Biznesi “barbar” turk “KURUM”, turbullon, qelb dhe lë pa jetë “Syrin e Kaltër” në Bistricë

109
Fatin e lumit Shkumbin në Elbasan e ka pësuar edhe perla e mirënjohur dhe e shumë frekuentuar me emrin “Syri i Kaltër” në Bistricë të Delvinës, ky “tempull” natyror i krijuar nga dora e Zotit, që në vend të kolonave prej guri, ka rreth altarit (syrit) rrapet e lartë qindravjeçarë të cilët marrin jetë nga uji i tij i kaltër. Dhe ndotësi, ose më saktë shkatërruesi i të dyve është biznesi “barabar” turk me emrin “Kurum”. Perla e jugut “Syri i kaltër” tashmë e ka humbur shkëlqimin, kaltërsinë, pastërtinë e ujit të saj, mbasi “syri” është mbuluar nga algat, plehrat, mbetjet, llumrat etj. Këtë “sy të kaltër” natyror me ujë dhe mbi krye me “qiell” gjelbërimin e plotë, prej kohësh e kanë “pushtuar” plehrat dhe mbetjet që lëshohen nga “Kurum” prej grykave të HEC “Bistrica” dhe që nuk pastrohen prej saj, paçka se e ka detyrim kontraktual. 
      

Kryevepra natyrore “Syri i kaltër” po humbet përditë vlerat e për rrjedhojë edhe vizitorët vendas dhe turistët e huaj, të cilët gjejnë shërbimin e kulturuar e të kompletuar cilësisht e llojshmërisht në lokalet e këtij mjedisi, por nuk gjejnë më kaltërsi tek “Syri i kaltër”. Gjendja e rënduar e ndotjes së kësaj pike turistike natyrale, trishton dhe largon cilindo që shkon atje. Ky krim ekologjik e natyror është bërë dhe lejohet të vazhdoj barbarisht prej pushtetit lokal dhe prej qeverisë, ndaj një perle të tilla që kushdo shqiptar, apo i huaj po të kishte mundësi, do ta “shkulte” e do ta çonte në vendin, qytetin, fshatin, lagjen dhe oborrin e shtëpisë së vetë! Por në këtë gjendje, jo vetëm shqiptarët dhe turistët e huaj, por edhe vendasit nuk kanë dëshirë të shkojnë atje, mbasi prej masakrës mjedisore të bërë nga “Kurum”, perla e jugut “Syri i Kaltër” ka humbur shijen, bukurinë, freskinë, natyralitetin, kaltërsinë e për pasojë edhe frekuentimin njerëzor, siç shprehen banorët e zonës, vizitorët që nuk e kanë menduar këtë perlë si përpara kohës kur HEC u privatizuan nga “Kurum”, por së pari siç shprehen me dhimbje e dëshpërim bizneset që janë ngritur brenda këtij tempulli bukurie natyrore, por që çdo ditë e më tepër po tjetërsohen në… “objekte” pa jetë…!