Bashkia e Vlorës, në aksion për të përfunduar investimet para 28 nëntorit

1098
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Ilir Banushi: “Do të ndryshojmë Sheshin e Flamurit”

Vlora është shndërruar në një kantier ndërtimi. Kanë filluar me intensitet investimet e planifikuara në këtë vit të 100 -vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, ndërsa janë krijuar vështirësi për qarkullimin pas fillimit të punimeve për rikonstruksionin e Sheshit të Flamurit. Për situatën e krijuar, shumë qytetarë shprehen se për shkak të kohës së shkurtër dhe të vjeshtës që është me shira, ka të ngjarë që të mos realizohen deri në ditën e festës, më 28 nëntor. Një pjesë e qytetarëve shprehen se ecin me ritme të ngadalta punimet në sheshin e Flamurit, çka ka krijuar vështirësi të shumta për qarkullimin jo vetëm të mjeteve, por edhe të qytetarëve, që për shkak të punimeve, janë të detyruar të thithin pluhurin që ngrihet si re mbi kokat e tyre. Pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, për më tepër për vetë situatën e krijuar në qytet, realizuam këtë intervistë me nënkryetarin e bashkisë, që mbulon problemet ekonomike z. Ilir Banushi.
Kur duhen edhe 90 ditë të festojmë 100 -vjetorin e Pavarësisë, cila është situata e investimeve në qytetin e Vlorës?
Sikurse jam shprehur edhe në bashkëbisedimet e mëparshme, investimet në infrastrukturë, janë prioritet i bashkisë së qytetit. Megjithëse është një buxhet i varfër, për shkak të krizës dhe shkurtimit të fundit nga Qeveria dhe mbi të gjitha, mos dhënies ndihmë nga Qeveria, do të mund të mbulojmë vetëm rikonstrukturimin e dy shesheve kryesore: Sheshit të Flamurit dhe Sheshit të Skelës.
Është e mjaftueshme koha për t’i përfunduar deri në ditën e festës, kur Vlora do të shndërrohet në kryeqendra e shqiptarëve?
Keni të drejtë që bëni këtë pyetje, por nëse punimet do të fillonin më përpara, do të pengonin sezonin turistik. Imagjinoni çfarë kaosi do të krijohej me bllokimin e Sheshit të Flamurit, çka e tregon edhe situate e sotme, sidoqë pushuesit janë larguar. Por është e mundur që në harkun e 90 ditëve, gjithçka të jetë gati dhe Vlora të marrë një pamje të re. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e Sheshit të Flamurit dhe gjatësia e rrugës që e përshkon atë, që ndodhet përballë Monumentit të Pavarësisë
Po ndonjë ndryshim tjetër në prag feste?
Sikurse e keni vënë re, që po bëhet lyerja e fasadës së pallateve për gjatë shëtitores Vlorë-Skelë, ndërsa një investim i ri, do të jetë edhe shëtitorja buzë detit e thënë ndryshe, Lungomarja.
Ndërtimi i saj është shoqëruar me sherr nga Agjencia e Mjedisit, që është shprehur se nuk ka leje mjedisore. Cila është e vërteta?
E vërteta është se ka një projekt të miratuar për ndërtimin e kësaj shëtitoreje, që do t’i japë një bukuri të veçantë zonës së Skelës, projekt që është miratuar edhe nga Agjencia rajonale e Mjedisit. Ndërprerja e punimeve është bërë për shkak, sipas kësaj agjencie, se ndotet deti. Në të vërtetë nuk kanë ndikuar aspak punimet në ndotjen e detit nga Skela, ku bëhen mbushjet deri në Zonën e Ujit të Ftohtë, ku është zona e plazheve. Gjithsesi, sezoni turistik përfundoi dhe për ndërtimin e shëtitores dhe parkut të gjelbër në det, vazhdon ditë e natë. Firma ka marrë përsipër që disa ditë përpara festës, kjo vepër publike, të jetë gati.
Ndërkohë shumë segmente rrugësh, janë shumë të amortizuara, mendoni se do të mbetet diçka nga fondi për të bërë edhe këto investime?
Flasim për mundësitë aktuale, për këtë periudhë, që ka mundësi të mbulojë bashkia me fondet e saj. Në projekt-buxhetin e miratuar dy vjet më parë ishin planifikuar edhe investime në rrugë dytësore, që janë shumë problematike, por duke ditur që Qeveria shqiptare nuk akordoi asnjë fond për investimet që bëhen në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, detyrimisht bashkia, buxhetin që ka në dispozicion do ta kalojë në investimet që përmendëm më lart, që janë domosdoshmëri.
Sa fonde janë akorduar për rikonstruksionin e Sheshit të Flamurit?
Sipas plan-buxhetit të miratuar, rikonceptim i Sheshit të Flamurit, kap shumën 38 milionë lekë të vjetra, ndërsa rikonceptim i Sheshit Pavarësia, plus segmentin e shëtitores, faza e parë, kërkon shumën prej 50 milionë lekë.
Ka një komision të posaçëm që është ngritur z. Banushi përveç investimeve në infrastrukturë, që ju i përmendët, ka hequr mënjanë ndonjë fond për veprimtaritë shkencore-kulturore me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë?
Për këtë qëllim në Bashki është ngritur një Komision i posaçëm dhe ndoshta në ditët e ardhshme do të përcaktohen veprimtaritë që do të organizohen me të ardhurat e bashkisë së qytetit.