Durrës, banorët që përmbyten çdo vit kërkojnë dëmshpërblim

500
Sigal

Të prekurit shkuan para Prefekturës, e cila për t’u zgjidhur hallin ka shpenzuar vetëm letër e bojë printeri

Për dimrin duhet të mendohet që në verë. Po nuk ndodh kjo gjë në Durrës kur problematikat janë të përditshme sa herë që bie shi. Shumë nga kolektorët kryesore janë bllokuar nga ndërtimet mbi to, por nuk ka pasur asnjë shembje, thonë banorët dhe kjo, sepse këto ndërtime janë bërë nga “Të fortët e Partive”. Dhe se paguhet nga disa të tjerë. Dhe mbi të gjitha kanalizimet janë mbushur me hedhje inertesh dhe dherash. Pas çdo situate të tillë politikanë zyrtarë vetëm se japin shfaqje duke u shkuar pranë të përmbyturve, pa qenë nevoja, pasi kanalet mund të pastroheshin që në verë dhe kjo do të bënte që të mos kishte probleme të tilla. Shiu po përdoret politikisht për të bërë presion nesër tek votat tona është shprehur për “Telegraf” -in Nikollë Prenga. Kreu i Shoqatës “Jeta e Re” që operon në rajonin e ish-Kënetës së Durrësit. Këtë tashmë mund ta marrësh me mend vetë, thekson ai, pasi çdo herë në zgjedhje premtohet dhe më pas nisen disa punime, por rreth 60 % e zonës sot është me ujëra në banesa madje të përziera edhe me ujërat e zeza. “Nuk mund të justifikohet kush se nuk ka fonde, pasi vetëm fondet për fishekzjarrët festive partiake sikur të ishin përdorur do t’i kishin pastruar të gjitha kanalet. Këto fonde do të kishin mjaftuar për të mos fjetur në ujë këto ditë me qindra banorë të ish-Kënetës dhe të plazhit. Çdo zgjidhje që është bërë ka qenë afatshkurtër, kurse problemet e ujërave në zonat periferike të Durrësit duhet të zgjidhen projekte të plota teknike dhe jo zgjidhje e çasti me synime politike”, përfundon Nikolla fjalën, i shqetësuar për fatin e banorëve të kësaj zone, mes të cilëve banon edhe vetë.

ANKESAT E SHUMTA TË BANORËVE TË LAGJES NR. 14

Një grup prej 20 personash nga lagja Nr.14, zona e Shkozetit, i është drejtuar Prefekturës për një shqetësim të vjetër. Shtëpitë u ishin mbushur me ujë. Ata këtë vit, thotë Kujtim Alibashi, kur kanë menduar se do të shpëtonin nga ujërat pasi kanalet e rrugës së re do të ndikonin në kullimin e shpejtë, janë zhgënjyer pasi kanalet anësore janë projektuar që të derdhen në një kanal të bllokuar. Ismail Kërtalli, thotë se, ujërat kanë përmbytur të gjithë zonën në të dyja anët e rrugës. Banesat janë të shumta që tashmë kanë ujë deri në 40 cm nëpër dhoma. Dhe me shumë pasoja shëndetësore dhe ekonomike, pasi megjithëse përmbytjet kanë qenë të shumta dhe vlerësime dëmesh janë bërë shpesh, por dëmshpërblime nuk ka pasur. Shifrat paraprake të banorëve të zonës, sipas një prej të përmbyturve Ilir Bleta, flasin për afërsisht 100 banesa në këtë gjendje. Ata kanë folur mbi shqetësimet, të cilat realisht i kanë ngritur disa herë.

Peticioni dhe konstatimi burokratik

Një nga këto është edhe peticioni drejtuar Prefekturës dhe që mban 33 nënshkrime kryefamiljarësh. Ajo i përket muajit prill të vitit 2006. Në të bëhet me dije se 100 familje janë në gjendje të keqe pasi kanali kryesor është i bllokuar dhe përmbyten rregullisht. Sipas letrës, këto kanale ujërash të bardha janë të bllokuara nga 3 biznese konkrete. Në këtë letër ka bërë shënim edhe vetë prefekti Genc Alizoti për ndjekje. Po me sa duket kjo nuk është zgjidhur pasi shkresat kanë vijuar me shumë shifra. Alizoti i është drejtuar më pas Drejtorisë së Bordit të Kullimit me shkresën e datës 10 nëntor 2011, ku i porosit që të verifikohet ankesa, pasi kanali është bllokuar me tuba betoni, jo sipas rregullave dhe jo sipas kushteve teknike dhe pa lejet përkatëse. Bordi i Kullimit ka kthyer një përgjigje të firmosur nga drejtori, Shyqyri Ballgjini, ku theksohet, mes të tjerave se banorët kanë të drejtë për prezencën e ujit në oborret, ku banojnë, por nuk kanë të drejtë kur thonë se ata përmbyten nga bllokimi i kanaleve apo sistemi i kullimit, mbasi në zonën, ku banojnë nuk ka sistem rrjeti inxhinierik të largimit të ujërave. Shkresa nga sa shihet është një pasqyrim i një konstatimi burokratik ose në këtë rast një larje duarsh para shqetësimit qytetar që nuk u zgjidh atyre asnjë problem. Banorët, të enjten shkuan para prefekturës, e cila për tu zgjidhur hallin ka shpenzuar vetëm letër e bojë printeri.