Petrit Vasili: Modeli Trump i suksesit në ekonomi dhe rrënimi ekonomik i rilindjes

522
Sigal

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një reagim në Facebook shprehet se modeli ekonomik i Edi Ramës ka sjellë dështimin e ekonomisë së vendit. Vasili sugjeron se Shqipëria duhet të aplikojë praktikat ekonomike që presidenti Donald Trump po ndjekë në SHBA.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit:

Modeli Trump i suksesit në ekonomi dhe rrënimi ekonomik i rilindjes. Komisioni Europian tregon qartë rrënimin ekonomik të Shqipërisë për shkak të rilindjes.

Koncesione shkatërrimtare, ekonomi e gërryer nga korrupsioni mungesë totale vizioni, monopole oligarkësh, papunësi dramatike dhe emigracion i dimensioneve të frikshme, dërrmimi i shëndetësisë dhe arsimit, kjo është situata ekonomike në Shqipëri.

Në  rast se ky kryeministër dhe kjo qeveri do të kishin Shqipërinë të parën, zgjidhjen dhe modelin ekonomik e kishin të gatshëm dhe të një suksesi të garantuar dhe ky është Modeli Ekonomik i Presidentit Trump. Modeli Trump, që ka moton Amerika e Para, u orientua nga ulja e taksave dhe lufta pa kompromis ndaj papunësisë, konkurenca e ndershme, transparenca dhe asgjësimi i burokracive korruptive.

Ky model i Trump dha rezultate spektakolare dhe një transformim ekonomik që Amerika nuk e kishte parë prej vitesh. Por Rama dhe rilindja që e kanë Shqipërinë të fundit, i urrejnë modelet ekonomike si i Trump, që i japin liri sipërmarrjes dhe qytetarit, modelet që luftojnë oligarkët dhe monopolet.

Rilindja gjallon mbi korrupsionin, koncesionet si vjedhje gjigande, terrorin fiskal, konkurencën e pandershme dhe burokracinë rilindase, që funksionon mbi korrupsionin e çfrenuar.

Pas alarmit dramatik që vjen nga Komisioni Europian për ekonominë shqiptare është akoma më e qartë, që çdo ditë e rilindjes në pushtet është një hap drejt greminës ekonomike të pashmangshme, ndaj largimi i Edi Ramës është e vetmja zgjidhje.

Mësimi i madh për ekonominë që Trump i dha Amerikës dhe botës do të jetë filozofia udhëheqëse e opozitës për nxjerrjen e Shqipërisë nga gremina ekonomike ku e zhyti rilindja.