Prefekti Spirollari: Në shtator, shtëpitë të rindërtuara

670
Sigal

Shtëpitë e shembura nga tërmeti

 

Sfidë e prefektit të Korçës, Spirollari  dhe e kryebashkiakëve

Vepror Hasani

 

A do të rindërtohen në kohë shtëpitë e shembura nga tërmeti? Kjo tashmë është shndërruar në sfidë për prefektin e qarkut Korçë, Dhori Spirollari dhe kryebashkiakun e Korçës, Sotiraq Filo; gjithashtu edhe për kryebashkiakun e Devollit, Bledjon Nallbati dhe atë të  Kolonjës, Ilia Stefo. Aktualisht rezultojnë 121 shtëpi të dëmtuara plotësisht nga të cilat 65 në Floq, 34 në Qafëzez dhe 22 në fshatin Vidohovë. I madh është edhe numri i shtëpive me dëmtime të pjesshme: Mure të çara, çati të shembura, suva të rëna etj. Numri i shtëpive me dëmtime të lehta ose të pjesshme shkon në 212. Vetëm Floqi ka 100 të tilla. Në rrethin e Kolonjës të dëmtuara janë këto fshatra:  Qafëzezi me 32 shtëpi të dëmtuara pjesërisht, Selenica 30, Helmësi 4, Butka 5 dhe Rehova 15, kurse në rrethin e Devollit, Vidohova me 37 shtëpi të dëmtuara pjesërisht, Vërleni 2 shtëpi, Mirasi 1 shtëpi dhe Bilisht 1 shtëpi. Të dëmtuara rezultojnë edhe 5 shkolla, 8 kabina elektrike dhe ndërtesa të biznesit. Numri i banorëve të pastrehë shkon në 290. Mes tyre ka familje të mëdha deri në 12 persona, fëmijë, gra shtatzëna, pleq dhe plaka, të sëmurë, të paralizuar etj, të cilët flenë në çadra, në makinat e tyre, ose në ambiente të tjera të siguruara nga kryebashkiakët e bashkive përkatëse. Sipas kryebashkiakut të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, vlera e dëmit për shtëpitë e dëmtuara në këtë Bashki shkon deri në 250 milionë lekë të rinj. Në shkallë qarku, ku përfshihen edhe rrethet Kolonjë dhe Devoll, shuma në lekë për ndërtimin e banesave të dëmtuara  është shumë më e madhe se kaq. Pra, bëhet fjalë për dëmtime të shumta, të cilat kërkojnë fonde, fuqi punëtore të mjaftueshme, specialistë, teknikë ndërtimi, mjetë transporti dhe kohë në dispozicion, gjë që do të thotë se sfida është e madhe dhe jo e lehtë. Tërmeti u ndje edhe në Maliq dhe Pogradec, por fatmirësisht nuk pati dëme.

Fundi i shtatorit, shtëpitë të rindërtuara

Sfidat ende vijojnë. Pritet që rindërtimi i shtëpive të përfundojë në fund të muajit shtator ose në fillim të tetorit. Koha duket e pamjaftueshme, kjo i jep sfidës përgjegjësi edhe më të madhe. Madje kryebashkiaku i Devollit, Bledjon Nallbati është dyshues në arritjen e objektivit për rindërtimin e shtëpive Brenda afateve të përcaktuara. Sipas Nallbatit:  “Do të ishte më efektive  dhe  e shpejtë shpallja e Gjendjes së Emergjencës ose përdorimi i një fondi të caktuar me procedurë të përshpejtuar nga fondi rezervë i qeverisë”. Mirëpo përballë dyshimeve të tilla, prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari beson në arritjen e afateve të parashikuara. Madje kjo është dhe arsyeja pse Spirollari, kërkoi angazhim maksimal të të gjitha institucioneve për të qenë pranë banorëve e për t’i ndihmuar ata në çdo nevojë që do të kenë. Ndërkohë, Spirollari, paralajmëroi Komisionin Vlerësimit të dëmeve se në rast përdorimit të situatës për përfitime politike, do të përgjigjen përpara ligjit. Më konkretisht Spirollari tha: “Institucioni i Prefektit  për këdo nga anëtarët e komisionit apo institucion që do të guxojë të gabojë, (jo ai që gabon sepse gabimi është njerëzor), por ai që gabon me bindje, që do të bëjë vlerësime të gabuara në kosto; qoftë nga njohja familjare, shoqërore, qoftë edhe për  bindje politike, për fushata apo për çdo përfitim tjetër, është e patolerueshme sot, në këtë kohë që të bëhen veprime të tilla’.

Strehimi i përkohshëm u krye në kohë

Megjithatë duhet thënë se procesi i strehimit të përkohshëm u krye në kohë dhe pa ndonjë ngjarje që ia vlen të shënohet. Banorëve që i kishin shtëpitë me rrezik shembje iu ndalua hyrja në to. Gjithashtu nga Institucioni i Prefektit po punohet me të njëjtë vendosmëri. Spirollari bëri të ditur se vlerësimi paraprak i dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet sizmike u bë në kohë rekord. Ndryshe nga çdo rast tjetër, të gjitha institucionet në qarkun e Korçës, nën drejtimin e institucionit të prefektit, ekspertët e bashkive, në ditën e katërt kanë nxjerr dhe kanë përcaktuar vlerën e përafërt të dëmeve për të ringritur të gjitha shtëpitë e banimit dhe për të riparuar në mënyrë të pjesshme dhe infrastrukturën e shtëpive të dëmtuara”. Përgjegjshmëri dhe përkushtim u tregua edhe nga kryebashkiaku Sotiraq Filo, i cili arriti të kryejë në kohë procesin e vlerësimit, po kështu edhe nga kryebashkiaku i Devollit, Nallbati dhe dhe ai i Kolonjës, Ilia Stefo.

Gjithsesi, ndërtimi i banesave brenda afateve të përcaktuara mbetet një sfidë e hapur, por që meriton respekt për përkushtimin e treguar.