Bardhyl Berberi: Pronarët e rremë duan të marrin burgun e të miturve në Pogradec

517
Në Hudënisht kanë mbërritur tre avokatë të një studioje nga Tirana të cilët i kanë kërkuar administratorit që ky i fundit të njohë tokën e dy klientëve të tyre dhe të firmosi një dokument për rikthimin e saj. Administratori Dionis Çorbaxhiu ka thënë për gazetën “Telegraf” se bëhet fjalë për tokat në Pojskë, tek ish miniera e Kromit në teritorin ku ndodhet ndërtesa e re e burgut të të miturve së cilës ndonëse janë shpenzuar rreth 1.2 milionë euro nga qeveria daneze edhe pse është pothuajse e përfunduar, çuditërisht ende qëndron në mëshirën e fatit duke u ruajtur nga pesë policë të burgut të Peqinit prej gati 10 vjetësh dhe nuk po vihet në punë! Mos vënia në punë e kësaj ndërtese ka hapur oreksin e këtyre që e quajnë vetën pronarë, thotë administratori Dionis Çorbaxhiu që të marrin tokën sëbashku me ndërtesën. Së pari mua më duket absurde që gjithë ky investim të shkojë dëm dhe së dyti thotë ai unë nuk bindem me dokumentacionin që posedon studioja e avokatëve në Tiranë me disa dokumenta të vitit 1942 nga qeveria kuislinge dhe aty nuk thuhet se këta pronarë prej kujt e kanë blerë këtë tokë. Këto janë arsyet që unë nuk ia u njoha këtë tokë dhe ndërtesën e burgut të të miturve.
Historiku i burgut
Ka qënë një nismë e ish – Ministrit të Drejtësisë Fatmir Xhafaj në vitin 2000, i cili me një ndihmë të siguruar nga qeveria daneze dhe nevojat për të patur një burg për të miturit mori një vendim për të ngritur në afërsi të fshatit Piskupat, 10 km larg qytetit të Pogradecit, tek ish ndërtesa e minatorve të kromit. Ministria e Drejtësisë bëri transferimin e ndërtesës së fjetoreve të puntorëve të kromit nga Ministria e Industrisë dhe minierave tek ajo e Ministrisë së Drejtësisë dhe filloi rindërtimin nga e para. Ndërtesa katër katëshe posedon 64 dhoma duke patur nga 16 dhoma për çdo kat. Punimet u kryen nga një firmë ndërtimi nga Tirana e cila ka kryer punime cilësore ku përveç punimeve në dhomat e ndërtesës në qendër u ngrit një kompleks zyrash, menca e re, ambientet sportive dhe ato të ajrosjes. Kur ndërtesa ishte në përfundim krejt dhe kishin ngelur vetëm vendosja e xhamave dhe hekurat e dritareve dhe paisjet, ndërrohet pushteti në vitin 2005 dhe prej 10 vjetësh kjo ndërtesë ka ngelur në atë pikë që ishte në momentin e para 10 vjetësh, madje ka filluar të amortizohet. 

Tashmë Ministria e Drejtësisë e cila e ndodhur përpara kësaj situate ka caktuar 4 policë nga Pogradeci, që varen nga burgu i Peqinit, të cilët ruajnë ndërtesën e burgut të të miturve pasi sipas burimeve zyrtare qeveria daneze për ngritjen e burgut të të miturve ka dhënë një fond prej gati 1.2 milion euro. Policët thonë vetëm se varen nga burgu i Peqinit nga marrin edhe pagat pasi janë në të njëtën organikë me policët e burgut të Peqinit. Ata nuk japin asnjë të dhënë, madje nuk të lejojnë për t’u futur në ambientet e brendshme. Sipas tyre kanë ardhur disa herë disa drejtuesë të Ministrisë së Drejtësisë dhe kanë parë objektin pa bërë asnjë koment. Sipas burimeve të mirëinformuara burgu i Pojskës nuk përurohet pasi qeveria Berisha sapo erdhi në pushtet e la pas dore burgun dhe ndërtoi një burg për të miturit në Kavajë! Askush nuk përcakton fatin e kësaj ndërtese, thekson administratori Dionis Çorbaxhiu por sipas një udhëzimi që unë kam për të gjitha pronat e ish komunës së Hudënishtit që kanë problem si tokat e blera nga “Gjallica” në Hudënisht që kanë ngelur stok dhe punohen nga ish pronarët apo burgu i të miturve që duan ta marrin “ish – pronarët” do të analizohen dhe rishqyrtohen nga një studio ligjore që është ngritur në Tiranë e cila do të vendosi fatin e këtyre pronave që kanë ngelur në mëshirë të fatit. Çuditërisht, thotë administrator Dionis Çorbaxhiu, aty janë lëvruar miliona euro dhe prej 10 vjetësh ndërtesa e ndërtuar për burgun e të miturve qëndron e heshtur dhe pa i shërbyer funksionit për të cilën janë shpenzuar jo pak para.
Sigal