Ministri dhe drejtori rrugëve inspektojnë muret e lyera me bojë si sinjalistikë

573
Plot 8 miliardë lekë do të përdoren si fond nga buxheti shtetit për sinjalistikën rrugore, duke e nisur punën nga aksi rrugor Rrogozhinë -Kapshticë. I shoqëruar edhe nga drejtori ARRSH, kreu i Ministrisë Transporteve Edmond Haxhinasto, në fundjavë ka udhëtuar, ndaluar dhe promovuar pothuajse në çdo 5 apo 10 km, nisjen e një “investimi shumë të rëndësishëm” sipas tij, me një vlerë prej 8 miliardë lekë nga qeveria për të pajisur me sinjalistikën e nevojshme rrugët, investim që ka nisur me aksin rrugor nga Rrogozhina deri në Kapshticë. Prej disa ditësh Haxhinasto kishte kërkuar nga televizionet lokale në Peqin dhe Elbasan, të ishin prezentë me grupet e tyre të xhirimit, për tu ndalur atje ku automjeti i mbushur me punëtorë, me fuçi boje të ngjyrave të ndryshme, do të ndalej dhe do të lyente fasada muresh, apo shtyllash, e cila u prezantuan nga ministri dhe drejtori rrugëve si “sinjalistika e rinovuar”. Ministri Haxhinasto dhe drejtori ARRSH, nga e premtja deri të djelën në darkë, kanë mbushur pothuajse të gjitha edicionet e lajmeve në televizionet e qyteteve përgjatë aksit rrugor Rrogozhinë-Elbasan madje me komente të gjata nga gazetarët lokalë, duke tejkaluar çdo minutazh që përcakton lajmin në ekrane. Nga Bishti i Zhurit në Rrogozhinë dhe deri në hyrjen e Elbasanit, nga automjeti gjigand i mbushur me bojra dhe një dyzinë punëtorësh, u lyen me bojë të bardhë dhe ngjyra të tjera vezulluese, fasada muresh, mbrojtësesh prej betoni, shtylla, madje edhe gardhiqe servisesh, duke u prezantuar si “sinjalistikë e nevojshme për jetën e shoferëve”. 

Fakti është se aksi rrugor nga Rrogozhina në Elbasan dhe deri në Kapshticë, realisht e ka në pjesën më të mirë të saj sinjalistikën, pohim ky i marrë nga policë të Qarkullimit Rrugor nga Drejtoria e Policisë Elbasan, dhe komisariatet e Peqinit, Librazhdit, etj. Por duhej që këtë fundiviti, qeveria t’i jepte edhe 8 miliardë lekë Ministrisë Transporteve dhe ARRSH për të “rinovuar” sinjalistikën e rrugëve”, duke e nisur investimin nga aksi rrugor Rrogozhinë- Kapshticë. Fakti është se pavarsisht se sinjalistika akzistuese është në shumë vende të këtij segmenti e dëmtuar, ajo ndoshta ka nevojë vetëm për rinovime të pjesshme, si zëvëndësim tabelash, por kurrsesi lyerje fasadash me bojra për ti prezantuar si “sinjalistikë”. Ata shoferë që udhëtojnë shpesh në aksin rrugor Rrogozhinë-Elbasan dhe deri në Kapshticë, e dinë fare mirë se shenjat dalluese dhe sinjalistika rrugor nuk mungon, ndërkohë që me 8 miliardë lekë i bie të ndërtosh dhe instalosh një sinjalistikë të re dhe moderne nga e para në gjithë Shqipërinë dhe jo ta arnosh atë. Tek vendi i quajtur “kthesa e Paprit” ministri dhe drejtori rrugëve, asistuan në momentet kur punëtorët po lyenin fasadën e një muri mbajtës të ndërtuar 10 vite më parë nga firma ndërtuese e atij aksi rrugor. Ata e lyen me bojë të bardhë një gjatësi prej 100 metrash dhe kjo ndoshta u quajt “sinjalistikë”, ndërkohë që vendi i quajtur “kthesa e Paprit” ka nevojë për shtylla ndriçimi, dhe sinjalistikë tjetër të domosdoshme dhe jo për fasada të lyera me bojëra.

 Duke vazhduar edhe më tej, në hyrjen e Elbasanit, daljen apo vazhdimin drejt Librazhdit, tabelat sinjalizuese nuk mungojnë, por gjithsesi edhe atje nuk do të mungojnë lyerjet me bojë të mureve mbajtës dhe fasadave të tjera, për ti bërë të dallueshme nga shoferët ditën dhe natën. Në prononcimin e tij për mediat Haxhinasto nuk tha asnjë fjalë për ndriçimin e rrugëve, kërkesë kjo e vazhdueshme nga shoferët dhe sektori Qarkullimit Rrugor, apo për riparimin e urave që kanë mbetur pa krahë dhe po prishin makinat në akset e reja rrugore dhe ato ekzistuese. Lyerja e mureve buzë rrugës nuk quhet sinjalistikë rrugore, ajo thjesht zbukuron fasadat dhe huton më shumë shoferët tek i shmangen gropave dhe kanaleve në akset rrugore, që kanë mbetur larg standardeve.
Sigal