“PS-ja është e trembur dhe e nënshtruar në aksionin e saj politik”

278

INTERVISTA/Flet Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka: “Imuniteti është një demagogji. Kjo reformë të miratohet në Kuvend”

Pushimet verore kanë mbaruar për politikanët, e ndërsa ekuacioni i integrimit u mbetet për ta zgjidhur në provimin e vjeshtës. Do të ndërgjegjësohen- më në fund- PD-PS, që produkti i reformave të jetë kontribut i integrimit të shqiptarëve dhe Shqipërisë? Apo, produkti do të jetë zgjidhja e ngërçit, se cila palë politike do të përfitojë privilegje në dëm të tjetrës? Zgjedhja e Kryetarit të KQZ-së, do të jetë një Ristan i kopjuar? Amendamentet e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës, të cilat u pranuan nga PD-ja, të shqyrtohen në Parlament, do të prekin edhe zgjedhjen e Presidentit me 84 vota, apo kërkohet që, t’i zhvishen të drejtat kushtetuese, nën akuzën e Presidentit partiak? Zoti Nard Ndoka, kryetari i PDK-së, në intervistën për “Telegraf” është në kritikën e vet, për këto çështje, i drejtpërdrejtë, edhe ndaj PD-së, edhe ndaj PS-së.

– Zoti Ndoka, ndryshimet e politikës të PD-së dhe PS-së për reformën e kufizimit të imunitetit, a mund dëshmojnë se politika e ka marrë seriozisht luftën kundër korrupsionit?
– Normalisht, është një papërgjegjshmëri e palëve politike, për faktin se për reformat e rëndësishme, maxhoranca dhe opozita të kenë një axhendë të paracaktuar. Më shumë këto punojnë me demagogji dhe vetë kjo reformë katandiset një demagogji e PD-PS. Opozita është e trembur në mënyrë të pakuptueshme nga pjesa e aksionit të saj politik, për kufizimin apo heqjen e imunitetit. Imuniteti është mburojë e korrupsionit. Opozita nuk është në gjendje që ta vërtetojë këtë, qoftë nga ana juridike, qoftë edhe politikisht. Unë gjykoj, që zgjidhja është që kjo reformë të kalojë në Kuvend.
– Qoftë kjo reformë, por edhe nga të tjerat, konsensusi i arritur, është produkt i interesave partiake, apo shërbesë e integrimit të Shqipërisë?
– Për fatin e keq, në reformat nuk ka patur frymë konsensusi të debatit të gjerë, me median, me publikun, me grupet e interesuara. Politika asnjëherë nuk e ka lejuar qytetarin të jetë pjesë aktive e debatit, duke i mohuar edhe kontributin. Ne jemi ndodhur përherë të “papriturave”, ku politika, nëpërmjet pazareve, e ka gremisur Kushtetutën brenda natës, ku PD-PS kanë përjashtuar të gjitha partitë e tjera nga e drejta e mendimit nga reforma zgjedhore.
– Kryeministri, si argument politik kundër PS-së, përdor sloganin: “Qeveris unë, po korrupton PS-ja”. Sa i besueshëm është?
– Këto janë slogane demagogjike, që përdoren rëndom në politikën shqiptare. Nuk është normale që një parti në maxhorancë të akuzojë opozitën për…korrupsion. Kjo është një luftë frontale, thjesht për ta mbajtur opozitën në presion politik.
– PD-ja erdhi në pushtet në 2005-n me flamurin e antikorrupsionit. Të njëjtin flamur ka sot PS-ja. PD-ja në pushtet nuk denoncoi asnjë korrupsion që kishte “zbuluar” si opozitë. Mendoni, se PS-ja, po të vijë në pushtet në 2013-n, do t’i çojë korrupsionet qeveritare së sotme në drejtësi?
– PS-ja, edhe pse ka ndryshuar lidershipin e saj, të akuzuar për korrupsionin, nuk u vetëpastrua nga njerëzit që kishin korruptuar në qeverisjen e saj. Përkundrazi, edhe sot mbështetet fuqishëm nga njerëzit e korruptuar, duke i përdorur financat e tyre për financim të paligjshëm të politikës së saj. Kështu, që edhe nesër, në pushtet, nuk mund të marrë flamurin e luftës kundër korrupsionit. Si edhe PD-ja nuk e ka treguar këtë dëshirë, që të luftojë korrupsionin në vetët e saj. PD-ja shpeshherë i ka penguar institucionet e drejtësisë, kur bëhet fjalë për akuza korruptive për njerëzit e vet.
– LSI-ja, ditët e fundit mban një qëndrim diametrikisht të kundërt me PD-në për reformën e imunitetit. Është parimore kjo politikë, apo një truk i ri i Metës, për të përfituar sa më shumë nga Berisha?
– LSI-ja është në një pozicion të vështirë politik, për arsye se nuk ka një axhendë të qartë me PD-në. Përditë duket që është një bashkëqeverisje e vështirë. Me këto truke politike, Meta i ushtron presion Berishës që të ndryshojë qëndrimin ndaj çështjeve që ai interesohet. LSI-ja asnjëherë nuk ka patur kauzat e saj politike. LSI-ja është pjesë e kësaj maxhorance dhe përpiqet që të përfitojë sa më shumë, duke u dëftuar në momente të veçanta, si kundërshtare.

– Kryeministri Berisha, duke u përkujdesur sot, të emërojë, njerëzit e vet në krye të institucioneve të Gjyqësorit, Kryeprokurorin, SHISH-n, e ka hallin, që, edhe po të humbasë në 2013-n e të largohet nga politika, të ketë sigurinë, se do ta lenë të qetë. Ju, si e gjykoni?
– E gjitha kjo gjullurdi institucionale, duke filluar që nga Presidenca e deri në të tjera, rrjedhin pikërisht prej ndryshimeve kushtetuese të 2008-s. Përgjegjësia më e madhe është e Edi Ramës, që i dha Kryeministrit fuqinë maksimale kushtetuese, duke menduar që do të ishte ai që do t’i gëzonte këto privilegje. Zoti Berisha, në natyrën e tij, këmbëngulëse, nuk është i frikësuar nga këto institucione, qoftë edhe po të jetë në opozitë. Është një politikan që mbrohet me të gjitha mjetet, politike e mediatike. Nuk është fare ai gjykim, se, duke vendosur njerëzit e vet në krye të çdo institucioni shtetëror, kërkon që të sigurojë qetësinë e tij postpolitike. Berisha, do të jetë në politikë, qoftë edhe në opozitë.
– Mendoni se PS-ja, po të jetë në pushtet në 2013-n, e ka seriozisht që do të anulojë të gjitha marrëveshjet e privatizimit të kësaj qeverie?
– PS-ja, edhe në oponencën e saj është totalisht e papërgjegjshme, deklaron zotime politike të pastudiuara. Ndoshta thjesht për të bërë opozitë. Opozita nuk bëhet vetëm për hir të opozitës. Kjo nuk është alternativë politikë që duhet t’u afrojë shqiptarëve, kur dihet që është e pamundur, por kështu siç e thotë PS-ja, është edhe një presion ndaj investitorëve të huaj, përse investojnë sot, me këtë qeveri. Ndoshta, me të tilla ultimatume, PS-ja më shumë do të japë përshtypjen, që nesër si maxhorancë, do të jetë totalisht e plotfuqishme.
Po të jetë e sinqertë PS-ja, le të marrë obligimin politik, që do të dënojë fajtorët e këtyre privatizimeve, që dëmtojnë-sipas saj- interesat kombëtare.
– PS-ja ka paraqitur amendamentet e saj, të cilat do të shqyrtohen edhe në Parlament, për ndryshimin e Kushtetutës, në kuadrin e imunitetit. Mirëpo, nuk ka kërkuar ndryshimin e zgjedhjes të Presidentit, me 84 votë, nga e cila rrjedhin detyrimet e tjera kushtetuese. Sipas jush, përse?
– Këtu PS-ja po dëftohet e pavëmendshme. Së pari, PS-ja merr nisma dhe kohë më vonë ajo tërhiqet nga nismat e saj, të cilat janë shumë të rëndësishme. Paradite PS-ja paraqet diçka, e mbasdite e anulon nga tvvitteri. PS-ja nuk ka strategji politike, ku të ketë të qartë çfarë kërkon dhe si do ta arrijë. Nuk ka alternativa, ide, për përmirësimin e institucioneve. Kjo dëshmon që opozita është e trembur, e ndryshon sipas presioneve mediatike, të kryeministrit.
– Kultivohet, ditët e fundit, një klimë e dyshimit për vjedhjen e votave në 2013-n. Ka dozë vërtetësie, apo ngrihet qysh tani alibi për një humbje të pritshme?
– PS-ja edhe këtu nxitohet që të oponojë, sepse sapo miratoi një reformë zgjedhore, deklaroi publikisht se Kodi i ri Zgjedhor të jep garancinë e mosvjedhjes. Ja, faktikisht, papërgjegjshmëria politike e PS-së. Ose, pse alarmohet pa shkak, ose përse e miratoi një Kod Zgjedhor, kur dyshon që do të ketë vjedhje vote. PS-ja çorodit votuesit shqiptarë, duke i larguar nga kutitë e votimit.
– Pasnesër do të fillojë në Kuvend diskutimi për zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së. Derisa Kryetari i saj do të jetë shuma e 71 votave dhe nuk përjashtohet një Ristan tjetër i PD-së, ku është riformatimi i KQZ-së për një pavarësi të plotë të saj?
– PS-ja nuk kërkon barazi të votës dhe pavarësi të institucioneve. Por kërkon marrjen e këtyre institucioneve nga ajo. Madje, duke qenë në opozitë, kërkon që t’i kapë. PS-ja të kërkonte që të kishim në KQZ kushtetuese dhe jo me militantë partiakë, që të ishte garanci për të gjitha palët. KQZ-ja, sido që të zgjidhet, është KQZ-ja e PD-PS. Është “normale”, që të kemi një KQZ, me një Ristan tjetër, po kaq të besueshëm për PD-në.
 Çfarë e pengon Kryeministrin të çojë në drejtësi korrupsionin e PS-së
– Ka një ndërthurje, një ndërlidhje mes maxhorancës dhe opozitës. Korrupsioni është dypalë, me atë ndërthurje që e mbrojnë njëra-tjetrën. Janë dhe kanë interesa të përbashkëta, PD-ja dhe PS-ja, çka ë zhvlerëson çështjen e kufizimit të imunitetit në një term demagogjik, sesa një realitet institucional. Këto interesa të përbashkëta PD-PS e bëjnë drejtësinë të nënshtrohet përballë korrupsionit.
– Faleminderit!