Vrau gruan e kunatën në Ballsh, Gjykata e Apelit vulos vendimin: Burg përjetë për Gazmend Mustën!

293
Sigal

Në burg përjetë do të qëndrojë Gazmend Musta 34 vjeçari i dënuar për vrasjen e gruas dhe kunatës së tij mbrëmjen e 2 janarit të vitit 2019 në Ballsh.

Gjykata e Apelit Vlorë ka lënë në fuqi dënimin e shkallës së parë “burgim të përjetshëm” për Mustën. I dënuari për krimin e dyfishtë brenda familjes ka shfaqur pendesë në gjyq dhe ka shprehur merak për dy fëmijët e tij të mitur 3 dhe 7 vjeç.

Krimi i 2 janarit në banesën e familjes Musta në katin e pestë të një pallati në lagjen 5 Shkurti në Ballsh është paraprirë nga një debat i fortë mes bashkëshortëve.

I akuzuari Musta ka qenë kundër kërkesës së bashkëshortes së tij për të shkuar tek prindërit e saj në fshatin Drizar të Mallakastrës.

Pasi ka debatuar ashpër me to, rreth orës 16:30 ai ka kapur thikën e kuzhinës dhe ka qëlluar bashkëshorten Gentiana Çaushaj e më pas edhe kunatën 18 vjeçe, Milisa Çaushaj, duke u shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Në të njëjtën kohë në banesë kanë qenë edhe fëmijët e mitur të çifti 3 dhe 7 vjeç.

34 vjeçari gjatë seancave gjyqësore ka pretenduar se ishte ofenduar nga bashkëshortja dhe se nuk kishte duruar më, ndërsa ka shprehur merak për dy fëmijët e tij të mitur.

Pas ngjarjes 34 vjeçari ka telefonuar babain e tij, të cilit i ka rrëfyer krimin duke i thënë “t’ia bënte hallall” dhe se “do të takoheshin në botën tjetër”. Krimi i rëndë tronditi opinionin publik.