FITUESIT E LOTARISË AMERIKANE

1234
Sigal

Lotaria amerikane – Lista me dokumentet që duhen përgatitur për vajtjen në Sh.B.A

Fituesit do të njoftohen me e-mail se ku duhen dërguar dokumentet përkatëse. Ja rastet kur humbet e drejta e intervistës

Në kuadër të procesit të përgatitjes së dokumenteve dhe intervistave për fituesit e Lotarisë Amerikane, ambasada e Sh.B.A-ve në Tiranë ka bërë një njoftim të rëndësishëm për sa i përket dërgimit të dokumenteve për intervistë në konsullatë. Sipas ambasadës,të përzgjedhurit e Lotarisë DV2019 duhet të kenë qasje në emailin personal, pasi KCC (Kentucky Consular Center) do t’i dërgojë informacion të rëndësishëm, sapo çështja e secilit të jetë gati për shqyrtim. Pasi Kentucky Consular Centertë marrë dhe procesojë aplikimin DS-260 për ju dhe familjarët shoqërues, do të merrni udhëzime se si të skanoni dhe ngarkoni dokumentet e nevojshme. Data e intervistës suaj nuk do të caktohet pa dërguar kopje të të gjitha dokumenteve të kërkuara. Ndërsa kopjet origjinale do ti sillni me vete në zyrë e konsullit, ditën e intervistës. Është e rekomandueshme që t’i përgatisni dokumentet herët. Gjithashtu çdo pjestar i familjes që do të shoqërojë aplikuesin në SH.B.A duhet të dërgojë online dokumentet e kërkuara. KCC do ju dërgojë në e-mail udhëzimet përkatëse se ku duhet dërguar dokumentacioni.

Dokumentet që duhen përgatitur për Intervistën

Në listën e mëposhtme paraqiten dokumentet e nevojshme që secili aplikant, pavarësisht moshës, duhet të dorëzojë në Seksionin Konsullor përpara datës së intervistës. Dokumentet që nuk janë në Shqip apo në Anglisht duhet të jenë të përkthyera në Anglisht dhe të noterizuara. Gjithashtu, vendimet e gjykatave mbi divorcin, apo mbi një krim duhet të jenë të përkthyera nga një përkthyes kompetent dhe të noterizuara:

  • Një kopje e datës tuaj të intervistës që keni marrë nga NVC-ja (nuk aplikohet për aplikantët e vizave të: lotarisë, të fejesës, birësimeve dhe të azilit).
  • Një fotokopje e faqes biometrike të pasaportës (ku ndodhet emri juaj dhe fotografia) të vlefshme mbi 6 muaj nga data juaj e hyrjes në Shtetet e Bashkuara. Mos e dërgoni pasaportën tuaj me postë, pasi do t’ju duhet gjatë vizitës mjekësore.
  • 2 fotografi me ngjyra me sfond të bardhë për çdo person që aplikon për vizë (5 cm x 5 cm, ose 2 inch x 2 inch).
  • Fletën e konfirmimit të formularit DS-260, Aplikimi për Vizë Imigruese që ju keni plotësuar online tek ceac.state.gov/iv.
  • 1 certifikatë lindjeje në 6 gjuhë për përdorim jashtë shtetit për secilin aplikant që ka lindur në Shqipëri. Ju duhet të paraqiteni tek Zyra e Gjendjes Civile (e bashkisë, njësisë bashkiake, apo komunës) ku jeni të regjistruar dhe t’i kërkoni Certifikatё Lindjeje për përdorim jashtë shtetit, e cila kushton 200 lekë. Certifikata duhet tё ketë statusin tuaj civil të tanishëm. Certifikata nuk duhet të lexojë Certifikatё Personale. Nëse keni lindur jashtë Shqipërisë dhe keni shtetësi shqiptare, përveç certifikatës tuaj shqiptare të lindjes, ju duhet të sillni certifikatë lindjeje nga shteti ku ka lindur aplikanti, e përkthyer në Anglisht dhe e noterizuar.
  • Zarfin e pahapur të vizitës mjekësore. Nëse mjeku jua ka dhënë juve zarfin, ju duhet ta sillni në ditën e intervistës në Seksionin Konsullor. Në rast ripërsëritje të intervistës, apo për shkak mosparaqitje, Seksioni Konsullor mund t’ju kërkojë ta dërgoni vizitën mjekësore me postë.
  • Kopje origjinale ose të certifikuara të certifikatave të lindjes për të gjithë fëmijët e kërkuesit kryesor (edhe nëse nuk shoqërohet).

Aplikantët që duhet të sjellin këto dokumente shtesë:

Aplikantët me bazë familjare:

  • Formularin I-864 Garancia e Mbështetjes nga sponsori për secilin peticion, së bashku me kopje të transkriptit të IRS-së të sponsorit, ose taksat federale të vitit më të fundit, formulari 1040, dhe formularin W-2.
  • Dëshmi të lidhjes ndërmjet peticionerit dhe aplikantit të vizës (si p.sh.: fotografi, letra, apo emaile).
  • Dëshmi e statusit të peticionerit dhe të rezidencës (domicile) në Shtetet e Bashkuara (fotokopje e pasaportës amerikane, e certifikatës së naturalizimit, ose e kartës së banorit të përhershëm të ligjshëm)
  • Certifikatё lindjeje e peticionerit (e qytetarit amerikan, apo me green card) dhe certifikatё martese (nëse aplikohet), e cila tё jetё lёshuar mё pak se njё vit nga data e intervistёs.

Nëse jeni të martuar:

  • certifikatë origjinale martese. Pranohen si certifikatat e martesës që janë vetëm në gjuhën shqipe, ashtu edhe ato për përdorim jashtë shtetit që janë në formatin e përkthyer në gjashtë gjuhë.

Nëse keni qenë të martuar më parë:

  • Vendimin e gjyqit mbi divorcin të përkthyer në Anglisht dhe të noterizuar, ose certifikatë vdekjeje të bashkëshortit/es tuaj.

Nëse jeni mbi 16 vjeç:

  • Vërtetim të gjendjes gjyqësore nga shteti ku jetoni aktualisht; si dhe vërtetim policie nga shtete të tjera ku keni jetuar më parë: në rast se jetoni aktualisht në atë shtet dhe keni më shumë se 6 muaj që po banoni atje, ose në rast se keni jetuar më shumë se një vit në të kaluarën në atë shtet.