Durrës/ U vra nga fqinji, flet i vëllai: Nuk ishte për çështje nderi, në makinë ishte edhe djali 10 vjeç

165

Vrasja e 45-vjeçarit Martin Ndreca mbrëmjen e së dielës në Durrës, nuk ka ndodhur për çështje nderi siç ka pretenduar fillimisht autori i krimit, por për motive krejtësisht banale.

Kështu shprehen familjarët e viktimës, të cilët thonë se në momentin e ngjarjes në makinë ka qenë dhe djali 10- vjeçar i Martin Ndreces, që u ka shpëtuar për mrekulli plumbave të kallashnikovit të shkrehur nga Ndue Zefi.

A njihej vëllai juaj me autorin?

Ne e kemi pasur të njohur Ndue Zefin, por nuk është se kemi pasur ndonjë afrimitet me të. Kemi qenë afër me shtëpi në Adriatik të Kurbinit. Banesat kishin një distancë prej 200 metrash me njëra-tjetrën.

A mund të na tregoni si ka ndodhur ngjarja?

Vëllai im atë natë ka qenë në të njëjtin lokal me autorin në Durrës, por jo në të njëjtën tavolinë siç është thënë në media. Martini ka qenë bashkë me djalin e tij 10 vjeç dhe me disa persona të tjerë. Në një moment, autori i ka thënë Martinit pse e shikonte dhe e ka ofenduar, shkruan Panorama. Sipas dëshmitarëve, aty kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe më pas autori është larguar.

Po më pas, çfarë ka ndodhur?

Martini ka qëndruar dhe 20 minuta në lokal dhe më pas ka marrë makinën dhe është larguar bashkë me djalin për të shkuar në shtëpi. Pak metra pa arritur te banesa, autori i ka dalë para dhe i ka bllokuar rrugën me automjetin e tij. Martini ka zbritur dhe sipas djalit që ka qenë me të, janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Pas konfliktit vëllai është nisur për të ikur, ndërsa autori ka shkuar te makina dhe ka marrë armën. Ka qëlluar me 5 plumba në drejtim të makinës dhe dy prej tyre i kanë prekur organet jetësore, duke i shkaktuar vdekjen.

Po djali që ishte në makinë, si ka vepruar?

Djali ka qenë në ulësen e përparme të makinës së bashku me të atin. Kur është qëlluar Martini, djali ka ulur kokën dhe fatmirësisht ka shpëtuar për mrekulli. Makina më pas ka humbur kontrollin dhe ka ecur 200 metra në gjendje të lirë, duke u përplasur me një mjet tjetër.

Djali më pas, i traumatizuar ka kërkuar ndihmë dhe është larguar me vrap në këmbë. Pasi ka qëlluar, autori është afruar te makina pasi e ka parë që Martini kishte vdekur, është larguar me shpejtësi. Djali ka shkuar në shtëpi dhe i ka thënë nënës së tij për atë çfarë kishte ndodhur.

Mendoni se ka pasur diçka tjetër përtej sherrit, çështje nderi siç ka pretenduar autori?
Nuk është aspak e vërtetë që krimi të ketë ndodhur për çështje nderi. Vëllai ka jetuar jashtë shtetit prej shumë vitesh dhe në Shqipëri vinte vetëm për pushime. Ai nuk ka pasur fare afrimitet me Ndue Zefin dhe pretendimet e atij se e ka kryer krimin për çështje nderi, nuk ekzistojnë.

Atë e ka thënë vetëm për të mbrojtur veten dhe për të pasur lehtësira. Ngjarja na ka tronditur shumë si familje dhe kërkoj që ai të marrë dënimin që i takon.