Evis KRESHPAJ/ KLSH në reformim të plotë ligjor

994
Sigal


*KLSH

Ndryshimet që ka pësuar Shqipëria nga viti 1997 deri më sot në mjedisin ekonomik, politik, social dhe kulturor  dhe marrja e statusit të vendit kandidat, kërkojnë që disa marrëdhënie të vishen me mbrojtje ligjore të posaçme. Kështu lindi nevoja e zgjerimit dhe e modernizimit tërësisht të veprimtarisë së KLSH, duke forcuar pavarësinë e institucionit dhe zgjeruar fushat e auditimit, duke përfshirë auditimin e performancës dhe të teknologjisë së informacionit, si dhe të drejtën për të audituar projektet me fondet e donatoreve, kryesisht te BE-se. Pasja e një ligji tërësisht ne përputhje me standardet e INTOSAI-t, te organizatës botërore te institucioneve te auditimit suprem publik, ka qenë një kërkesë e hershme e Bashkimit Evropian, e përmbajtur ne Progres Raportet e tij që nga viti 2009 e deri ne vitin 2013. Institucion i KLSH ishte i ndërgjegjshëm për këtë kërkesë dhe në strategjinë e tij të zhvillimit 2013-2017, në përputhje me strategjitë e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, e kishte përfshirë si objektivin parësor amendimin e ligjit të tij organik, në mënyrë që t’i përshtatej realitetit. Në zbatim të projekt-idesë të paraqitur nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit në 14 nëntor 2011, në cilësinë e kandidatit të nominuar, në të cilën parashikoheshin që dy prej drejtimeve kryesore strategjike të veprimtarisë së institucionit në vitet në vazhdim, do të ishin reformimi dhe modernizimi i institucionit.

Qëllimi kryesor i propozimit të këtij ligji të ri ishte përafrimi sa më i saktë dhe i plotë i dispozitave të tij me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe me legjislacionet më të përparuara të institucioneve të huaja homologe, si dhe ndërhyrja në modifikimin, plotësimin, zgjerimin, saktësimin, ri-sistemimin dhe ndërthurjen e dispozitave të ligjit të mëparshëm organik të KLSH, i cili ishte miratuar 17 vite më parë, në vitin 1997. Ligji i ri, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 27 nëntor 2014, modernizon tërësisht veprimtarinë e KLSH, duke forcuar pavarësinë e institucionit dhe zgjeruar fushat e auditimit, me përfshirjen e auditimeve të performancës dhe të teknologjisë së informacionit, si dhe të drejtën për të audituar projektet me fondet e donatoreve, kryesisht të BE-së. Ky projekt-ligj u përgatit në konsultim të vazhdueshme e të ngushtë me ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme te Buxhetit te Komisionit Evropian (DG-Budget) dhe të Programit të BE-se dhe OECD-se për përmirësimin e qeverisjes, SIGMA. Projekt-ligji njohu një konsultim të gjere, të organizuar nga KLSH, me palët e interesit. Përveç reflektimeve të mendimeve të dërguara në rrugë zyrtare nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Integrimit, institucioni organizoi katër tryeza pune me juristë të shquar, ekspertë të së drejtës dhe profesorë të Fakultetit të Drejtësisë, me ekspertë kontabilistë dhe profesorë të Fakultetit Ekonomik, me akademikë, me përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile, si dhe me gazetarë dhe përfaqësues të medias, mendimet dhe sugjerimet e të cilëve kanë qenë një ndihmesë e madhe në hartimin e variantit përfundimtar të këtij projektligji. Në këto konsultime mori pjesë dhe Këshilltari kryesor i Drejtorit te Përgjithshëm te DG-Budget, z. Robert Gielisse, i cili dha eksperiencën e tij dhe vlerësoi projektligjin si tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t. Në hartimin e projektligjit te ri te KLSH u shqyrtuan, krahasuan dhe përshtaten një pjesë e mirë e dispozitave ligjore të disa prej institucioneve të tjera homologe të auditimit me të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ka marrëdhënie dhe marrëveshje bashkëpunimi, si NIK-u polak, Gjykata e Auditimit e Sllovenisë, Zyra Kombëtare e Kroacisë, Gjykata e Auditimit e Holandës, etj. Partnerët e KLSH, përveç dhënies së praktikës së tyre legjislative, ofruan një sërë mendimesh dhe sugjerimesh në lidhje me përmirësimin e dispozitave të këtij projektligji. Me miratimin e ligjit nr. 154/2014 KLSH ka detyrimin ligjor që në veprimtarinë e tij të reflektojë shkallën më të lartë të standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t dhe IFAC-ut si dhe rezolutat e Kongreseve të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Kjo dispozitë lejuese paraqet një risi në veprimtarinë e KLSH-së, e cila duhet të jetë koherente me praktikat më të mira ndërkombëtare në mënyrë që të jetë sa më profesionale në përmbushjen e detyrimit të saj funksional në rang kushtetues. Nga ana tjetër, ligji sjell ndryshimet e domosdoshme të terminologjisë juridike të auditimit (p.sh, ne ligjin e mëparshëm, fjala “auditim” nuk përmendej, por vetëm fjala “kontroll” dhe kontroll- revizion), theksimin e rolit dhe rëndësisë së standardeve ndërkombëtare të auditimit, rritjen dhe konsolidimin e pavarësisë së KLSH-së kusht ky i panegociueshëm për BE-në, në procesin e integrimit te vendit dhe përshtatjes se auditimit të jashtëm publik te Shqipërisë me legjislacionin evropian), zhvillimin e raporteve dhe bashkëpunimit me auditimin e brendshëm, të drejtën për të angazhuar konsulentë të jashtëm, si dhe një riformulim me modern dhe të plote të të drejtave dhe detyrave të audituesve te KLSH dhe të subjekteve të audituara.

Si një kërkesë e kohës, nëpërmjet auditimit të perfomancës, KLSH do të vlerësojë nëse programet, organizimi i punës dhe proceseve, veprimtaria dhe sistemi i menaxhimit të institucioneve publike operojnë në përputhje me parimet e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit, ndërsa me auditimin e teknologjisë së informacionit, ka si objektiv të përcaktojë nëse një sistem kompjuteri mbron asetet, ruan integritetin e të dhënave, lejon arritjen e objektivave të subjektit që auditohet, duke përdorur burimet në mënyrë efektive.

U arrit zgjerimi i  kompetencës së KLSH-së me auditivin e marrëdhënieve koncesionare, me qëllim mbrojtjen e interesit publik me synimin që të përmirësohet veprimtaria operacionale e institucioneve publike, në lidhje me shtimin e vlerës së parave publike, si dhe auditimi i procesit të mbledhjes së të ardhurave publike, duke respektuar kufizimin e mosndërhyrjes në vetëdeklarimin e subjekteve tatimore. Këto risi të ligjit të amenduar të KLSH-së, sollën që ky kuadër ligjor të jetë në përputhje te plote me standardet ndërkombëtare të auditimit te organizatës INTOSAI, si dhe me legjislacionet bashkëkohore të institucioneve homologe në vendet e tjera Evropiane dhe më gjerë.

Por KLSH-në si organ kushtetues, i nënshtrohet rregullave ligjore të shtetit të së drejtës. Në këtë këndvështrim, në ligj është parashikuar detyrimi i përgatitjes të llogarive financiare, në përputhje me legjislacionin mbi buxhetin dhe e drejta dhe detyrimi i audituesve të pavarur, të zgjedhur nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financat, por të miratuar nga Kuvendi për të audituar veprimtarinë financiare dhe menaxheriale.

Këtë ligj e kanë përshëndetur menjëherë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasada amerikane në Tiranë, SIGMA dhe DG-Budget. Përgëzime dhe vlerësime institucionit i kanë ardhur nga përfaqësues kryesorë te institucioneve partnere në Evrope.

KLSH është në procesin e nisjes së një projekti binjakëzimi IPA 2013, me vlerë 2.11 milion euro, i cili do të forcojë kapacitetet audituese të institucionit dhe do të ndihmojë në zbatueshmërinë e ligjit të ri dhe kryerjen e plotë të reformës ligjore në KLSH. Me ligjin e ri, i gjithë stafi auditues dhe ndihmues në KLSH është tërësisht i motivuar të kryejë një punë edhe më voluminoze e më cilësore sesa deri tani, në shërbim të misionit kushtetues të institucionit dhe të vizionit të formuluar në strategjinë 2013-2017 të KLSH, nën moton e INTOSAI-t: ”Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë”).