BE “arkëton” 96 milionë euro për OJF-të shqiptare, 1700 “kuçedra” në sulm për t’i përlarë

1117
Veprimtaria 25 vjeçare e OJF në Shqipëri, ka treguar se ato janë “fabrika” që me ingranazhet e tyre gjoja të “shërbimeve humane”, maskuar nën përcaktimin “jo-fitimprurëse”, përpunojnë miliona euro, lekë e dollarë, pajisje, makineri, kancelari e orendi prej importit e biznesit vendas, madje edhe zyra e lloj-lloj donacione të tjera nga shteti, që u jepen këtyre organizatave nga qeveria shqiptare nëpërmjet një agjencie “Sude”, strukturë shtetërore me emrin “Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile” (AMSHC), si edhe fonde “lumë” që jepen nga shtetet, qeveritë, institucionet dhe shoqatat humanitare të Europës e Botës. Deri përpara afro 15 vitesh, këto quheshin “Organizata Jo Qeveritare-OJQ”, pra që nuk kishin lidhje me qeverinë si “armike” të saj, ndërsa tashmë quhen “Organizata Jo Fitimprurëse-OJF”, pra që nuk fitojnë asnjë qindarkë por që punojnë e shkrijnë jetën e tyre për… bamirësi. Pa a fitojnë OJF? A kanë lidhje legale e ilegale me shtetin? Sa OJF ka Shqipëria? 
Sa OJF ka brenda një sektori e komuniteti? Kush i drejton? Cilët sektorë publikë e social lakmon veprimtaria e tyre? A janë organizata shoqërore, apo pronë private? Nga sa vite kanë në krye bejlerët dhe bejlershat e OJF-ve, ose pasardhësit e tyre familjarë? Çfarë roli për akordim fondesh e përfitime kanë shtetarët dhe politikanët e lartë qendror e lokalë në këto OJF? A pasqyrohen bilancet e tyre, a kontrollohen nga tatimet dhe çfarë urdhri shtetëror i favorizon? A zgjidhin probleme realisht? Cilat OJF përfitojnë fonde publike prej shtetit shqiptar dhe kush i ka në “pronësi”? Për cilët sektorë sajohen programe e projekte sociale në miliona euro dhe prej kujt orientohen, përlahen e kontrollohen fondet? Çfarë roli luan “Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile” (AMSHC) në “moçalin” e qelbur financiar ku janë zhytur OJF që kanë lidhje me kupolën shtetërore e rrjetet mafioze? Çfarë bën drejtësia për të bërë “skanerin” e veprimtarisë së tyre? Gazeta “Telegraf” po nis publikimin e një investigimi të detajuar, në lidhje me “skutat e nëndheshme” të veprimtarisë së OJF-ve, absurdet e të cilave shkojnë deri në veprimtari që financohen nga shteti edhe për monitorimin e stresit të mëllenjave e gjinkallave, për mbrojtjen e personalitetit të dhelprës së kuqe dhe pllenimin e minjve të fushës! Këtë investigim, po e nisim me një “lajm” të nxjerr nga dosjet e mbyllura të BE, lidhur me financimin e disa projekteve që u janë besuar OJF-ve në Shqipëri. Çfarë thotë ky lajm, ku dhe kur është marrë vendimi “sekret” dhe cilët sektorë synojnë këto projekte?

Sigal

BE jep 96 milionë euro projekte për OJF-të shqiptare… pronësi dhe kliente të shtetarëve!

Ka qenë një mbledhje e quajtur “rutinë” e zhvilluar prej “Komitetit Europian të Ekonomisë dhe Shoqërisë” e cila ka përcaktuar jo vetëm prioritetet e dialogut shoqëri civile-qeveri në vendet e BE dhe në Ballkan, por edhe ndarjen e fondeve për financimin e projekteve që përfitojnë OJF e këtyre vendeve. Kjo ndarje është sipas sektorëve përkatës ku OJF do të zhvillojnë veprimtari, referuar kjo ndarje e kjo përzgjedhje tematikash dhe vendesh, në “konsulencë e mirëkuptim” me qeveritë e vendeve përkatës. Konkretisht, në këtë financim është përfshirë edhe Shoqëria Civile në Shqipëri, duke përfituar 96 milionë euro fonde nga BE, për caktuar për veprimtarinë e OJF-ve. Sa për saktësim, ky vendim është marrë prej “Komitetit Europian të Ekonomisë dhe Shoqërisë” të BE, në Mbledhjen Sesionare të 514, të datës 17-18 Shkurtit 2016, me 170 vota pro, 14 kundër dhe 11 abstenime. Në diskutimin dhe konkluzionet me dyer të mbyllura të kësaj mbledhjeje, u vendos të akordohen 96 milionë euro fonde për Shoqërinë Civile në Shqipëri. Ky fond, sipas “Komitetit Europian të Ekonomisë dhe Shoqërisë”, prej OJF-të shqiptare që do të jenë përfituese të “thelave” të këtij fondi gjigant, do të përdoret për trajnime të administratës publike, për leksione e praktika lidhur me mbrojtjen e vlerave historike e kulturore, për trajnime e testime profesionale infermierësh e mjekësh dhe higjienën e familjeve të zonave rurale, për trajnime e testime mësuesish, edukatoresh e kryepleqsh, për monitorime jetese në zonat e varfra rurale, për leksione biznesi për studentët dhe të papunët, për “ modele oponence” me qeverinë, për manifestime praktike projektesh sociale me romët, jetimët, të moshuarit e braktisur e invalidët, për sensibilizime të drejtash njerëzore, për mbrojtje e promovime mjedisi, për aktivitete kulturore e edukimi për komunitetet, për politikat e reja kundër trafikut njerëzor, për mbështetje me literaturë sociale e arsimore të fëmijëve në nevojë, për programe kundër dhunës në familje dhe shkolla, për trajtimin e qenve të rrugës, për të drejtat shpendëve, për trajnimet e gjoja vetë ekipeve të OJF-ve e deri për kujdesin ndaj… grave të veja!

Cilët janë sektorët ku do të “derdhen” këto 96 milionë euro dhe sa janë “thelat” qw jepen?

Thuhet se këto fonde të akorduara prej “Komitetit Europian të Ekonomisë dhe Shoqërisë” të BE, janë financime projektesh për fuqizimin e shoqërinë civile dhe për [projektet që do të realizohen nga OJF shqiptare në sektorët që sipas BE janë përcaktuar si prioritet emergjent për ndërhyrje dhe standardizim sipas parametrave të vendeve të BE. Shqipëria do të përfitoj nga ky “thes” gjigant financimi të bërë prej BE, si vend që ka qindra probleme sociale e funksionimi të institucioneve të shtetit dhe shoqërisë. Sipas raportit të mbledhjes së “Komitetit Europian të Ekonomisë dhe Shoqërisë” të BE, fondet për Shoqërinë Civile në Shqipëri, janë orientuar në disa sektorë ku janë konstatuar abuzime në bashkëveprimin Qeveri-OJF në projekte sociale. Konkretisht, “çeku” 96 milionë euro që ka hedhur BE për shoqërinë civile në Shqipëri, do të jetë viktimë e disa projekteve fantazma gjoja për trajnimet dhe monitorimet në shëndetësi, për kualifikimet e mësuesve, për standardizimin e praktikave universitare, për modelimin e kurrikulave, për trajnimin e edukatoreve të kopshteve, për politikat integruese në shkollat e fshatrave, për higjienën kolektive e familjare në zonat rurale, për bashkëjetesën fetare, për zgjedhje demokratike, për votën e të rinjve dhe votën e lirë, për futjen e të rinjve dhe grave në politikë, për ndotjen e ajrit e të ujit, për monitorimi-minimizimin e gjakmarrjes, për nxitjen e punësimit, për propagandimin e shkollave profesionale, për integrimin e romëve, të jetimëve, të invalidëve, për kujdesin e pastrimit të shkallës në pallat dhe për modernizimin e… mjeljes së lopës në fshat. 

Sipas vendimit, qeveria shqiptare ka bërë “kujdes” që ndarja e fondit të jetë sa më efikase. Afro 10% të fondit do ta gëlltisin OJF-të në sektorin e kulturës dhe krijimtarisë artistike në pikturë, letërsi, arkeologji, objektet muzeale dhe nxitjen e talenteve të reja, pro edhe në trajnimin e punonjësve e drejtuesve të sektorëve të Ministrisë së Kulturës. Nga ky fond, do të përfitojnë projekte kualifikimi e kulturore OJF për gratë e dhunuara, për gratë invalide, për femrat e trafikuara, për pensionistët në varfëri, për jetimët, të verbrit, për të rikthyerit nga emigracioni, do të përfitojnë OJF-të e kafsh137ve të egra e të buta, ato që punojnë për shpendët e lagunave, për pyjet e vjetëruar dhe për fidanët e rinj e deri edhe OJF-të me emrin “sindikata”, të cilat sipas vendimit të BE përfitojnë 10% të këtij fondi për leksione trajnuese me drejtuesit në qendër e në bazë, mbi nxitjen e debatit social, idetë moderne për partneritetin ndër-institucional me shtetin e privatin dhe modelin e organizimit të aksionit sindikal në raste protestash! Në ndarjen e këtij fondi, konstaton faktin që 20% e përfitojnë OJF në sektorin e shëndetësisë, 20% e përfitojnë OJF në sektorin e arsimit, 25% e përfitojnë OJF që kryejnë veprimtari në sektorin e punës, emigracionit e çështjeve sociale, 3% e përfitojnë OJF në sektorin e lirisë së medieve, ndërsa 2% e përfitojnë OJF e ndryshme. Po cilat OJF, i përfitojnë konkretisht? Gjurmët dhe logot e OJF të regjistruara në tatime e në gjykatë, zbulojnë se këto fonde në miliona euro që jepen nën emrin e shoqërisë civile, me projekte civile për politika e shërbime sociale, kulturore, arsimore, shkencore, integrimi, demokracie e humanitare, realisht i përfitojnë OJF-të pronë e shtetarëve dhe politikanëve qendror e lokalë, të familjarëve e miqve të tyre me projekte e bilance me letra fiktive! Kujtojmë, që në Europë janë të regjistruara me letra dhe paraqesin kërkesa e projekte për fonde mbi 6 milionë OJF të çdo lloji, nga të cilat vetëm 100 kanë të deklaruar nga 100 punonjës, ndërsa të tjerat kanë vetëm nga 1 punonjës, pra vetëm atë që e ka krijuar për të zhvatur fonde! Ndërsa në Shqipëri, sipas listët së zyrës qendrore të tatimeve, janë të regjistruar 2112 subjekte OJF të çdo lloji, ndërkohë që deri në vitin 2011 ishin të regjistruar vetëm 1654 OJF, në 32 % të të cilave janë administratorë (pronarë) të njëjtët persona në 3-10 OJF, ndërsa 21% e tyre rezultojnë OJF që akën si “staf” anëtarë të një familjeve prind-fëmijë, burrë-grua, motër-motër, vëlla-vëlla, dajë-nip, teze-mbesë etj, të cilat kanë të “punësuar nga 1-2 punonjës!