Akuzat për diplomë false, Isufaj letër Pollos: Ndjehem e dhunuar

655
Sigal

Drejtoresha e një drejtorie në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit Ejona Isufaj, i ka dërguar një letër publike, ish-ministrit të Arsimit Genc Pollo, një ditë pas dorëzimit të padisë ndaj këtij të fundit dhe 4 personave të tjerë. Ejona Isufi shkruan në letrën e saj se ndjehet e dhunuar verbalisht në publik nga opozita, ndaj sipas saj Pollo ka djeni si ish-ministër dhe duhet të hesht ndërsa shteti po bën më në fund detyrën ndaj arsimit të lartë. Ajo shkruan se ka humbur tre vjet duke studiuar në një program të cilin qeveria e asaj kohe (kur Pollo ishte ministër i Arsimit) e lejonte të funksiononte normalisht. Isufaj gjithashtu sqaron edhe pozicionin e saj. “Unë jam drejtore e një drejtorie në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, dhe jo kryeinspektore, siç paturpësisht keni vënë tellallin ju e kolegët tuaj të partisë për ta bërë më buçitëse shpifjen tuaj.  Së dyti, për pozicionin që kam plotësoj të gjitha kriteret ligjore. Zoti Pollo, unë jam diplomuar për shkenca politike pranë Universitetit të Sienës, një nga universitetet më prestigjioze në Itali, siç me siguri e dini edhe ju”, shkruan ajo ne lëtrën e saj për deputetin e PD-së. Ndërkohë ajo nuk lë dhe pa përmendur edhe reformën në arsim, që Isufaj thotë se nuk është bërë në 20 vite.
 
LETRA E PLOTE

I nderuar Z. Pollo

Dua t’ju bëj me dije fillimisht se akuzave tuaja, bërë publikisht nga foltorja e partisë, se unë, Ejona Isufaj, paskam përdorur një dokument fals, iu përgjigja menjëherë me mjete ligjore. Por, e shoh të udhës t’jua them edhe publikisht disa fjalë, si vajzë, si qytetare e si nëpunëse e kësaj republike, e dhunuar verbalisht në publik nga opozita politike e vendit tim. Vendosa t’jua them juve se ndryshe nga të tjerë opozitarë dhunues të emrit e të dinjitetit tim gjatë këtyre ditëve, ju keni qenë edhe ministër i arsimit dhe padyshim jeni një ndër ata që më së paku duhet të heshtnin teksa shteti po bën më në fund detyrën ndaj arsimit të lartë. Faktin që unë s’kam përdorur një dokument fals, kam bindje se ju e kuptoni mjaft mirë. Ajo që ju lini jashtë vëmendjes suaj për të “argumentuar” dhunën verbale ndaj meje, është se unë ashtu si shumë të tjerë humba 3 vjet nga jeta ime, duke studiuar në një program të cilin qeveria e asaj kohe (kur pikërisht ju ishit ministër) e lejoi të funksiononte normalisht. Besoj se ne njerëzve të thjeshtë na falet të jemi edhe të shurdhër, e pafalshme është kur janë memec institucionet shtetërore, siç ka ndodhur në rastin konkret, ku në papërgjegjshmëri të plotë nuk morën atëherë mundimin të njoftonin studentët që humbnin investimin e tyre dhe kursimet e prindërve gjatë kohës që shteti flinte.

Zoti ish-ministër i Arsimit
Meqenëse keni përgojuar e përdhosur dhunshëm jetëshkrimin tim dhe vazhdoni të shpifni ndaj meje për shkak të pozicionit tim të punës, po ju sqaroj se:
Së pari, unë jam drejtore e një drejtorie në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, dhe jo kryeinspektore, siç paturpësisht keni vënë tellallin ju e kolegët tuaj të partisë për ta bërë më buçitëse shpifjen tuaj.
Së dyti, për pozicionin që kam plotësoj të gjitha kriteret ligjore. Zoti Pollo, unë jam diplomuar për shkenca politike pranë Universitetit të Sienës, një nga universitetet më prestigjioze në Itali, siç me siguri e dini edhe ju. P
or, unë dhe ju Z. Pollo i përkasim dy sistemeve të ndryshme mendimi. Ju ushqeheni duke gënjyer dhe i thoni vetes politikan, madje opozitar sot. Unë ushqehem duke punuar dhe i them vetes qytetare. Unë besoj tek shteti që nuk i shmanget përgjegjësisë, por është aty për t’i shërbyer qytetarëve. Kurse ju besoni se çdo mjet justifikon qëllimin dhe jeni gati të shpifni për një grua publikisht për të arritur qëllimin tuaj që është fitorja e një lufte të paskrupullt për pushtet.

Dhe e treta Z. Pollo
Unë kam fatin e madh të punoj sot, me përkushtim, ditë mbas dite, në një institucion i cili respekton qytetarët dhe interesohet për ta. Ky institucion quhet Ministria e Arsimit dhe Sportit që më në fund po bën atë që nuk e bëtë ju e kolegët tuaj politikanë në 20 vjet: Po u jep studentëve shqiptarë mundësinë që të arsimohen në institucione dinjitoze.Meqenëse pa dashje e pa dëshirë u njoha me ju, më lejoni t’ju jap një këshillë ju dhe kolegëve tuaj që gjithë këto ditë po bëhen gazi i botës duke dalë kundër reformës historike të arsimit te lartë.
Më mirë mos flisni kur s’thoni dot bravo për diçka të mirë që e bëjnë të tjerët. Se siç thotë ajo shprehja Zoti Pollo: “Mjerë ai që s’ka ç’thotë, por dhe s’ka aq mend sa të heshtë”.

Me keqardhje për ju,

Ejona Isufaj 

Akuza për diplomë false, Isufaj padi Pollos, Boçit dhe ‘Vitrinës’  

Pas akuzave se ka doktoratë false, drejtoresha e Drejtorisë së Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit, Ejona Isufaj ka paditur në  Gjykatën e Tiranës dhe Prokurori, kërkesën penale për shpifje ndaj: Edmond Vlashaj, përfaqësues i  shkollës së lartë private “Vitrina”;  Aldorin Braho administrator në këtë shkollë,  Pirro Cipo rektor i kësaj shkollë si dhe dy deputetë të Partisë Demokratike,  Genc Pollo e Luciano Boci. Sipas tyre Ejona Isufaj, nëpunëse e lartë e Ministrisë së Arsimit ka diplomë falso.  Pas dorëzimit të padive, ajo ka theksuar se është hedhur baltë ndaj saj pasi studimet i ka kryer në Universitetin e Sienës.  Isufaj i quajti personat e akuzuar për shpifje si, “sharlatan politik që po i bashkohen korit të përbaltjes”. “Në vitin 2005, unë si shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë (ndër ta dhe personalitete të njohura) u regjistrova në një institut për studime pasuniversitare. Mbarova studimet në vitin 2008 dhe në vitin 2012 kur tentova të njëhësoj diplomën time mora vesh që ky institut nuk njihej nga shteti shqiptar. Unë sot i kuptoj më mirë se kushdo tjetër 6000 studentët e Institucioneve të Arsimit të Lartë që humbën licencën. Vetë ata, ashtu si unë dikur, investuan kohën dhe paratë e tyre në një institucion që kryente veprimtarinë në kundërshtim me kuadrin ligjor. Diferenca midis meje dhe këtyre studentëve është se atëherë shteti nuk ishte asgjëkund për të më lajmëruar as për ligjshmërinë e funksionimit, dhe as për ligjshmërinë e mbylljes së institucionit. Ndërsa sot, 6000 studentët kanë shtetin në krah si mbrojtësin e tyre dhe si garancinë që investimi nuk do të shkojë dëm, ndryshe nga imi”, ka theksuar ajo. Drejtoresha e  Drejtorisë së Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit gjithashtu ka siguruar gjithashtu studentët e prekur nga mbyllja e universiteteve se  do të kenë shtetin në krah për tu sistemuar dhe vazhduar më tej studimet.

FJALA E PLOTE E EJONA ISUFAJ

Sot, paraqita në Gjykatën e Rrethit Gjygjësor Tiranë dhe Prokurorinë e Rrethit Tiranë, kërkesën penale për akuzën e shpifjes ndaj shtetasve: Edmond Vlashaj, Aldorin Braho, Pirro Cipo, Genc Pollo dhe Luçiano Boçi. Prej disa ditësh kam parë në media dhe ambiente publike një sulm agresiv të pavërtetë dhe fyes ndaj personit tim. Nuk kam dashur të ndërhyj deri në këtë moment për të mos përzier arritjet e Reformës së Arsimit të Lartë me çështjet personale. Por sot iu drejtova organeve kompetente sepse e vërteta duhet të shkojë para drejtësisë dhe jo fjalëve të papërgjegjshmërisë. Unë jam Ejona Isufaj. Kam studjuar në Universitetin e Sienës, (ndër Universitetet më të mira të Italisë ) dhe jam shume krenare për arritjet e mia. Në vitin 2005, unë si shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë (ndër ta dhe personalitete të njohura) u regjistrova në një institut për studime pasuniversitare. Mbarova studimet në vitin 2008 dhe në vitin 2012 kur tentova të njëhësoj diplomën time mora vesh që ky institut nuk njihej nga shteti shqiptar. Unë sot i kuptoj më mirë se kushdo tjetër 6000 studentët e Institucioneve të Arsimit të Lartë që humbën licencën. Vetë ata, ashtu si unë dikur, investuan kohën dhe paratë e tyre në një institucion që kryente veprimtarinë në kundërshtim me kuadrin ligjor. Diferenca midis meje dhe këtyre studentëve është se atëherë shteti nuk ishte asgjëkund për të më lajmëruar as për ligjshmërinë e funksionimit, dhe as për ligjshmërinë e mbylljes së institucionit. Ndërsa sot, 6000 studentët kanë shtetin në krah si mbrojtësin e tyre dhe si garancinë që investimi nuk do të shkojë dëm, ndryshe nga imi. Gjatë gjithë karrierës sime kam punuar me përkushtim dhe ndershmëri në çdo pozicion që kam pasur. Dhe sot, jam e indinjuar qe përveç sharlatanëve dhe shtetasit të cilët paguhen edhe me taksat e mia i bashkohen korit të përbaltjes. Unë i përkas një grupi prej më shumë se 40 vetash, punonjës të dedikuar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit që me përkushtim dhe kurajë morale për 6 muaj orar dhe pa orar, kryem një kontroll profesional në sistemin e arsimit të lartë. Jam sot, këtu për të çuar përpara drejtësisë shpifjet ndaj meje, me kurajën qytetare që përbaltja ndaj personit tim nuk e cënon procesin e domosdoshëm të reformimit të arsimit të lartë.