Asnjë masë ndaj ndotjeve të ajrit, ujit, lumenjve, dhe ndotjes akustike

785
Agjensia Rajonale e Mjedisit në Elbasan pothuajse është inekzistente, e pazonja dhe e pafuqishme të zbatojë ligjet e shtetit, rregulloret dhe ecën me praktikat e para 5 apo edhe 10 viteve, kur edhe strukturat e saj ishin të paformatuara. Në ARM e Elbasanit nuk gjen një statistikë zyrtare mbi ndotjet e ajrit, lumit, ujit të pijshëm, ndotjeve flagrante nga furrat dhe oxhaqet e atyre që prodhojnë bukën që konsumojnë çdo ditë qytetarët, nuk gjen një statistikë zyrtare mbi ndotjen akustike, kur ajo ndodhet e pranishme në lagjet e qytetit, tek zhurmat e betoniereve që lëvizin ditën dhe në mesnatë duke lënë banorët pa gjumë. 
Asnjë zyrtar i ARM nuk u jep përgjigje shqetësimeve
Asnjë statistikë zyrtare mbi ndotjet dhe matjet e ndotjes në pothuajse 23 zonat periferike dhe të brëndshme të qytetit të Elbasanit, kur dihet se qyteti vuan prej vitesh. Asnjë zyrtar i ARM nuk të jep përgjigje mbi shqetësimet e banorëve të Bradasheshit, Vidhasit, Paprit, Katundit të Ri, Fushë-Mbretit, Funarit, apo shqetësimet e banorëve të disa lagjeve që thithin çdo ditë tymin e zi të furrave të bukës, të cilat nuk respektojnë asnjë standard ligjor e mjedisor. ARM e Elbasanit është institucion vartës i Ministrisë Mjedisit, por asnjë zyrtar i saj nuk përgjigjet për ndotjen, por të gjithë turren të gjejnë qytetarin denoncues, dhe të shfajësohen me statistikat dhe lejet mjedisore të dhëna para 5 apo 10 vitesh. Një katrahurë e paparë, mungesë serioziteti, profesionalizmi, dhe agnazhimi në zbatimin e detyrave dhe ligjit.
ARM nuk monitoron ndotjet e “KURUM”
Në ARM e Elbasanit nuk gjen dhe nuk të japin asnjë raport zyrtar mbi marrjet dhe monitorimin e ndotjes nga KURUM, mbi matjet dhe monitorimin e ndotjes nga furrat dhe fonderitë që janë ngritur vend e pa vend, mbi kriteret e lejeve mjedisore për aktivitetet private dhe firmave të ndërtimit, të cilat janë bërë shqetësimi i ditës për banorët e Elbasanit. Në ARM e Elbasanit nuk ka një stradegji të qartë mbi atë ç’ka do të bëjë ky institucion, mbi masat dhe penalitetet e ndotësve të vegjël dhe të mëdhenj, ndërkohë që pas orës 09.30 në zyrat e saj nuk ke shansin të takosh asnjeri. Në 2 vitet e fundit ARM e Elbasanit, nuk ka mundur të zbulojë, parandalojë, verifikojë dhe ndëshkojë sipas ligjit ndotësin kryesor të qytetit dhe zonave rreth tij, ndërkohë që ndotësit e “vegjël” po kthehen çdo ditë e më shumë problematikë. 
Ministria e Mjedisit, asnjë kontroll ARM në Elbasan
Ministria e Mjedisit prej afro 1 viti nuk ka kryer asnjë kontroll tek ARM e Elbasanit, duke u mjaftuar me raportet fiktive zyrtare të saj, të cilat nuk paraqesin realitetin skandaloz në këtë qytet . Qytetarët ankohen se ARM jo vetëm nuk u zgjidh hallet dhe problemet e tyre (si në rastin e ndotjes nga furrat e bukës) por ajo justifikohet para tyre me letra bakalli apo shkresa që mbajnë firmën e ish-drejtorit Adi Madhi. ARM e Elbasanit ka detyrimin ligjor, të bëjë çdo muaj publikimin e matjeve mbi ndotjen e qytetit, ka detyrimin ligjor të bëjë para Këshillit Bashkiak dhe Prefektit të qarkut transparencën e punës saj, gjë të cilën nuk e ka bërë. Ka detyrimin ligjor të marrë masa ligjor dhe ndëshkuese mbi çdo person apo subjekt juridik që kryen ndotjen e ajrin, ujit, lumit, lagjeve, rrugëve, gjë të cilën nuk e ka bërë dhe nuk vazhdon ta bëjë, madje jo vetëm në qytetin e Elbasanit, por edhe në komuna. 
KLSH do verifikojë ARM 
Nisur nga gjithë shqetësimet dhe problemet e qytetarëve, pritet që shumë shpejt të mbërrijë në degën e ARM Elbasan KLSH, për të verifikuar dhe kontrolluar aktivitetin e punës dhe zbatimin e ligjit nga kjo njësi jo e vogël e një qyteti të madh dhe me shumë probleme në varësi të Ministrisë Mjedisit.