Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duket se ka gjetur një tjetër shkak për të treguar se vijon të ketë rol “vendimtar” në jetën politike. Pasi bllokoi për më shumë se dy javë propozimin e kryeministrit Edi Rama për emërimin e Sandër Lleshaj në postin e Ministrit të Brendshëm, tashmë duket se të njëjtën taktikë do të ndjekë edhe për emrin e djaloshit anonim Gent Cakaj, i përzgjedhur nga shefi i ekzekutivit për të drejtuar Ministrinë e Jashtme.

Mesditën e së Shtunës, Meta ka publikuar dekretet për shkarkimin e 8 ministrave, përfshirë edhe zv.kryeministren, si edhe vendimin e tij për emërimin e disa prej propozimeve të reja që do të jenë pjesë e qeverisë së Edi Ramës.

Ajo që bie në sy është mungesa e dekretimit për shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe, si rrjedhojë, edhe dekreti për emërimin në vend të tij të Gent Cakaj.

Dekreti për shkarkimin e Bushatit është vetëm çështje kohe, pasi Presidenti nuk mund t’i imponojë kryeministrit që të bashkëpunojë me një ministër, për të cilin vlerëson se nuk duhet të jetë më në kabinet.

Por, debati i pritshëm ndërmjet dy drejtuesve më të lartë të shtetit është nënshkrimi ose jo i dekretit për emërimin e Gent Cakaj. Ky i fundit, një djalosh 28-vjeçar, tërësisht anonim si në jetën politike, po ashtu edhe në atë diplomatike, rezulton si përzgjedhja e “suksesshme” e Edi Ramës për të drejtuar diplomacinë shqiptare.

Më shumë se sa një vlerësim për kapacitetin e panjohur të Cakajt, lëvizja e Ramës duket se është një prej trilleve të tij politike, të “imponuara” apo “sugjeruara” në tavolina jashtë politikës shqiptare.

Gent Cakaj është një prej djelmoshave kosovarë, të gatuar në kuzhinën e fondacionit Soros në Kosovë. Ai gjeti hapësirë në institucionet e larta shtetërore shqiptare, si zv.ministër i Jashtëm, falë miqësisë së ngushtë me Baton Haxhiun, kryekëshilltarin e kryeministrit Edi Rama.

Por, krahas fjalës së Batonit, me shumë mundësi, në vendimmarrjen fillestare të Edi Ramës për ta emëruar në Shtator 2017 si zëvendës të Bushatit, mund të ketë ndikuar edhe fakti që ai ka bërë trajnimin si “sorosian”, një lloj “sekti”, të cilin edhe Edi Rama e preferon shumë.

Ndoshta rastësi, por caktimi i Gent Cakaj si emri që do të drejtojë Ministrinë e Jashtme Shqiptare, vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri Rama kishte zhvilluar një takim informal me Alex Soros, djalin e manjatit Xhorxh Soros.

Emërimi i Gent Cakaj në postin e Ministrit të Jashtëm mund të ketë ndikime aspak pozitive edhe për rolin e Shqipërisë në rajon, e sidomos në Kosovë. 28-vjeçari, produkt televiziv i “Klan Kosovës” së drejtuar nga Baton Haxhiu, duket se ndan të njëjtat qëndrime me “mentorin” e tij, në mbështetje të skenarit për “korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi”, tezë e mbështetur publikisht nga presidentët Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç.
Kjo tezë, e cila për politikën dhe diplomacinë në Ballkan konsiderohet si “shkëmbim territoresh”, mbështetet fuqishëm nga Baton Haxhiu, ndërkohë që Edi Rama kafshon gjuhën sa herë duhet të flasë për këtë temë. Opozita dhe shumë diplomatë në Kosovë e konsiderojnë teorinë Thaçi-Vuçiç si një projekt të mbështetur nga fondacioni Soros.

Ndaj, nuk është aspak çudi që teza e “korrigjimit të kufijve” apo ndryshe “e shkëmbimit të territoreve”, të mbështetet edhe nga krye-sorosiani në Tiranë, Edi Rama. Ky i fundit nuk ka dhënë një qëndrim të plotë mbi projektin Thaçi-Vuçiç, por është shprehur se “kushdo që kritikon Thaçin është gomar”, duke lënë të kuptohet qartësisht se ai mbështet idenë e presidentit të Kosovës.