Atentati ndaj Prokurorit Ndoja, Apelit i Krimeve të Rënda lë në burg Redjan Rrajën

545
Sigal

Për atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja, Apeli i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka lënë në burg Redjan Rrajën.

Nëpërmjet avokatit të tij, Rraja apeloi vendimin e shkallës së Parë që më parë kishte caktuar masën e “arrestit në burg”, dhe kërkoi në Apel lirimin nga qelia, pasi pretendonte se nuk ka asnjë provë që ta lidhë me ngjarjen e ndodhur pasditen e 1 nëntorit. Por sot Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për të.

Deri më tani Rraja është i vetmi i arrestuar për atentatin ndaj Prokurorit.

Atentati i 1-nëntorit, si u plagos prokurori me shoferin dhe mikun e tij, Landi Muharremi

Një skenë hollivudi e krimit shqiptar u përsërit të shtunën në vendin e njohur si Mbikalimi i Shkozetit në Durrës.

Makina tip “Benz”, ku po udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, ra pre e një atentati, pasi një makinë tjetër “Benz”, ngjyrë gri, nisi të qëllonte me breshëri, duke lënë të plagosur të tri personat që po udhëtonin në këtë makinë.

Prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij, ish-polici i Krujës Andi Maloku që ndërroi jetë para disa ditësh dhe një person i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale, Landi Muharremi (Aleksandër Laho), ngelën të plagosur pasi ndaj tyre u qëlluan mbi 20 plumba.

Atentatorët dyshohet se janë një skuadër vrasësish me pagesë, ndërsa pak orë pas ngjarjes në Ishëm, u gjet makina e tyre e padjegur, dhe brenda ndodheshin dy armët e përdorura në këtë atentat, përkatësisht dy kallashnikovë AK-47. Dosja i ka kaluar prokurorit Anton Martini, ndërsa Ndoja ka thënë se nuk i njeh autorët e atentatit. Për këtë ngjarje janë shoqëruar në Polici Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe, të cilët pas dëshmisë janë lënë të lirë.

I vetmi që ndodhet pas hekurave në lidhje me këtë ngjarje është Redjan Rraja, i njohur ndryshe si ‘Dara” i Krujës, që është gjithashtu edhe nipi i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.

Ai u arrestua nga Policia e Shtetit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi e më pas drejt Italisë dhe u zbulua nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën Benz ngjyrë gri, që u braktis i padjegur nga atentatorët në Ishëm.

Vetë Rraja ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë në atentat dhe se ka alibi për vendndodhjen e tij në momentin kur është kryer atentati. Megjithatë Gjykata e ka lënë të riun në burg deri në përfundimin e hetimeve për atentatin.

Pista kryesore që po hetohet në lidhje me atentatin ndaj Ndoja është ajo e pronave në Gjirin e Lalëzit, ku mendohet të ketë pasur interes Rrumi. Kjo indicje erdhi pasi në “ML”-në e prokurorit Ndoja u gjetën dosjet e vjedhura nga prokuroria një vit më parë, mes tyre edhe ajo e pronave të ish-gjyqtarit të vrarë Skerdilajt Konomit.