Qeveria mbështet financiarisht studentët e shkëlqyer dhe nëpunësit civil. Ja cilët përfitojnë

569
Sigal

Këshilli i Ministrave vendosi dje për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe të nëpunësve civilë të administratës shtetërore (Fondi i Ekselencës).

Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

Me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Financimin nga buxheti i shtetit në masën jo më pak se 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë lekë) në vit të Fondit të Ekselencës, si dhe financimin nga donacione apo të ardhura të tjera nga burime të ligjshme për mbështetjen financiare të studentëve shqiptarë të shkëlqyer, i cili përdoret nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për bursa për studentët që ndjekin studimet e ciklit të parë, të dytë apo studime të doktoratës jashtë vendit në universitetet më të mira të botës si dhe për nëpunësit civilë të administratës shtetërore apo në varësi të saj, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi.

 2. Nga fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përfitojnë mbështetje financiare kandidatët që plotësojnë kriteret e parashikuara më poshtë:

a) Studentët, që ndjekin jashtë vendit ciklin e parë dhe/ose ciklin e dytë të studimeve universitare, kur:

I. janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës sipas renditjes së fundit të përgjithshme dhe/ose asaj specifike sipas fushave, nga “Times Higher Education”- Renditja botërore e universiteteve, për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit, ose kanë përfituar financim/bursë në masën 75 për qind të shpenzimeve totale të parashikuara nga universiteti pritës (për tarifën e shkollimit dhe kosto të tjera të jetesës), në rastet kur universiteti është i akredituar dhe i mirënjohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Në rastin e dytë, mbështetja financiare nga Fondi i Ekselencës nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 euro në vit;

II. pranojnë të punojnë, së paku, 3 (tre) vjet në Shqipëri, pas diplomimit në ciklin përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën ose pas përfundimit të të gjitha cikleve të studimit, nëse kandidati fitues vijon studimet në ciklet më të larta universitare;

III. janë shtetas shqiptarë;

IV. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar;

V. nuk përfitojnë bursë/financim të plotë në universitetin pritës apo nga donatorë të tjerë. Në rastet kur studenti përfiton një financim të pjesshëm nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës deri në vlerën maksimale të parashikuar nga universiteti pritës për vitin akademik (tarifa e regjistrimit dhe/ose shpenzime të tjera të jetesës dhe udhëtimit), në varësi të masës së fondit në dispozicion;

VI. kanë përfunduar studimet parauniversitare me mesatare mbi 9 të të gjitha viteve të shkollës së mesme ose ekuivalente për ata që kanë përfunduar këto studime jashtë vendit, për studentët që aplikojnë për ciklin e parë të studimeve universitare;

VII. kanë përfunduar studimet e ciklit të parë me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore dhe teknike, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore, për studentët që aplikojnë për ciklin e dytë të studimeve universitare.

 b) Të drejtën për t’u mbështetur financiarisht e kanë studentët, që ndjekin studimet e plota të doktoratës, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare, kur:

I. janë pranuar në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës në shkencat shoqërore dhe ekonomike apo në njërin prej 50 universiteteve më të mira të botës në shkenca natyrore dhe teknike, sipas renditjes së fundit, të përgjithshme dhe/ose asaj specifike sipas fushave, të “Times Higher Education”- Renditja botërore e universiteteve, ose janë pranuar në njërin prej universiteteve të mirënjohura ndërkombëtare për studime në albanologji;

II. nuk marrin shpërblime si financim i plotë apo bursë e plotë për punën kërkimore apo mësimore, që bëjnë gjatë këtyre studimeve në universitetin pritës në vlerë më të madhe se ajo e parashikuar për financim nga Fondi i Ekselencës. Studentët doktorantë nuk mbështeten financiarisht nga ky fond për tarifën e studimeve (tuiton fee), por vetëm për shpenzimet e jetesës. Në rastet kur studenti përfiton një financim tjetër nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës deri në vlerën maksimale të parashikuar nga ky fond;

III. pranojnë të punojnë, së paku, 3 (tre) vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve të doktoratës, në fushën e studimeve të kryera;

IV. janë shtetas shqiptarë;

V. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.

c) Nëpunësit civilë të administratës shtetërore, që ndjekin jashtë vendit një program 1-vjeçar, master të ciklit të dytë apo të tretë, kur:

 I. janë pranuar në njërin nga 300 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së fundit të përgjithshme ose në njërin nga 100 universitetet më të mira të botës, sipas fushave, nga “Times Higher Education”- Renditja botërore e universiteteve, në vitin më të fundit, për të ndjekur në ciklin e dytë apo të tretë të studimit një program master me kohëzgjatje 1-vjeçare në fushat e mëposhtme: Politika publike; Administrim publik; Politika ekonomike; Politika arsimore; Politika shëndetësore; Urbanistikë dhe zhvillim urban; Menaxhim i financave publike; E drejtë administrative/publike; Studime europiane.

II. pranojnë që pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe të punojnë për jo më pak se 4 (katër) vjet në Shqipëri, në institucione të administratës shtetërore, institucione të pavarura apo njësi të qeverisjes vendore, në përputhje me profilin e studimeve të kryera të mbështetura financiarisht nga Fondi i Ekselencës;

III. kanë marrë aprovimin e titullarit të institucionit ku punojnë për kryerjen e studimeve jashtë vendit dhe aplikimin për përfitimin financiar nga Fondi i Ekselencës;

IV. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar;

V. nuk përfitojnë bursë/financim të plotë në universitetin pritës apo nga donatorë të tjerë. Në rastet kur studenti përfiton një financim të pjesshëm nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës deri në vlerën maksimale të parashikuar nga ky fond.