AKU e Qarkut Dibër me profil të rilindur, stafi 2 vjet veprimtari aktive e efiçente për kontrollin dhe sigurinë ushqimore

154
Po e nisim publikimin e veprimtarisë së kontrollit dhe sigurisë ushqimore në Qarkun e Dibrës, me deklarimin e thjeshtë, të qartë e realist të bërë prej drejtorit të AKU të këtij qarku, zotit Agron Cara: “Tashmë në Qarkun e Dibrës, zhvillon aktivitet të zgjedhur e të tej-ngarkuar, një treg i madh të çdo lloji e trajte produkti ushqimor, me bazë kryesore edhe prodhimin teknologjik të përpunimit agro-ushqimor vendas e të importit”. E vërteta që konstatohet në veprimtarinë e AKU të Qarkut Dibër është kjo: Si shumë qarqe të tjera si Gjirokastra, Kukësi, Korça, Vlora, Shkodra, e Lezha, dihet që edhe Dibra është një nga “portat” kryesore hyrëse të produkteve e mallrave ushqimore nga importi, duke krijuar kështu, një përzierje produktesh të cilat prej AKU Rajonale Dibër, kanë qenë e janë nën monitorim, evidentim origjine dhe natyrisht kontroll të imët, zbatimi ligjshmërie në gjithë strukturën funksionale të tregut. Në gjithë territorin e qarkut Dibër në Peshkopi, Maqellarë, Bulqizë, Mat, Klos etj, prej 2 vitesh ka një treg nën kontroll të plotë, që tregton produkte të cilat nuk futen pa u monitoruar dhe pa zbatuar procedurat ligjore të tregut e të kontrollit për sigurinë ushqimore. Këtë fakt e thonë jo vetëm shërbimet kufitare-doganore, por edhe tregtarët, të cilët deklarojnë se AKU e Dibrës është përditë brenda tregut dhe përpara “traut” të pikës së kalimit të kufirit. E po kështu, “syri” i AKU të Qarkut Dibër ka nën vrojtim të përhershëm edhe ku shkon konsumatori i përditshëm. Konsumatori në këtë qark, ndihet i sigurt në produktet që blen në treg, mbasi ka krijuar dhe po konsolidon bindjen se prej shtetit. Në rastin konkret, prej AKU të qarkut është vendosur e po vepron kontrolli i plotë dhe i rreptë mbi çdo produkt, duke hartuar e realizuar një plan veprimi të konsultuar me stafin, me bashkëpunim me subjektet tregtare e prodhuese, me bashkëpunim me qytetarët, me bashkëveprim me institucionet shtetërore lokale si tatime, shëndetësi, polici kufitare, poli rendi e sidomos me pushtetin lokal në çdo nivel rajonal. 
Deklaron Afrim Bakaj: AKU e qarkut Dibër e drejtuar nga Agron Cara, një model pune përkushtuese e profesionale
Po citojmë vlerësimin që na dhanë në Ministrinë e Bujqësisë dhe sidomos “notën” vlerësuese që Drejtori i Përgjithshëm i AKU të Shqipërisë zoti Afrim Bakaj, i vuri shërbimit të AKU të Qarkut Dibër për vitin 2015: “Nëse në strukturën shtetërore të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), ka një drejtori rajonale dhe një drejtues model të përmbushjes së detyrës administrative, me tregues bazë respektimin dhe zbatimin ligjit e vetëm të ligjit mbi kontrollin dhe sigurinë ushqimore, kjo është drejtoria e AKU e Qarkut Dibër, drejtuar me efiçensë nga Agron Cara”. Dhe këtë deklarim të drejtuesve të lartë të Ministrisë së Bujqësisë e Ushqimit dhe AKU të Shqipërisë e provon puna organizatore e bërë prej AKU Dibër. Më saktë e tregon kualiteti organizativ i zotit Agron Cara, këtij drejtuesi të përkushtuar, kërkues, bashkëpunues me vartësit, me tregun, me prodhuesin, me institucionet e qeverisjes dhe pushtetit lokal deri edhe me atë shitësin e rrugicës, të lagjes, të fshatit, të tezgës, duke pasur si objektiv final të çdo ore, dite, jave, muaji e viti vetëm një synim: Garantimin e sigurisë ushqimore në tregje, në kufi-doganë, në prodhimin vendas brenda e jashtë Qarkut të Dibrës. Por ka edhe një realitet tjetër kuptimplotë të e cilin kreu i AKU të Dibrës, zoti Agron Cara e deklaron me emocion dhe krenari e vlerësim. Ai thotë: “Ndryshimi i fizionomisë së AKU të Dibrës dhe bilanci pozitiv që sot kemi arritur dhe që ndihemi krenar ta publikojmë, kam detyrimin ta pranoj publikisht se është kontribut, sakrificë, guxim, ndershmëri, pasion dhe vendosmëri edhe mbinjerëzore e gjithë stafit të AKU që unë drejtoj, të cilët i përshëndes nëpërmjet gazetës “Telegraf” jo si vartës, por si bashkëpunëtor dinjitoz, profesional e aktiv të cilën kanë bërë të mundur, që konsumatori i qarkut të ndihet i sigurt për çdo produkt që blen në treg qoftë prodhim vendas, qoftë prodhim importi. Mjafton të vëzhgosh punën e inspektorëve të AKU në tregje e qendra prodhimi dhe konstaton se AKU bënë kontrollin e çdo “grimce” që quhet ushqim për popullatën, që quhet lëndë e parë për prodhim ushqimi për njerëzit, të çdo produkti që quhet ushqim për kafshët që përdoren për mish, qumësht e nënprodukte, për lëndët ndihmëse që përdoren në bujqësi, si psh., pesticidet dhe përbërësit e tjerë. 
Flet Agron Cara: AKU-Dibër, përmbushi me sukses planin vjetor 2015 të inspektimit dhe sigurisë
Edhe AKU e qarkut Dibër, në bazë të një plani inspektimi vjetor (të ndarë në 4 pjesë nga 3 muaj), miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në drejtimin zotit Afrim Bakaj, ka kryer në njësitë e prodhimit dhe tregtimit të bukës, embëlsirave, “Fast-Food”, bar-kafe, supermarkete e minimarkete ushqimore, magazina ushqimore, mensa e salla ngrënie konviktesh, kopshtesh çerdhesh të fëmijëve, kuzhina paraburgimi, thertore e dyqane mishi, farmaci bujqësore, pika shitjeje pesticidesh, farëra etj. Në këtë volum kontrolli, vështirësia e inspektorëve ka qenë dhe mbetet terreni malor dhe shtrirja e madhe e tregjeve dhe qendrave të banuara që konsumojnë në këto tregje, por edhe nga prodhimet artizanale të zonave që banojnë. Këtë vështirësi të madhe dhe reale, punonjësit dhe drejtuesit e AKU të Dibrës e kanë përballuar me profesionalizëm e sakrifica, duke u gjendur shpesh, përballë kundërvëniesh prej subjekteve, apo tregtarëve abuzues. Por gjithsesi, krahasuar me vitin 2013 kur nisi “rilindja” e AKU e qarkut Dibër, mund të thuhet bindshëm, se në kontrollin ushqimor në qarkun Dibër, janë arritur tregues të lartë pozitiv për sa i përket forcimit të kontrollit në çdo gjë e kudo ku tregtohet, apo prodhohet e futet në kufi një produkt ushqimor, sidomos bagëtitë. Kujtojmë, që inspektimet e kryera në këto subjekte janë bërë në bazë të kategorizimit me nivel risku të ulët, të mesëm e të lartë. Përveç inspektimeve të planifikuara, janë kryer inspektime të OBU-ve edhe jashtë këtij plani si për sezonin veror, dimëror dhe raste të veçantë të denoncuara, por dhe këto ditë të tej ngarkuara me treg e konsumator masiv që prodhon, importon, shtet e blen për periudhën e festave të fund-vitit 2015 (Viti i Ri).detyra e inspektorëve të AKU-Dibër është kjo: ndjekja në vazhdimësi e zbatimit të detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme, këshillime mbi sigurinë ushqimore, masa administrative dhe zbatimi i udhëzimeve që janë dhënë nga Ministria e Bujqësisë dhe AKU e Shqipërisë, por edhe kontrolli në bashkëveprim me institucionet e tjera ligj-zbatuese lokale në qark, bashki e zona. Janë identifikuar të gjithë operatorët e biznesit ushqimor importues, tregtues e prodhues, të cilët operojnë në rrugë informale, të pa regjistruar në QKR. Këta janë raportuar pranë Inspektoratit Qendror Shtetëror, pranë policisë, pranë shëndetit publik, pranë policisë kufitare dhe Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave. 
Ja 10 nga problemet kryesore, mbi të cilat ka vepruar AKU
1. Prodhime ilegale në zona ku prej vitesh nuk ishte bërë asnjë inspektim, apo nuk kishte informacion
2. Tregje mishi jashtë kontrollit në fshatra e madje në qytet, që vepronin në mjedise anti-higjienike
3. Mos-pajisja e punonjëseve me libreza shëndetësore apo përdorimi i librezave me afat të përdorimit të tejkaluar.
4. Tregtimi i bukës dhe produkteve të tjera pa ambalazh
5. Tregtimi i bulmetrave dhe mishit në mjedise pa ftohje
6. Therjet e bagëtive pa kontroll dhe certifikim veterinar
7. Vendosja e produkteve ushqimore në dysheme jo mbi paleta druri ose në rafte në markete dhe në njësitë e tregtimit .
8. Tavane dhe mure me lagështirë e të palyera të cilat janë të papërshtatshme për mbajtjen e produkteve ushqimore.
9. Mungesa e fletë analizave dhe dokumenteve shoqëruese për produktet ushqimore që tregtohen .
10. Urdhër për vendosje kontenierë mbeturinash me kapak.
Ja 5 sektorët përcaktues, sipas të cilëve ushtron veprimtarinë AKU-Dibër
Mbështetur në strukturën e miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme, Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Dibër, operon në punën e saj në pesë sektor.
1- Sektori i Inspektimit me Origjinë Shtazore.
2- Sektori i Inspektimit me Origjinë Jo Shtazore.
3- Sektori i Inspektimit të Mbrojtjes së Bimëve dhe Inputeve Bujqësore
4- Sektori i Shërbimeve të brendshme.
5- Sektori i Inspektimit Kufitar si pjesë e tre sektorëve të mësipërm.
Bilanc punësh që “flasin” për drejtim të aftë dhe staf kualitativ, strategji e re kontrolli për fund-vitin
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Qarkun e Dibrës këto dy vitet e fundit ka punuar në mënyrë intensive në drejtimin e inspektimit e sigurisë ushqimore. Motoja e punës së kësaj drejtorie ka qenë dhe do të mbetet “ushqim i sigurt, shëndet dhe jetë” e cila ka bërë të mundur bashkëpunimi me strukturat e bashkisë dhe inspektoratet e tjera për të pasur një sa më të sigurt për konsumatorin Dibran. AKU-Dibër këto dy vitet e fundit ka pasur një perfomancë të shkëlqyer në zbatim të ligjeve që operojnë në fushën e ushqimit. Numri i inspektimeve me 2013 është dyfishuar. Janë shtuar mbi 100 subjekte të reja që inspektohen, të cilat kishin qenë jashtë fokusit të kontrollit. Megjithëse jemi një Qarku me shtrirje të gjerë gjeografike dhe me një terren malor tepër të thyer, inspektorët tanë kanë bërë të mundur inspektimin dhe licencimin e baxhove sezonale si në Kraj Reç, në Kala te Dodës rrëzë malit Korabit dhe në Martanesh. Të gjitha subjektet prodhuese, si psh., të lëngjeve të frutave, përpunimit dhe tharjes së frutave, prodhimit të jufkave (si ushqim tradicional të rrethit Dibër) prodhuesit e bukës etj, kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet e prodhimit dhe të tregtimit (konformë standardeve). Kontrolli i rrepte bëhet edhe për farërat, fidanët e plehrat të përdorimit për bimësinë, duke pasur prioritet prodhimin agro-ushqimor në stabilimente e linja përpunimi apo dhe në mënyrë artizanale (punishte) prej prodhuesve familjarë. Një nga drejtimet kryesore të punës së AKU të qarkut Dibër ka qenë dhe mbetet, platforma që theksohet shpesh e me prioritet nga Ministri i Bujqësisë dhe ushqimit, Prof. Edmond Panariti, i cili është ky: Ndërgjegjësimi i konsumatorit për kontrollin e produkteve, si elementë që i pret rrugën tregut dhe prodhimit me rrezik për shëndetin dhe jetën e popullatës. 
Pika kufitare e Bllatës, “porta” ku produktet e importit kalojnë në “filtrin” e AKU
Dibra ka një portë hyrëse të mallrave nga republika e Maqedonisë në drejtim të Shqipërisë që është Bllata. Në ktë pikë doganore importohen kryesisht miell gruri, birrë, rrush tavoline dhe për përpunim, fruta dhe perime të freskëta etj. Inspektorët e PIK Bllatë kanë punuar intensivisht në kontrollin e identitetit dhe atë analitik. Në mënyrë të vazhdueshme kontrollohen dhe monitorohen ushqimet për konsum vetjak, vetëm importi i miellit zë sa 30% të prodhimit të grurit si qark. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë dhe frytdhënës me inspektorët e doganës dhe strukturat e tjera që operojnë në doganë. Kemi mbajtur lidhje koherente me të gjithë subjektet importuese. 
Në kuadër të ndërgjegjësimit të konsumatorit si dhe evidentimin e problematikave të hasura, në zbatimit të legjislacionit në fuqi, janë realizuar takime të ndryshme me prodhues, tregtarë dhe konsumator të qarku Dibër. 
Therja dhe tregtimi i mishit, “rend dite” në AKU-Dibër dhe debat me institucionet bashkëpunuese
Një nga treguesit e rëndësishëm të AKU-së Dibër ka qenë marrja e masave të menjëhershme për disiplinimin e procesit të therjes dhe të tregtimit të mishit. Janë bërë takime të shpeshta me ish kryetarët e qeverisjes vendore të Bashkisë Klos dhe Komunës Maqellarë për sistemimin e tregjeve dhe sot si rezultat i punës së AKU-së Dibër si Klosi dhe Maqellara janë nën kontroll dhe tregtimi i mishit shitet në vende të përshtatshme. Janë eleminuar të gjitha therjet e rrugëve (me përjashtim të ndonjë rasti sporadik të rasteve të festave tradicionale). Therja bëhet në thertore dhe pikat e therjes së licencuara. Janë inspektuar në mënyrë rigoroze dhe pa toleruar aspak të gjitha subjektet që operojnë në qarkun tonë, sidomos subjektet që shfaqin risk të lartë për konsumatorin duke verifikuar origjinën dhe cilësinë e të gjitha produkteve që gjenden në treg. Me tolerancë zero janë kontrolluar dhe ndëshkuar të gjithë abuzuesit apo bashkëpunëtorët të cilët janë munduar të sjellin në tregun tonë produkte ushqimore të pa sigurta ose të pa shoqëruara me dokumentacionin përkatës sipas ligjeve në fuqi. Drejtimi kryesor ka qënë dhe mbetet kontrolli i rreptë dhe rigoroz në tregun e bagëtive të kafshëve dhe shpendëve të gjalla, që përdoren për mish, në thertore e pulari. Eleminimi nga tregu i produkteve që i ka përfunduar afati kohor për konsum si dhe largimi i subjekteve që tregtojnë në informalitet.
Struktura e AKU-Dibër, çdo ditë në çdo treg e në pikën doganore kufitare
AKU e qarkut Dibër ka një parim pune konkret që e zbaton, ose më sakt që më të e nis punën çdo ditë: Ajo shkon përditë dhe zbaton detyrën e ngarkuar me ligj, kudo ku prodhohet, transportohet, importohet, eksportohet, përpunohet e tregtohen produkte ushqimore. Drejtuesit, bashkëpunëtoret, ekspertët dhe inspektorët e AKU të Qarklut Dibër, gjenden përditë me veprimtarinë e tyre në tregje, doganë, pikë kalimi kufiri dhe qendra prodhimi të produkteve ushqimore që ushtrojnë aktivitet në këtë qark. Nga vrojtimet në tregjet e vogla e të mëdha publike dhe nga testimet e bëra me konsumatorët (qytetarët), rezulton se veçanërisht gjatë viteve 2014-2015, AKU e qarkut Dibër po vepron aktivisht dhe me eficensë brenda “botës” së prodhim-tregtim-konsumit ushqimor. Këtë realitet ndryshimi e konfirmojnë së pari qytetarët, tek të cilët përditë e më tepër në dy vitet e fundit, po krijohet e po fiksohet bindja e qëndrueshme, se kontrolli shtetëror ndaj ushqimeve është prezent e veprues, pa asnjë tolerancë, duke gjurmuar çdo produkt e qëndrim abuziv me to, duke ndëshkuar e bllokuar abuzuesit për cilësinë, me skadencën, me sigurinë dhe ligjshmërinë e prodhimit. Kjo është realizuar prej stafit të AKU, por edhe në bashkëpunim me institucionet e tjera kontrolluese e ligj-zbatuese të pushtetit qendror dhe lokal që kanë tregjet në territorin e tyre administrativ, sidomos bashkitë Peshkopi, Klos, Bulqizë e Burrel.