tokës dhe sidomos instrumente financiare të zhvillimit të saj.
Sigal