Keqadministrimi i Shtëpisë së Jetimëve rrezikon strehën në Sarandë

641
Sigal

Qendra është kthyer një “mjedis plotësues” për punët e bashkisë apo për ndonjë projekt pa supervizor

Qeverisja lokale e PS-së në Sarandë po tregon dështimin e mirë administrimit të strukturave sociale, ku streha e fëmijëve tashmë me një numër të reduktuar vogëlushësh është shndërruar në një rezervat zënkash dhe konfliktesh dhe sipërfaqja e saj prej 4.500 metër katror po humbet funksionin duke u kthyer një mjedis plotësues për punët e bashkisë apo për ndonjë projekt pa supervizor. Fillimviti i ka gjetur banorët e strehëzës së jetimëve në Sarandë nën presionin e pasigurisë. Mungesa e prezencës së drejtores në mjediset e strehëzës, ka shënuar një qetësi të rreme, pasi ajo shfaqet befas për disa orë dhe largohet pa komunikuar me edukatoret, aq më shumë me fëmijët.

Situata

Dhunë e tejskajshme psikologjike dhe nganjëherë fizike, mbi fëmijët dhe jo më pak mbi kujdestaret e fëmijëve ndërsa heshtet për të mos humbur vendin e  punës. Fëmijët e kanë humbur qetësinë në strehën e tyre. Për shkak të situatave të krijuara sërish Drejtorja e Burimeve Njerëzore, Dafina Allkushi dhe shefi i kabinetit Mariel Murati u përballën mesditën e së martës me kolektivin e strehëzës, ku mbajtën shënime mbi rrethanat e poteres më të fundit, ku drejtoresha ishte kujtuar të shkonte një mëngjes në punë dhe të telefononte ato edukatore që sipas saj mungonin, ndërsa edukatoret kanë pohuar se kanë qenë në shkollën e fëmijëve përballë strehëzës në anën tjetër të trotuarit. “Pse më gënjen, je e pushuar nga puna, me dy zarfe ju çoi në bashki”, ka replikuar drejtorja Adriana Kushta ndaj psikologes Irena Vjeri dhe kujdestares punonjëse sociale Anila Cipa. Pas festave për të ardhur keq në fund viti ku keqardhja ndaj jetimëve arriti në sarkazëm, ku jetimët dhanë koncert me çorape në skenën e ftohtë të bashkisë dhe disa kutia të zymta u paraqitën si dhuratat e fundvitit për ta, për t’i shpëtuar drejtoresha skandalit me hapjen e pakove në adresë në zyrën e saj.

Skandali

Përfaqësuesit e shoqatës “Labëria” në Sarandë mblodhën nga të ardhurat familjare një fond dhuratë dhe e pyetën drejtoreshën për nevojat e fëmijëve: Ajo u dorëzoi një listë, ku në fillim shkruheshin 60 litra vaj ulliri e ushqime të tjera… Në fakt vogëlushët kuotën ushqimore e kanë të tyren nga të ardhurat e  bashkisë dhe qeveria kontrollon shërbimin ndaj tyre. Por për drejtoren Kushta edhe 1000 lekëshi për nevojat lekë xhepi, që u jepet fëmijëve është i prekshëm: Ata që shkuan në Tiranë për festën e jetimëve morën vetëm 5.000. “Të tjerat i prishët rrugës për në Tiranë”, u deklaroi Kushta vogëlushëve. Psikologia asnjëherë nuk është sipas rregullores e pranishme në lëvizjet e fëmijëve apo përballjen me projektet e miqve të drejtoreshës.

Telashet

Telashet e fëmijëve nuk kanë të mbaruar, ata janë si në një shesh lufte, ku zënkat e të rriturve bëhen në sy të tyre. “Ta kam hequr nga duart fëmijën se po e mbysje!” I deklaron punonjësja sociale drejtoreshës në mbledhje. Po edhe këto mbledhje të shëmtuara në strehën e jetimëve nuk përmirësojnë asgjë. Pasi në mungesë të kryetarit të bashkisë në qytet ato janë situata që e bjerrin dinjitetin e vetë drejtores apo punonjëseve.

Mungesa e taktit

Ka një mungesë takti në strehën e jetimëve, pas një thyerje të disiplinës nga disa adoleshentë që kishin konsumuar alkool në dhomën e tyre, drejtorja i kërcënoi dhe i fyeu. Adoleshentja G.M u nis për në shkollë në mëngjes dhe nuk u kthye më. Ajo u pa në autobusin e natës drejt Tiranës nga një ish-edukatore e dalë në pension, e cila e zbriti në Qaf -Gjashtë dhe ua dorëzoi kujdestareve. Asnjë denoncim sipas rregullave për të parë, se cilët janë ata që ndikojnë mbi adoleshentët. Edhe pse ligji kërkon thirrjen e punonjësit të policisë dhe rehabilitim psikologjik, drejtorja u mjaftua me kërcënimin se do t’i përzërë nga shtëpia më të rriturat nëse nuk bëhen të mbara. Drejtorja kishte ditë që nuk shkonte më në punë. Herë në seminar herë me leje, ajo mungon apo kthehet kur të dojë pasi streha është vetëm 200 m larg banesës së saj.

S’ka siguri për të ardhmen  

Streha e jetimëve e mbajtur me një numër konstat 32 fëmijë po ju duket e madhe administratorëve, të bashkisë! Tani në anën tjetër të godinës mblidhen çdo ditë punonjësit e shërbimit, jetimet e rritura në moshë që jetonin në atë anë janë bashkuar me fëmijët, madje duhet të rrinë urtë pasi kërcënohen të dalin në rrugë. Numri i tyre mbahet i reduktuar, aq ka mbetur nga viti 2009. Nuk ka projekte afatgjata, ku vetë fëmijët të jenë protagonistë, ata ndihen të lodhur nga vizitorët ditorë kureshtarë dhe nga poteret në mjediset e tyre. As që bëhet fjalë për privatësi në dhomat e akullta, ku ndrin vetëm plazma e sjellë nga gazetarët e “Fiks Fare” ( edhe ata u thirrën nga drejtoresha për të treguar se, “qeveria i lë jetimët” po ja që bashkia thërret gazetarët kur i duhen dhe u dhuruan fëmijëve gotat e numëruara nga nënkryetarja e bashkisë). Fëmijët kanë llogari bankare, në të cilat asgjë e re nuk shtohet dhe asnjë projekt nuk u ngacmon atyre siguri për të nesërmen.