Abuzimet e Tafajt, Veliaj: Do të paditet sapo auditi të mbarojë punë

63

TIRANE – Qeveria shqiptare, dhe më konkretisht Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë do të dorëzojë shumë shpejt një kallëzim penal ndaj kryetarit shoqatës së të verbërve Sinan Tafaj për abuzimet që ky i fundit ka bërë me fondet e dhëna nga qeveria për këtë kategori të qytetarëve. Deklarata erdhi nga vetë Ministri Erion Veliaj, i cili i ftuar në studion e televizionit A1 Report, theksoi se kallëzimi penal do të dorëzohet sapo të mbarojë punën grupi i auditit për abuzimet e kryera me fondet e qeverisë.  Dje, gazeta “Shqiptarja.com”, publikoi faktet për abuzimet e kryera nga Tafaj, të cilit iu dhanë nga qeveria për ndërtimin e një qendre për të verbrit në Vaqarr, qendër kjo e cila nuk u hap asnjëherë. Lidhur me këtë fakt Ministri Veliaj tha se auditi i ngritur nga dikasteri që ai drejton, ka zbuluar se gjendja është më e rëndë nga sa ishte paraqitur fillimisht, ku siç theksoi ai që në ditën e parë të punës së bërë nga auditimi, u zbulua edhe një abuzim tjetër në vlerë 2.3 milionë dollarë i dhënë nga qeveria për menaxhimin e qendrës, duke e çuar shifrën e abuzimit në një vlerë rreth 3.4 milionë dollarë. “Duhet ta pranojmë se nga media juaj morëm vesh lajmin pasi nuk ka arkivë fare, dhe ngritëm një grup auditi, por gjërat janë edhe më keq se sa është dhënë në mediat tuaja. Zbuluam se qeveria ka dhënë edhe 2.3 mln dollarë për menaxhimin. 3.4 milionë dollarë mua më duket një shumë e madhe për një vend të varfër. Auditi gjeti që në ditë të parë që gjendja është edhe më e rëndë dhe do të bëhet procedim penal. Ne kemi lëshuar procedim edhe për një mjek që ka lëshuar një recetë kempi, dhe jo më për abuzime miliona dollarësh.” theksoi ministri Veliaj Për këtë, Veliaj tha se do të dorëzohet një kallëzim penal ndaj Tafajt në Prokurori, ku kjo e fundit sipas ministrit duhet të zbulohjë edhe rrugët e pastrimit të parave të përdorura nga kreu i shoqatës së të verbërve.  “Nuk e kam idenë dhe nuk më intereson dhe për sa kohë po vuajnë njerëz prej këtij monopoli do të bëjmë një procedim penal. Reagimi i parë është që për të mos ju hedh sy njerëzve, qartazi kjo nuk është historia e një personi që nuk ka bukë për të ngrënë. Ky me sa duket milionat e dolarëve po i ngurtëson diku tjetër dhe jo tek të verbrit. Do të pres auditin për të proceduar të plotë padinë. Unë gjykoj që ka një hapësirë në të gjitha strukturat e pastrimit të parave, por do të jetë Prokuroria që do të bëjë hetimet pasi të dorëzojmë padinë.” nënvizoi Veliaj
“33% e listës së PAK janë fiktivë, proteston kujt i shkelet kallo”
Lidhur me protestat e organizuara dje nga Persona me Aftësi të Kufizuar për kundërshtmin e projektligjit të kategorisë së cilës ata i përkasin, Veliaj tha se kjo protestë ishte sipas tij e atyre personave që siç i cilësoi ai “u shkelet në kallo.” Ai u shpreh se në listën e personave me aftësi të kufizuar janë gjetur shkelje duke shtuar se edhe raportet e Bankës Botërore kanë zbuluar se 33% e personave në listë janë fiktivë.  Ministri nënvizoi se sa për çdo shtim fiktiv në listë është lënë jashtë një perosn vertët nevojtar, dhe ligji i ri synon pikërisht të përmirësojë këtë aspekt.  “Së pari duhet të kthehem një sekondë mbrapsht, protestat nuk janë shenjë e keqe, ka reagime se është një reformë e mirëfilltë. Kjo reformë shkel në kallo të disa njerëzve, ka kosto të disa njerëzve që kanë bërë shkelje dhe abuzime. Si mbërritëm deri këtu? Po shkonim në një situatë ku skema shkon jashtë kontrollit. Vetë Banka Botërore në raport thotë se 33% e listës na rezulton fiktive. Si ka mundësi në vitin e fundit elektoral rritja e bazës u bë me 12% ndërsa në vitin tonë u ul me 2%. Kjo do të thotë se ka pasur abuzime. Për çdo njeri fiktiv që futet në skemë është lënë dikush jashtë që e meriton dhe janë nevojtarë.” tha ministri
“Ligji i ri shton të drejtat, jam konsultuar edhe me tre drejtuesit e PAK”
Duke shpjeguar risitë që sjell projektligji në fjalë, Veliaj vuri në dukje se ai nuk sjell kufizime të të drejtave por përkundrazi shtim të tyre. “Tanimë nuk ka status të veçantë por të gjithë kanë status. Një njeri që ka 30% verbëri dhe një 100% nuk mund të marrin të njëjtën pagesë. Do të bëhet edhe kjo lloj ndarje. Ligji i ri nuk i kufizon të drejtat i shton. Për kategoritë në nevojë ndihma do të shtohet. Ajo që protestohet është se ata që janë në shoqatë kanë shtuar njerëz fiktivë. Si mund të jesh kryetar i të verbërve dhe të gjykosh një të verbër kur vetë nuk sheh.” u shpreh Ministri i Mirëqënies Sociale, duke shtuar se për këtë projektligj, është konsultuar edhe me të tre drejtuesit e shoqatave të PAK dhe është sërish i gatshëm të takohet me ta. “Edhe fakti se po bëjmë këtë debat tregon se sa ka ecur shoqëria kur po flasim për zgjerimin e të drejtave. Me të tre drejtuesit e shoqatave kemi pasur konsultime. Është njësoj si ti thuash dikujt që ka monopol do të kesh konkurencë. Procesverbalet janë aty ne i kemi pasur prezentë. Deklarata e FMN për mbështetjen e këtij ligji erdhi dy ditë para prezantimit të tij në komision. Të tre drejtuesit e shoqatave i kam takuar vetë. Abdullah Murri më mbështeti, jam gati ti pres vetë, i kemi pritur çdo javë. Natyrisht kur dikush kërkon një sjellje monopoliste unë jam për të mbështetur interesin e shoqërisë civile.” tha Veliaj
“Totozani ka qenë në konsultimet e ligjit, të qëndrojë krah personave në nevojë e jo abuzuesve”
Ministri Veliaj foli edhe për Avokatin e Popullit Igli Totozani ku u shpreh se pavarësisht deklaratave të këtij të fundit se nuk ka qenë në konsultimet e projektligjit për personat me aftësi të kufizuar, sipas Veliaj janë procesverbalet që e vërtetojnë prezemncën e tij.  Veliaj i bëri apel Totozani që të qëndrojë në krah të personave në nevojë dhe jo sipas tij krah abuzuesve.  “Avokati i popullit thotë se nuk ka qenë por është e vërtetuar nga procesverbalet se ka qenë prezent në konsultimin e këtij projektligji.  Kam një pyetje për Avokatin e Popullit, e kuptoj që ndihmon të përndjekurit që nuk kanë bërë asnjë ditë burg, që ndihmon bosët e shoqatave për financimet dhe se si kanë dhënë aftësinë e kufizuar, po për njerëzit e ndershëm çfarë do të bëhet? Unë kam zgjedhur të jem me një shumicë me të drejtë morale që rri e nuk bën zhurmë se një pakicë abuzive që bën zhurmë.” u shpreh Ministri
“Do dëmshpërblehen ish-të përndjekurit e gjallë, axhendën politike nuk mund ta caktojnë karagjozët”
I pyetur lidhur me dempshërblimin e ish-të përndjekurve politikë, Veliaj ripërsëriti se në qendër të ligjit janë shpërblimi për ata persona të gjallë që ende nuk kanë marrë asnjë këst, dhe pikërisht këtë po bën qeveria. Sa i përket kundërshtimit që i bëhet këtij ligji nga një pjesë e përfaqësuesve të kësaj kategorie, ministri tha se axhenda politike nuk mund të përcaktohet nga karagjozë, pasi sipas Veliaj ata ende nuk kanë shpjeguar arsyet se pse janë kundër. “Të thuash që nga 13 mijë dosje 4 janë të palumtur, personat që përmende janë kundër njëri tjetri. Axhenda publike nuk duhet caktuar nga karagjozë. Nuk donin ligjin e vjetër se donin për ata që janë gjallë, e ndryshuam tani janë prapë kundër. Axhendën s’mund ta bëjnë karagjozët, nuk mund të paguhen nipat e mbesat e pas ‘90 se nuk ka sens nuk është njerëzore. Mundohemi që atë që kemi ta dajmë në mënyrë proporcionale. 2000 vetë ishin pa asnjë këst, dhe tani do ta marrin gratë, të moshuarit. Pjesa e shëndoshë ka kërkuar 23 vjet, si mund të trajtohet njësoj një që ka vuajtur dënim dhe një që ka lindur pas ‘90, ca njerëz mund të protestojnëq edhe përsport. Shoqëria duhet të udhëhiqet nga logjika. Ata që kanë bërë burg do të marrin përparësi para nipave e mbesave pas ‘90. Ky është ligji, shpërndarje si këta me 3 milionë dollarë për qendrën unë nuk bëj. Pse janë kundër duhet të pyesni ata. I dëgjoj shpesh por akoma nuk kanë sqaruar pse janë kundër, nuk gjejmë asnjë arsye. Kemi bërë në 300 ditë pagesën e atyre që nuk kishin marrë asnjë qindarkë. Kush është gjallë do të marrë paratë.” tha ai
“Tashmë pensionet do jenë më të larta, skema aktuale drejt falimentit”
Ndërsa sa i përket ligjit të ri për pensionet, Ministri Erion Veliaj shpjegoi se në bazë të ligjit në fjalë shmanget falimentimi i skemës aktuale, ndërsa shtoi se pensionet do të jenë më të larta, duke u bazuar në vitet e punës së bërë. Veliaj ripërsëriti se efektet pozitive të këtij ligji do të ndihen që nga 1 janari i vitit të ardhshëm.  “Efektet e para pozitive do të ndihen në 1 janar, pensionet për pagë minimale të mesme e të lartë, do të bëhet gradualisht që edhe diferenca të mos ndihet, skema është shpërblyese dhe u provua në të tre komisionet parlamentare. Sot pensionet po bëheshin qesharake. Do të shkonte ku të gjithë të merrnin 5 mijë lekë. Për të shmangur falimentin futëm një skemë të re. Pension social + vitet e punës dhe % shtesë, formula është 66.5 mijë lekë + vitet e punës, dhe kjo jep një pension mbi 240 mijë lekë. I njëjti person për të njëjtat vite pune do të ketë shpërblim më të lartë se tani. Këtë pension që sot konsiderohet luks e merrje deri tek rroga 380 mijë lekë, sot ka rreth 5 mijë persona që paguhen mbi 2000 euro në muaj. Më përpara ishte më e lehtë për të bërë hile, tani nëse e bën i bën dëm vetes, jo skemës, sepse do të paguhet në bazë të pagës së marrë.” u shpreh Veliaj Ministri shpjegoi edhe ndryshimet e moshës së daljes në pension si për burrat ashtu edhe për gratë. Ai tha se për herë të parë është futur edhe pensioni social që do të sigurojë edhe minimumin jetik për 500 të moshuar, ndërsa është parashikuar edhe shpërblim për ata persona që duan të vijojnë të punojnë pavarësisht se kanë mbushur moshën për të dalë në pension.  “Për herë të parë kemi futur edhe një nocion tjetër që është pensioni social. Brezi i ri që do të dalë në pension, janë 500 mijë të moshuar do të marrë një pension social, nuk është luks, por për ata fatkeq në do tu japim një pension për të siguruar minimumin jetik. Efeket e kësaj skeme do të ndihen tek ata që janë krahu i punës. Mosha për burrat nuk rritet deri në vitin 2032, ndërsa në vitin 2032 rritet me 1 muaj,  për gratë vetëm me dy muaj, por masa do të prekë vetëm ata që kanë lindur nga viti 69 e më tej. Për të inkurajuar personat që duan të punojnë edhe më tej ju japim përqindje shpërblim. Më përpara kjo nuk ishte.” shpjegoi ministri
“Në 300 ditë bëmë më shumë se premtuam por jemi akoma larg ambicieve”
Duke folur për 300 ditët e para të qeverisë, ministri theksoi se është bërë shumë më tepër nga sa ishte parashikuar ndërsa shtoi se ka akoma shumë për t’u bërë. Veliaj tha se kabineti qeveritar aktual po bën maksimumin dhe sipas tij nuk ka asnjë arsye për ndryshim të këtij kabineti. “Eshtë tejkaluar çfarë premtuam, jemi shumë larg ambicieve, me një ekip të tillë duhet të kesh ambicie yjet që të kapësh hënën, ne bëmë më shumë se sa premtuam. Nuk duhet reformatim i kabinetit, të gjithë kolegët bënë maksimumin, çdo qeveri krahasohet me paraardhësin, ne po bëjmë shumë më shumë se më përpara, ka një performancë shumë të lartë se më parë.” përfundoi Veliaj