Dalin fotot e tre të rinjve që vranë administratorin e Kotës në Vlorë

603
Sigal

Policia e Vlorës ka arritur të zbardhë brenda disa orësh ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në fshatin Petë të Selenicës, ku u vra me armë administratori i njësisë Kotë Argjil Gjoka, duke arrestuar tre persona.

N.B., 30 vjeç; J.B., 22 vjeç; A.B., 19 vjeç. Të tre këta shtetas janë me banim në fshatin Mavrovë dhe janë të afërm me njëri-tjetrin.

Administratori Gjoka u vra pasditen e djeshme kur sapo kishte dalë nga shtëpia për të inspektuar rrugën ku po kryheshin dhe punimet.

Ai u qëllua me armë në gjoks dhe ndërroi jetë në spitalin e Vlorës. Po kështu në konfliktin me armë midis disa personave mbeti i plagosur dhe një 19-vjeçar.

Policia ka shpallur në kërkim edhe një 32-vjeçar.

“Më datë 11.06.2019, rreth orës 14:20, në fshatin Petë të Selenicës, pas një konflikti me armë zjarri midis disa personave, janë plagosur shtetasit A. B., 19 vjeç dhe A. Gj., 51 vjeç, ku si pasojë ky i fundit ka humbur jetën në Spitalin e Vlorës. Pas hetimeve të kryera, dëshmive dhe provave të administruara, Policia ka zbardhur ngjarjen, duke vënë arrestuar autorët e dyshuar: N.B., 30 vjeç; J.B., 22 vjeç; A.B., 19 vjeç. Të tre këta shtetas janë me banim në fshatin Mavrovë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi M .P. (B), 32 vjeç, banues në Vlorë dhe po punohet për kapjen e tij.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me armë zjarri tip pistoletë dy vëllezërit F. O. dhe A. O., (70 dhe 65 vjeç), por pas ndërhyrjes për të shuar konfliktin humbi jetën Kryetari i Njësisë Administrative Kotë, shtetasi A. Gj.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, njofton policia e Vlorës.