Së shpejti matës elektronik për të zbuluar vjedhjet e ujit të pijshëm

660
Sigal

Flet për “Telegraf” drejtori i Ujësjellësit në Berat, Fatmir Shehu: “Kemi problem lavazhot dhe zonat periferike”

Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit, po merr masa të forta për të disiplinuar vjedhjen e ujit të pijshëm nga persona të papërgjegjshëm, të cilat kanë kryer ndërhyrje në tubacione që përdoren për konsumim familjar. Për të disiplinuar këto veprime abuzive, kjo drejtori ka marrë masa për të vendosur aparaturat matës elektronik, të cilët do të shërbejnë për zbulimin e vendit të zonave, ku ka ndërhyrje në tubacione dhe nëpër lagje të ndryshme të qytetit. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ujësjellësit në Berat, inxhinier Fatmir Shehu, i cili tha: “Për të parandaluar një fenomen tepër të rrezikshëm në harxhimin e ujit të pijshëm nga persona të papërgjegjshëm, ne si drejtori prej disa kohësh kemi studiuar situatën e krijuar nga vjedhja e ujit të pijshëm dhe për parandalimin e këtij fenomeni ngritëm një grup specialistesh inxhinier për të dalë në një ide shkencore për të parandaluar këtë fenomen. Tashmë ne si drejtori do të vendosim matës elektronik për të zbuluar vjedhjet e mëdha që po i krijojnë një humbje të madhe Ndërmarrjes së Ujësjellësit”, tha Shehu.
Humbjet
“Edhe pse ne kemi marrë masat më herët duke ndëshkuar personat, që kanë kryer ndërhyrje në tubacione, ku ujin e përdorin për vaditje dhe lavazhot, asnjë nuk heq dorë. Qarku i Beratit ka një sipërfaqe të madhe, ku janë shtrirë me mijëra metra tubacione dhe nuk arrihet që kontrollet të bëhen në këto sipërfaqe, prandaj shumë persona e kanë shfrytëzuar këtë fenomen duke vjedhur ujin e pijshëm. Duke vendosur matës elektronik ne jemi në gjendje që të verifikojmë se kush vjedh ujin padrejtësisht. Ka shumë konsumatorë familjarë që janë të rregullt si në qytet ashtu dhe në fshat, të cilët shlyejnë detyrimet rregullisht. Dihet se ne, ujin e shpërndajmë me pompa elektrike dhe nëse ne, nuk arrijmë të grumbullojmë faturë do të rriten dhe borxhet në KESH që për ne janë tarifa shumë të larta. Mosshlyerja e faturave nga konsumatorët të ujit, ndërmarrja do të krijojë edhe debitorë ndaj institucioneve të tjera. Për të mos arritur në ato nivele ne si drejtori po marrim masa urgjentë për vendosjen e matësve elektronike në të gjitha sektorët dhe vendet, ku dyshohet që vidhet ujë i pijshëm. Ne jemi në fillim të punës për zbatimin e këtij projekti dhe mendojmë se do të arrijmë rezultate të mira, pasi do të kemi në kontroll të gjithë situatën aktuale. Me kompletimin e të gjitha sektorëve me aparate matës elektronik, si në qytet apo fshatë do të rritet dhe oraret me ujë të pijshëm në familje si në qytet dhe në fshatë”, tha kreu i Ujësjellësit në Berat, Fatmir Shehu.