Arjan Dermiri: Sfidat dhe përgjegjësitë në Peshkimi dhe Akuakulturë

611
Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Arjan Demiri flet për kthesën që ka nisur në këta dy sektorë të rëndësishëm në Ministrinë e Bujqësisë. Në një mesazh për qytetarët drejtori Demiri apelon që të gjithë të bëhen barrierë për ruajtjen e pasurisë peshkore dhe ta shohin atë si pasuri të tyren. Ai thotë se duhet të ketë reagim të menjëhershëm e të fortë qytetar ndaj peshkimit abuziv deri me lëndë plasëse dhe helmuese që cenon jo vetëm rezervat, por edhe strukturën peshkore. Një reagim i fortë qytetar si dhe kryerja me përgjegjësi e detyrave ligjore nga ana e strukturave përgjegjëse do të përmirësonte ndjeshëm respektimin e rregullave të peshkimit, nga ana tjetër, ruajtja e bashkëveprimit me komunitetin përreth përbën një nga hallkat më të rëndësishme për një prodhim të qëndrueshëm dhe përdorim të shumfishtë të këtyre ekosistemeve duke marrë parasysh faktorët socialë, ekonomikë e kulturorë
Si paraqitet gjendja e peshkimit sot të Shqipëri?
Peshkimi është një sektor mjaft i vështirë dhe që kërkon vëmëndje të vazhdueshme pasi përbën një faktor të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit në sigurimin e mirëqenies, punësimit dhe ushqimit për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke gjeneruar të ardhura në gjithë zinxhirin e tij. Peshkimi i shërben rritjes së punësimit aktiv të popullsisë që me zënien në det, rritjen në ekonomi akuakulture, në industrinë përpunuese, në liqenet dhe rezevuaret, në bregdet dhe në aktivitete eko-turistike, si dhe në gjithë zinxhirin e aktiviteteve ndihmëse, transportuese, marketingut, apo të restoranteve dhe turizmit. Peshkimi përbëhet nga peshkimi detar dhe ai i ujërave të brendshme si në liqene, lumenj, rezervuare dhe laguna ku zhvillohet akuakultura detare dhe ajo tokësore, sidomos ajo e troftës dhe e koranit që është shtrirë kryesisht në zonën juglindore të vendit. Aktualisht flota e peshkimit detar është e përqendruar në katër portet e peshkimit: Sarandë, Vlorë, Durrës dhe Shëngjin. Flota përbëhet nga rreth 550 anije peshkimi (motobarka të vogla dhe anije të mëdha) të cilat në pjesën më të madhe janë të amortizuara dhe pak janë të nivelit bashkëkohor. Natyrisht këtu ka shumë për të bërë si në rinovimin, modernizimin ashtu dhe në riparimin e tyre. Ky sektor është relativisht i monitoruar në aspektin e licensimit dhe kontrollit të zbatimit të ligjshmërisë. 
Cilat janë disa nga ndryshimet ligjore që janë bërë në këtë sektor të rëndësishëm të bujqësisë dhe a është e domosdoshme të bëhen amendime të reja?
Legjislacioni shqiptar në fushën e peshkimit është bashkëkohor dhe bazohet mbi parimet e shfrytëzimit të rezervave peshkore në mënyrë të përgjegjshme. Parimet e përgjithshme të këtij legjislacioni mbështeten në Kodin e Drejtimit për një Peshkim të Përgjithshëm të FAO-s. Kështu, ligji i peshkimit është i vitit 2012 dhe është duke u plotësuar me aktet nënligjore si VKM apo rregullore për forcimin e luftës kundër peshkimit ilegal, të paraportuar dhe të parregullt, të cilat janë në përpunim nga strukturat përkatëse. Gjithashtu është duke u punuar lidhur me ligjin e ri “Për Akuakulturën”, i cili do t’i japë një hov të madh zhvillimit të këtij sektori në vendin tonë. 
Si funksionon kjo Drejtori nga dikasteri deri në 12 qarqet?
Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës ka për mision përmbushjen e të gjitha shërbimeve të nevojshme shtetërore që lidhen me menaxhimin e infrastrukturës dhe të dhënave të peshkimit e të akuakulturës, si dhe garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në mbrojtjen e peshkimit dhe akuakulturës në Republikën e Shqipërisë. Kështu, ajo menaxhon infrastrukturën e peshkimit, përfshirë portet dhe qendrat e peshkimit; grumbullon të dhënat e peshkimit; harton programet e ripopullimit të kategorive ujore; menaxhon qendrën dhe impiantet e midhjes në Sarandë; menaxhon ekonomitë e rasateve të peshkut në Zvezdë, Korçë, të rasateve të koranit në Lin, Pogradec, dhe ekonomitë e tjera të rasateve të peshkut. 
A i ngarkon me përgjegjësi të zgjedhurit vendorë dhe sidomos kryebashkiakët e rinj në 61 njësi të reja administrative?
Natyrisht, kryebashkiakët e rinj nuk mund të shmangen nga përgjegjësia për administrimin e burimeve ujore qoftë detare qoftë ato të brendshme që ata zotërojnë dhe një bashkëpunim institucional është i nevojshëm mes nesh si strukturë e posaçme shtetërore dhe atyre në rolin e pronarit të këtyre pasurive. Është e njohur fakti që pushteti lokal synon rritjen e numrit të licencave, si mjet për të zbutur problemet sociale dhe për të ulur nivelin e papunësisë, por kjo bie ndesh me situatën peshkore dhe me gjendjen e rezervave peshkore.
Flitet se për peshkimin ka një kujdes të madh si me financime vendase dhe të huaja: ç’mund të na thoni në këtë aspekt?
Ndër vite janë bërë investime në sektorin e peshkimit qoftë strukturore qoftë në kualifikimin e peshkatarëve, specialistëve, kapitenëve të anijeve, brigadierëve, motoristëve, rrjetapunuesve etj. Kështu me financime të IPA dhe të organizmave të tjera ndërkombëtare janë ndërtuar disa qendra peshkimi të cilat janë vënë në shërbim të Organizatave të Menaxhimit të Peshkimit, po kështu është ndërtuar Porti i Ri i Peshkimit në Durrës. Është realizuar financimi për kompensimin e TVSH së çmimit të naftës për anijet e peshkimit. Po synohet të ndërtohen merkato të tregtimit me shumicë në të gjitha portet e peshkimit, gjë që rrit cilësinë e prodhimit, vlerën e prodhimit dhe luftën ndaj tregut informal, për rritjen e shkallës së konkurencës. 
Gjithashtu është parashikuar të bëhet zgjerimi i porteve ekzistuese, ndërtimi i bankinave të ankorimit të anijeve të peshkimit në Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin, të ringrihet infrastruktura e riparimit (shkallëve), me qëllim rritjen e treguesve të gatishmërisë teknike dhe të shfrytëzimit në peshkim të flotës gjë që do të çojë në rritjen e ndjeshme të zënies së peshkut dhe uljen e kostove të prodhimit. Po kështu, monitorimi dhe kontrolli i aktivitetit të peshkimit për anijet e licensuara dhe të palicensuara në lidhje me zbatimin e ligjit dhe në lidhje me ndotjet mjedisore të ujërave kryhet me anë të sistemit të kontrollit satelitor. 
Shtypi ka denoncuar disa raste të peshkimit të paligjshëm: si keni vepruar në këto raste dhe sa i përhapur është ky fenomen?
Natyrisht edhe në sektorin e peshkimit nuk mungojnë abuzuesit e shkelësit e ligjit. Kontrolli për zbatimin e legjislacionit të peshkimit ushtrohet nga specialistët e monitorimit dhe të inspektimit të peshkimit të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në gjithë territorin e Republikës kundër peshkimit ilegal dhe të paraportuar. Gjatë kontrolleve të ushtruara në të gjithë territorin e vendit janë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore për të cilat është marrë masa përkatëse me gjobë apo edhe me sekuestrim të sendeve të përdorura për kryerjen e shkeljes ose që janë pasojë e shkeljes.
Cili është mesazhi juaj për qytetarët, por edhe për strukturat e drejtpërdrejta përgjegjëse?
Qytetarëve u bëj thirrje që të bëhen barrierë për ruajtjen e pasurisë peshkore e ta shohin atë si pasuri të tyren. Të ketë reagim të menjëhershëm e të fortë qytetar ndaj peshkimit abuziv deri me lëndë plasëse dhe helmuese që cenon jo vetëm rezervat, por edhe strukturën peshkore. Një reagim i fortë qytetar si dhe kryerja me përgjegjësi e detyrave ligjore nga ana e strukturave përgjegjëse do të përmirësonte ndjeshëm respektimin e rregullave të peshkimit, nga ana tjetër, ruajtja e bashkëveprimit me komunitetin përreth përbën një nga hallkat më të rëndësishme për një prodhim të qëndrueshëm dhe përdorim të shumfishtë të këtyre ekosistemeve duke marrë parasysh faktorët socialë, ekonomikë e kulturorë.