24 mijë mësues të papunë nuk pranohen në testime, por pa kredite nuk punësohesh

677
Mbyllja e këtij viti mësimor ka hapur një tjetër problem shqetësues për mësuesit e sistemit para-universitar, të cilët janë të papunë. Me diploma në xhep e me “CV” të depozituara nëpër drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore zonale, mësuesit e papunë gjenden përballë rrezikut të humbjes përfundimtare të së drejtës për punësim në arsim, për rrjedhojë mbeten me një profesion “diplomë kartoni” që nuk u përfillet nga shteti. Shkak është një urdhër “fjalë goje” dhënë drejtorive rajonale arsimore nga ministria e Arsimit, sipas të cilit bëhet një ndarje, ose më saktë një seleksionim absurd antiligjor, midis mësuesve që janë në punë dhe atyre që janë të pa punë. Ndërsa ata që janë në punë, lejohen e madje detyrohen të kualifikohen, mësuesit e papunë nuk janë në vëmendje të shtetit. Sipas urdhrit, mësuesit e papunë shkojnë në çdo 3 muaj e 6 muaj në provime e testime për kredite jo se kanë dëshirë e jo se kanë nevojë kualifikimi, por prej frikës për të mos humbur vendin e punës. Ndërsa mësuesit e papunë, sipas këtij urdhri nuk kanë asnjë shpresë se mund të punësohen ndonjë ditë në profesion, mbasi kështu është urdhri, sipas të cilit në kualifikimin me kredite që do të nis këto ditë, do të pranohen vetëm mësuesit që janë në marrëdhënie pune në arsim.

 Ndërsa ata mësues që janë të papunë, ose që janë në marrëdhënie pune në sektorë publik e privat jashtë sektorit të arsimit, nuk kanë të drejtë të futen në testin e krediteve dhe në asnjë lloj testi tjetër kualifikues. Shqetësimi vjen nga një grup mësuesish të pa punë, të cilët bëjnë prezent këtë skandal e shkelje të drejte profesionale, që u hiqet prej Ministrisë së Arsimit. Çfarë ndodh? Sipas urdhrit “konfidencial”, mësuesit që janë regjistruar si punë-kërkues në drejtoritë arsimore, por që nuk janë punësuar ende, nuk kanë të drejtë të futen në testin e përfitimit të krediteve dhe në asnjë lloj tjetër kualifikimi që organizohet prej Ministrisë së Arsimit. Madje, ata nuk kanë të drejtë të përfshihen në asnjë lloj detyrimi e projekti kualifikimi profesional, social e psiko-pedagogjik. Ky urdhër vepron për aq kohë sa mësuesit janë të papunë! Kjo është absurde, mbasi janë mijëra mësues të cilët mbeten prej shumë vitesh pa asnjë lloj e shkallë kualifikimi, për arsye mos punësimi për shkak përkatësie partiake, për klientelizëm, për shkak të punësimeve nepotike e për shkak të shitjes së vendeve të punës. Për rrjedhojë, ata nuk pranohen në punë si mësues! Janë mijëra mësues të cilët janë pa punë prej vitesh e nuk janë përfshirë në asnjë proces trajnimi. Vetëm në vitet mësimore 2013-2014-2015, por edhe për vitin mësimor 2016-2017janë 11 mijë e 200 mësues që nuk pranohen në kualifikime, mbasi nuk janë pjesë e punësuar në sistemin arsimor para universitar! Dhe sipas modelit “Rilindja” të pranimeve në punë të mësuesve, këta do të mbeten pa punë, mbasi që të punësohesh, duhet të jesh testuar, duket të jesh pajisur me kredite, duhet të kesh marrë pjesë në seminare e guida mësimore.

 Por këta nuk mund të jenë të pajisur me këto tregues kualifikimi, mbasi me urdhër të ministrisë nuk pranohen në procesin e kualifikimeve e testimeve! Akoma më skandal është fakti, që mësuesit të cilët kërkojnë punë, por që nuk janë sistemuar në vende pune, nuk janë fare në “listat” e trajnimit të drejtorive arsimore dhe as në strategjitë e aftësimit profesional, shoqërore e të projekteve të edukimit si mësimdhënës që ka shpallur e po zbaton Ministria e Arsimit. Shtrohet pyetja: Kur do të kualifikohen mësuesit e pa punësuar? Kush do t’i kualifikoj? A mund të pranohen në punë pa kualifikime? Përse përjashtohen nga kualifikimet, paçka se nuk janë në punë? Të drejtën e kualifikimit e gëzojnë vetëm mësuesit që janë në punë dhe vetëm 10% e mësuesve zëvendësues, të cilët janë vlerësuar nga drejtoritë arsimore të rretheve e rajoneve, si kandidatë të mundshëm në listë pritjet e punësimit. Pas denoncimit të një grupi mësuesish nga Fieri, Berati, Korça, Gjirokastra, Vlora e Shkodra, gazeta “Telegraf” realizoi një investigim lidhur me këtë mohim të drejte profesionale e të drejte punësimi për mësuesit e pa punësuar ende! Çfarë rezultoi? Mësuesit që nuk janë në punë, pavarësisht se janë mësues e kërkojnë punë në zyrat e arsimit, nuk lejohen të futen në testimin e krediteve dhe në asnjë proces tjetër kualifikimi e trajnimi! Përse? Drejtorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave, përgjigjen: “Kështu është urdhri”! Ky kufizim u heq atyre mundësinë dhe të drejtën për t’u punësuar në arsimin para-universitar, nga kopshtet e deri në shkollat e mesme, apo në institucionet politik-bërës e program zbatuese të sistemit arsimor. Por kjo e drejtë i kufizon e i seleksionon edhe për punësime në sektorin arsimor privat. 

Pse? Sepse edhe këtyre, në emër të reformës dhe nivelit mësimdhënës, u është dhënë urdhër të pranojnë vetëm mësues që kanë kryer gjithë proceset e kualifikimeve. Që të pranohesh në punë në sistemin arsimor para-universitar, që nga niveli parashkollor (kopshte) e deri në shkollë të mesme, nuk mjafton vetëm diploma universitare, qoftë edhe e fituar me nota vjetore universitare, me nota diplomimi e me nota mesatare masteri 10-ta apo edhe me “Medalje Ari”. E ka përcaktuar modeli “rilindës”, që për të zënë një vend punë edukator në kopsht, në ciklin e ulët, në arsimin 9 vjeçar e të mesëm, diploma e masteri nuk “pinë ujë” pa pasur kreditet vjetore, që fitohen në testet periodike e vjetore që “ideon”, urdhëron dhe realizon ministria nëpërmjet drejtorive arsimore dhe ekipeve të mbikëqyrjes nga qendra. Janë afro 24 mijë mësues në të gjithë vendin, të cilët kërkojnë punë në arsim, por që as përfshihen në proceset kualifikuese e testuese profesionale, por as lejohen të testohen për të pajisur me kredite e certifikata kualifikimi e aftësie profesionale! Kjo shpërfillje dhe pengesë zyrtare që u bëhet këtyre mësuesve, u mohon e u heq atyre të drejtën për të ushtruar profesionin, mbasi për shkak të mos qenies në punë në arsim, nuk kanë bërë e nuk mund të bëjnë dot kualifikimet profesionale e për rrjedhojë nuk pranohen në punë prej drejtorive arsimore!
Sigal