Banorëve që u nxorën nga kabinat e plazhit po u vidhen orenditë dhe rrobat

641
Sigal

DURRËS/ Familjet në gjyq: Kabinat nuk janë ndërtesa që iu sekuestruan privatëve, ato i ka ndërtuar shteti

Para disa ditësh në lagjen Nr.13 të zonës së plazhit të Durrësit  janë nxjerre nga Përmbarimi jashtë kabinave që u shërbenin si banesa rreth 12 familje. Rreth 5 prej tyre nuk kanë pasur se ku të shkojnë dhe kanë mbetur në qiell të hapur. Por edhe atje hallet e tyre nuk kanë të sosur. Fqinjët e tyre janë shprehur se, përveç faktit se ata janë tepër të varfër dhe si të tillë nuk përfitojnë as kredi, pasi kanë dalë jashtë u kanë vjedhur edhe orenditë dhe rroba, ku mbështillen në këto ditë dimri. Vjedhësit janë banorë të varfër që edhe ata jetojnë në afërsi të tyre. Në këtë zonë janë rreth 27 kabina që nuk janë përfshire në privatizim, nga rreth 500 të tilla që janë privatizuar këto vite duke filluar që nga viti 2009 duke përfshirë edhe kabinat e plazhit të Currilave. Banoret janë shprehur se ata janë nxjerrë forcërisht me polici në kundërshtim me ligjet pasi ata kishin hapur proces gjyqësor për pavlefshmëri të titullit ekzekutiv dhe kundërshtimin  e veprimeve përmbarimore.

 Gjyqi

Shtatë familje i janë drejtuar gjykatës, ndërsa të tjerat janë në pamundësi financiare për të ndjekur edhe gjyqet, pasi ata kanë vetëm asistenca minimale, thonë banorët. Ankimuesit janë Sadije Kaja, Muharrem Manushi, Fatmir Kuka, Shpresa Gjonaj, Zaim Lula, Alush Cejku, Lulzim Dervishi. Në gjyq ata kanë kërkuar se janë vendosur para 20 viteve nga pushteti pluralist dhe se deri në muajin dhjetor të vitit të kaluar ata kanë paguar qiratë, energjinë dhe ujin. Ata kanë kërkuar që gjykata të shqyrtoje hallin e tyre pasi kabinat e plazhit janë të ndërtuara nga shteti pas çlirimit dhe se këto kabina 15 ditore për plazh, nuk janë banesat që shteti u ka shtetëzuar ish-pronarëve. Prona e ish-pronareve është vetëm trualli janë shprehur ata në ankesën e tyre ligjore, banesat janë të shtetit dhe shteti duhet të ju a privatizoje atyre, duke u mbështetur në nenin 21 të ligjit nr. 6798 për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Banorët kanë saktësuar se ka qenë vendimi nr. 256 i KM që ka bërë kalimin e kabinave si pasuri Bashkisë së Durrësit. Dhe se brenda këtij numri kabinash kanë qenë edhe emrat e tyre për t’ja kaluar Entit të Banesave për privatizim. Enti i Banesave në kundërshtim me këtë ligj ia ka privatizuar ato pronarit të tokës me të drejtën e parablerjes duke shkelur vendimin nr. 256 të datës 23.03.2011 si dhe vetë ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Disa ditë më parë, kur u nxorën nga banesat e tyre, banorët kanë akuzuar edhe Bashkinë e Durrësit, e cila ka bërë biznes me banesat e tyre duke i lënë ata në qiell të hapur.

AKUZA EDHE BASHKISË

Banorët kanë deklaruar që në përpjekjen e parë për t’i nxjerre, se ata janë pronarë të ligjshëm të banesave (ish-kabina plazhi), dhe vetëm nëpërmjet manipulimeve të ndryshme, të kryera sipas tyre nga Bashkia fillimisht dhe nga Gjykata më pas, është bërë e mundur që në dokumente ata të mos ekzistojnë si banorë në ish-kabinat e zonës “Iliria”. Ata kanë thënë se: “Bashkia në fillim ka shitur godinën, ku banojmë prej 20 vjetësh. Më pas gjykata i ka dhënë të drejtë pronarëve që e kanë blerë, duke mos marrë për bazë që në këto kabina jetojnë familje, që paguajnë rregullisht qiranë ndaj Bashkisë, paguajnë faturat e dritave të ujit dhe taksa e tatime vendore”, thanë familjarët. Banorët janë shprehur se nga procesi i privatizimit të rreth 500 kabinave të pushuesve, proces i nisur në vitin 2009, ku përfshihej zona e plazhit dhe e Currilave, nuk kanë përfituar vetëm 27 familje, të cilat jetojnë pranë zonën “Iliria”.