Sigal

“Nëse duam që gjithçka të qëndrojë siç është, duhet që gjithçka të ndryshojë”- thotë Tancredi, personazhi i Giuseppe Tomasi di Lampedusa në romanin “Gattopardo”. Një përpjekje për të përshkruar qasjen e klasës së vjetër drejtuese që lëndimthi kërkonte t’i përshtatej një realiteti në kapërcyell, midis epokës së Burbonëve dhe Italisë që po lindte si pasojë e procesit të unifikimit. Një frazë që mbart skepticizmin e atyre që nuk besojnë në ndryshim dhe, me mjeshtërinë e kameleonit, bëhen profetë të transformimit.

Një linjë që gjen jehonë edhe në ndryshimet zhurmëmëdha të bëra nga Kryeministri Rama ditët e fundit të 2018; një valser emrash i orkestruar enkas për të ndalur rrokopujën e prurë nga studentët. Tentativë për të ngjizur shpresën se gjërat po ndryshojnë; sigurisht veç në sipërfaqe, pasi synimi i vërtetë, që të gjithë kuptuan, ishte vazhdimësia nën të. Një vazhdimësi që ndeshet te profilet e të ardhurve, dhe justifikimet ngadhënjyese ndaj të ikurve. Nga shumë krahë u ngrit një paralelizëm midis Ramës dhe Kaligulës, dhe kalin që perandori bëri senator. Mirëpo, ndonëse mund të gjejmë te Kryeministri trajtat e një udhëheqësi autoritar, i cili emëron sipas vicklave të tij, është fatkeqësi që të gjejmë trajtat e kuajve, në këta njerëz që flenë në këmbë si njëthundrakët përballë tij. Dhe nëse Kaligula bëri kalin e tij senator, Rama bëri disa burra dhe gra kuaj nën frerët e tij të serta. Prandaj këtu faji nuk mund të jetë vetëm i Ramës, dhe i atyre që e lejojnë ecejakun e ministrave, pa shprehur një mendim politik ndryshe nga ai i kreut të PS-së, por edhe i të emëruarve, të cilët hungërijnë nga kënaqësia e kapistrës që po iu ulet mbi krye.

Rasti më befasues i “Rama treshit” është ai i Gent Cakaj, 28 vjeçari që nuk ekzistonte përpara një viti, të cilit Kryeministri i dha çelësat e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, por që sot Presidenti i Republikës i tregoi stolin e pritjes. Me sa duket, edhe një herë, pas rastit Lleshaj, Meta do të kryejë ‘vettingun” e tij, që i lejon mungesa e Gjykatës Kushtetuese, mbi motakun e Ramës dhe karrierën e tij të rrufeshme. Ndaj këtij djali, që shkon të zëvendësojë një ministër me të njëjtën dëlirësi me të cilën merret vendi i atij që mungon në një lojë futbolli midis shokësh, reagimet kanë qenë të shumta. Sigurisht, jo pa arsye. Për sa i lëçitur, i mirë arsimuar dhe simbol i tokës nga e cila vjen, nxitimi në emërim dhe në moshë, përbën një rrezik shumë të madh. Jo vetëm sepse do të duhet të ulet në tavolina të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë, në të cilat kuvendin e bëjnë njerëz me eksperiencë dhe me këllqet që ajo të dhuron ndër vite; por edhe për shkak të faktit se, moralisht, ai nuk përfaqëson askënd, dhe nuk mban përgjegjësi përballë askujt. Edhe në Romën e Kaligulës, e cila në asnjë moment të jetës së saj mijëvjeçare nuk pati tiparet e demokracisë; të gjithë ata që kishin ambicie për të shërbyer në ingranazhet e saj të stërmëdha, ndiqnin një “cursus honorum” (rruga e nderit). Një sekuencë ofiqesh publike gjithmonë e më të larta, mbi të cilën formoheshin drejtuesit e Republikës dhe më vonë të Perandorisë. Një rrugë e bazuar tërësisht mbi kapacitetin personal dhe respektin që kandidati arrinte të fitonte në shërbim të shtetit. Një rrugë që, në 2019, Shqipëria ka ende vështirë të imitojë. Sidomos kur ka nevojën ulëritëse të ngjallë shpresën te të rinjtë e saj se në këtë vend do të lulëzojë një ditë meritokracia. Veçse po zhyt në një mosbesim, edhe më të madh, të gjithë ata që ende kanë ambicie për të dhënë një kontribut në jetën politike të vendit. Një ambicie që përplaset me derën e mbyllur nga raste të këtilla, të cilat nuk mishërojnë suksesin e ‘ëndrrës shqiptare’ (nga hiçi në ministër në më pak se 12 muaj); por avazin e pështirë ku zgjedhësi, Rama, i përdor institucionet si kënde lodrash për sprovat e tij politike. Ndërsa i zgjedhuri, Cakaj, si një rast i mirë për të pasuruar CV-në dhe asgjë më shumë.