Jorgo Papingji: Tashmë në Shqipëri të gjithë janë bërë poetë dhe këngëtarë

974
Bisedat me Papingjin janë të vazhdueshme. Sa herë e takoj patjetër prej tij do të nxjerr thesare. Eshtë një intelektual me shpirt të thellë kritik dhe real. Kurrë nuk e mbivlerëson veten dhe është në korent të zhvillimeve të muzikës shqiptare dhe ën botë. Jorgo Papingji është një ndër personalitetet më të spikatur të poezisë shqiptare në festivalet e këngëve për fëmijë dhe të festivaleve në Radio Televizion. Aktualisht lumturohet kur fëmijët e përqafojnë për tekstet duke thënë se tashmë vetëm Festivali i Këngës për Fëmijë ka mbetur solid, i mirëorganizuar dhe me tekste nga poetë të mirënjohur. Të krijosh sipas tij, duhet të kërkosh ndaj vetes, të gjurmosh të renë, duke larguar nga vetja shabllonen. 
-Kohët e fundit është folur shumë për tekstet e këngëve, apo më mirë në poetikën e teksteve të këngëve, cili është mendimi juaj?
Për këtë problem bashkë kemi biseduar disa herë. Është një problem që tashmë nuk do të ketë zgjidhje. Në shumicën e këngëve nuk ka poezi, nuk ka varg poetic, por mund të them se ka vetëm fjali. Fjali ose një fjalë që përsëritet disa herë. E gjithë kënga mund të ketë 10 deri në 15 fjalë dhe nuk sheh asnjë varg, asnjë vargëzim poetic. Kjo sidomos tek këngët e të rinjve.
Ju thatë se kjo nuk do të ndryshojë më, pse e keni këtë bindje? 
E kam këtë bindje për vetë faktin se aktualisht si në këngët e Festivaleve në RTSH, apo dhe në aktivitete apo eventet e ndryshme të këngëve në televizione të ndryshme, nuk ka një redaksi të mirëfilltë letrare. Mungesa e kësaj redaksie domosdoshëmrisht do të çojë në këngë pa poetizëm brenda. 
Kjo do të thotë se janë shmangur poetët e mirëfilltë?
Kjo as nuk diskutohet. Madje shumë këngëtarë tashmë kanë filluar ti bëjnë vetë edhe tekstet. Kur them shumë, e them me bindje. Tek këto tekste gjen vetëm probleme sociale apo dhe tragjedi dashurie, por nuk gjen asnjë varg poetic. Ka fjali me thirrje, ka fjali apo fjalë me timbër, që në vesh nuk përcjellin asnjë ëmbëlsi. Pra deri tani shumë këngëtarë kanë qenë kantautor, tashmë janë dhe poet.

Athere çfarë ka ngelur?
Ka ngelur ajo që dhe ne poetët të bëhemi këngëtar. Pra dhe ne të bëjmë vetë tekstet, të shkojmë në një shtëpi diskogrfaike dhe të zbukurojmë zërin. Askush nuk e mendon se sa shëmtohet një këngë pa një tekst të bukur. Një këngë mbahet mend nga titulli, nga teksti, pastaj vijmë tek këngëtari dhe tek muzika. Sigurisht dje këto anë vlerën e tyre shumë të lartë. Por kur do të kujtosh një këngë nuk thua ajo këngë me tingull kështu apo ashtu, por thua kënga “Dasma”, “Dashuria”, Gjethja e dafinës”, apo shumë e shumë këngë të tjera. Teksti në harmoni me muzikën dhe këngëtarin përbëjnë një trio të pandashme që e çojnë këngën në lartësinë e duhur. Pa një nga këto element kënga bëhet e zbehtë, e venitur, pa harmoninë dhe magjinë e saj të plotë.
-E vuajnë poetët këtë?
-E vuajnë thotë. E vuajmë në aq shumë sa nuk komentohet. Kur ecim rrugës ne poetët dhe dëgjojmë diku një këngë, na tërheq menjëherë muzika, por kur dëgjojmë tekstin e shpëlarë, mbyllim sytë dhe ecim në terr. Ecim në terr pasi në këtë drejtim por ecën teksti apo poezia e këngëve shqiptare. Poetët rrallë i ftojnë të rinjtë.
-Ju nuk keni besim se një ditë do të ndryshojë gjendja?
– Nuk kam besim, ose mund të them se do të vijë shumë vonë. Ju e ndiqni Eurovizionin dhe e shikoni që bota i jep shumë rëndësi tekstit. Tashmë në Shqipëri të gjithë janë bërë poetë dhe këngëtarë. 
Po në Festivalin e Këngës për fëmijë, a ndodhin fenomene të tilla me tekstet?
– Festivali i Këngës për Fëmijë që zhvillohet në Shkodër mbetet me vlera të veçanta. Mund të them se aktualisht është i vetmi event ku shihet një profesionalizëm i lartë, korrektesë, kërkesë llogarie. Kjo nuk do të thotë se kanë qenë të gjitha gjërat me kuptime politike. Festivali i Shkodrës ka afro 5 dekada që ka marrë ekskluzivitetin e këngës dhe muzikës për fëmijë. Kjo ka ndodhur qysh në monizëm. Caktimi i këtij qyteti në atë kohë për zhvillimin e këtij festivali, nuk ka qenë vetëm shpërndarja gjeografike. Është edhe një arsye tjetër që e ka zanafillën në kulturën shkodrane, në dëshirën për muzikën që ka populli i Shkodrës, tek talentet që ka prodhuar Shkodra. Në këtë qytet është një tokë ku muzika mbillet vetiu dhe lulëzon, dhe pse mos të krijohet kujdesja që në mbjellje, që në farë që kjo të rritet e të bëjë lule. Pra Shkodra u përzgjodh si një tokë që ka talente, që e do muzikën dhe që e ka hak që të jetë aty. Tradita e asaj kohe për tekstet vazhdon edhe sot. 
-A kujtoni ndonjë moment në festivalet e fëmijëve që mes tyre ju keni qenë shumë i emocionuar?
-Ajo më ka ndjekur gjithë jetën. Unë çdo vit kam pjesmarrje në festival qoftë në atë të Tiranës qoftë edhe në atë të Shkodrës. Dhe në të gjitha rastet është bukur kur thonë që ky xhaxhi është ai që ka bërë këngën, të përqafon. Urimet e fëmijëve janë të sinqerta. Ato të gjallojnë dhe të zgjasin jetën.
-A e mbani mend poezinë e parë që keni shkruar?
-Poezinë e parë që kam shkruar e kam hedhur në fletoren e kujtimit si e quanim.
Si zjarri që le hirin 
Po lë edhe unë kujtimin
……
Në këto vargje kam hedhur dashurinë shkollore. Dhe e kam bërë si kujtim për shokun tim të klasës. Në fund e nënshkruar Jorgo Papingji, regjisor. Këtë ngjarje e mbarta me vete dhe pastaj e shkruajta në një festival të këngës për fëmijë. Kam një këngë të bërë vite më mbrapa kur kam ardhur në Tiranë, që e ka zanafillën në ato materiale të kohës së fëmijërisë
Kur ula të mendohem
Për një lodër të mendoja,
Nisa penën ta kafshoja 
Më shpëtoi një pikë me bojë
Rri mendoj e rri mendoj
si t’ja bëj njollës me bojë
Fletën e bëra pis 
si t’ia bëj 
ta fshi apo ta gris..?!
S’do ta fshij, e s’do t’a gris
fletën që e bëra pis
Përditë ta shikoj 
e më mos të gaboj
Sigal