Zaim Basha:Daut Gumeni poeti, që urren urrejtjen

36
Sigal

(Për vëllimin poetik “RENGA E GURIT” të Daut Gumenit)

Daut Gumeni është model i intelektualit, që frymëzon, është shok e mik i gjithkujt, sidomos i njerëzve të thjeshtë, I cili e intrigon lexuesin me këtë vëllim poetik qysh në titull; “Rënga e Gurit”, një titull me shumë kuptime e domethënie, gatuar me dy figura letrare,gjendur brenda fjalëve “Rëngë” dhe “Gur”. Titulli është dy herë metaforik. Autori ka pranëvënë metaforën emër “rëngë” në kuptimin  tingëllim, rënkim, piskamë, krismë, bubullim, diçka shumë e rëndë…, deri tragjike. Me fjalën “Gur”, pikërishtë me këtë metafor të dytë, me këtë simbolik, ai ia forcon edhe më tepër domethënien metaforës “Rëngë”. Autori, përmes një ligjërimi poetik fluid, na kujton se, një gjëmë e madhe dhe tragjike ka ndodhur, aq sa, e ndjejnë dhe e përjetësojnë jo vetëm njerëzit, por edhe guri, që lëshon rëngën e tij.. E, si të mos lëshonte guri rëngë, kur “gëzimi I pakët vjen me lodhje e dhimbje”, kur “ledhet me gurë të djegur, më shpesh nga ne vetë”, kur “ku-ku-ja e dhimbshme e qyqes, përzier me logorimën e nënës ndihet mbi varret e djemëve, të ikur pa rritur, të vajzave me dritë të fikur, të burrave me merak të pa tretur, të gjyshërve me paqe të pa gjetur”, kur “rrënjët tona janë në plagët e paqetuara të historisë sonë, gjysmë të gjymtuara e gjysmë të harruara e kur “zien edhe dërrasa zemërndezur nga rënga e thellë e gurit”. Por, edhe pse , ngado rëndë e më rëndë, heroi lirik, në shumicën e rasteve, vetë poeti, dëgjon si zien në zemër të gurit rënga e gjallë e tij tamam si prushi I vatrës nën hi, dhimbja e thellë që ia përcjell në gjumin e tij të pakët, aq të trazuar nga rënga e pashuar e gurit…Por, përse pikërishtë guri në të dyja domethëniet e jo dikush tjetër? Sepse kjo gjëm vetëm e gjendur në gur, apo e gdhendur në të  “mund të mos zhduket, të fshihet e të harrohet”.Ajo mund të mbetet si dëshmi për t’u thënë brezave se çfarë ka ndodhur. Titulli është edhe personifikues. Autori e ka shpirtëzuar gurin, e ka njerëzuar atë. Ai ndjen, vuan, lëshon piskamë,dëshmon, por edhe shpreson, ashtu siç ndodh me njeriun. Dhe i pari njeri i tillë, është vet autori. Titulli i librit është brendia e tij, është grotesk, paradoksal, simbolik, fakte, që i gjejmë në çdo faqe të tij..Nëpër to autori përçon ndjenjat dhe mesazhet e tij  që njeriu të qëndroj si gur, madje si gur I rëndë ndaj çdo rënge që të sjellë jeta, që njeriu të të mos ligështohet e të mos dorëzohet përball së keqes.Poezitë e këtij vëllimi ngjasojnë me dritat shumëngjyrëshe, që jo vetëm të joshin, por , më e rëndësishmja, e orientojnë lexuesin në rrugëtimin e tij përgjatë tunelit labirint me emrin JETË.. Jeta është sa e shtrenjtë, aq edhe e shenjtë për Gumenin. Shpirti I tij ndien dhe përjeton edhe gjithçka ndodh rreth e përtej tij. E urren edhe shëmtirën e djeshme edhe të sotmen. Ndaj, Daut Gumeni, intelektuali, që sipas meje e urren me shpirt urrejtjen, ashtu si dikur, edhe tani, sa është në kërkim, aq edhe në pritje.. Është në kërkim dhe në pritje të diellit. Ai përball poetikisht të shëmtuarën me të  bukurën. I dhemb zemra kur shikon udhishtet e shtrembëruara nga vërshimi I betonit, shëmtinë e gjerdheve të babëzisë, rrugicat e ngushta, mbytur me mbeturina gjithëllojshe, ullinjtë e paqtë, që mezi perflushen me dhembje për pak diell, tarracat e hapura dikur nga “mundimhumburit”, që mezi pershenjen tani nga ledhet e rrëzuara. Dhe ndien shumë dhimbje shpirti i poetit, sepse gjithë këtë begati të bukur, të rrallë natyrore, shtrembërimi ynë njerëzor e do të shkretë e të shëmtuar. Por, edhe pse gjithë kjo shëmti, ai përsëri beson e shpreson “tek e nesërmja, te dielli jetëdhënës. Atij I qetëson vështrimin dardha e shpëtuar buzë rrugës, që gëzon me diell e ngarkuar me fruta, apo bukuria e punës e plakës së kërbunjur në të zeza tek hap udhën me shkop që të mos I çirret lopa nëpër gjemba”(“Në pritje të diellit”) Një nga poezitë nga më meditative, është ajo me titull “Do tia tregojë Zotit”, një poezi, që të bënë të mendosh thellë, të pranosh, me apo pa dëshirë, se vet njeriu është shkaktar i çdo lloji shëmtie, krimi, apo tragjedie. Autori rrëfen për fatin e vogëlueshit sirian, i rritur dhe plakur nga dhimbja. ia ngjethin zemrën, ia ngrinë gjakun poetit fjalët e fundit të vogëlueshit. Shuhej ai nga plagët, marrë në luftën e të rriturve, verbuar nga vreri, të cilët poeti i quan “të rritur të vegjël”, “të rritur të shtrembër, që i ka verbuar e çnjerëzuar egoja për pushtet e pasuri”, sidomos njerëzit mediokër e të rëndomtë. Dhe vogëlushi tek shuhet, duke ndier dhimbje e kulluar gjak, s’beson më tek njerëzimi, se nuk e merr vesh ku ka humbur njeriu, ndaj I lë njeriut të parritur nëmë të rëndë, që ai vet do tia tregoj vetëm Zotit. Po, pse pikërishtë Zotit?! Sepse, për fatin e keq edhe të të tjerëve, në tokë vogëlushit nuk i krijon askush mundësi komunikimi. Dy poezi me mesazhe të forta për njeriun e sotëm janë: “E shkuara” dhe “Autoportret”. Autori e ka provuar si pakkush makthin e së shkuarës, megjithatë asnjëherë, pesimist dhe ankues. Vetëm ka besuar dhe shpresuar. Për të flet përmes poezisë dhe heshtjes. Metaforikisht e quan të shkuarën “këmbë”, që mbetet prapa për të mbështetur ecjen. Sepse Daut Gumeni nuk dëshiron, as të shikojë pas, as të qendrojë në vend. Të dyja, për të janë vdekje. Sipas tij e shkuara është hija e gjallë, është kujtesë për liri, kujtesë se çfarë kemi hequr për t’iu afruar njeriut. E quan  “të vetmen gjë të vdekur me emër të mirë”. ( “E shkuara”) Të ngrohet zemra e të qartësohet mendja, kur autori, nga ajo e shkuar, prej së cilës vetëm shpirti i tij e di se çfarë ka hequr, merr atë që i duhet, të sotmes dhe progresit… Merr qëndresën, merr pikërisht atë që t’i shtojë shpresën ditëve të tij. Dhe jo vetëm ditëve të tij…  “Ku të dhëmb më shumë Atdhe” dhe “Njëqind vjet s’dijtëm për vehte”, janë dy poezi –kushtrim. Autori ndihet i lidhur fort me kombin. Ashtu siç ndien dhimbje për coptimin e djeshëm, po aq dhimbje ndjen edhe për braktisjen dhe nëpërkëmbjen e sotme. Ai kuvendon me atdheun e vet përmes pyetjeve retorike enumerative…”Ku të ndizet flak gjaku, nga Presheva a nga Sanxhaku? Të dhëmb Shkupi e Kumanova, mos ta mbledh dhimbjenTetova? Apo mos vallë të mund dhimbja më keq, kur bijtë e tu të humburn nëpër botë po harrojnë gjuhën e nënës, apo edhe kur mbi trojet e tua të copëtuara nuk të valvitet dot Flamuri? Më thua dot, ku të dhëmb më shumë Atdhe? Janë pyetje retorike që i ngjajnë një simfonie ushtonjëse drithëruese për fatin tonë të djeshëm e të sotëm! Ndërsa te poezia “Autoportret” autori përdor urdhëroren e shumësit në vargjet: “Mblidhuni rrotull Flamurit, mblidhuni si na do nëna” Dhe këshillon: “Mjaft na përvëloi nëma..”., vargje që sipas meje të kujtojnë vargjet e Pashko Vasës: “Çonju shqiptarë prej gjumit, çonju….Feja e shqiptarit është shqiptaria”, kurse Daut Gumeni thotë: “Feja e shqiptarit është Flamuri, është Shqipëria”! Shpirti i Gumenit është i lidhur pazgjidhshmërisht me poezinë. Ajo është gjithçka për të, është vetë jeta e tij. Jeta e mësoi se “poezia më e kulluar e Botës është dhimbja e duruar në vetmi, e duruar me fisnikëri, se poezia më e kthjellët është rënga e mbytur e dheut edhe për një pyll që digjet diku në planet, është turbullimi i valës nga dhimbja për zogun shtegtar që mbytet në det. Është dhimbja më e thellë e shpirtit që të bën më shumë njeri… “(Mësuesja Ime e parë) Autori e njeh mirë artin e retorikës, ndaj në vëllim gëlojnë pothuajse tërë stilet e ligjërimit poetik, shkrirë harmonikisht përmes ndërtimeve poetike lakonike. Ngjyresat sentimentale, romantike, simboliste, ekzistenciale, të pranishme në vëllim, përdorur në funksion të realizmit, I kanë bërë edhe më kumbuese, tunduese e përjetësuese poezitë e vëllimit. Në aspektin e vargut, zotëron vargu i lirë, alternuar me vargun e thyer dhe atë të rimuar. E latojnë edhe më shumë vargun e këtij vëllimi neologjizmat me shumë domethënie jetësore si: mundimhumburit, shpirtshiturit, shpirtthyerit,, dritëshuarit, dallgëthyer, kërbunjur e shumë e shumë të tjera. Autori përmes këtij vëllimi poetik nuk bënë. As moral, as politikë. Filozofi jetësore, po. Ky vëllim më kujtoi përcaktimin e Sofokliut antik për natyrën njerëzore, si; “Bota është plot çudira, por më e madhja çudi është, mes të gjitha çudirave, është çudia me emrin Njeri”. Pikërisht edhe në këtë libër Njeriu është zemra e tij. Po cili Njeri? Përgjigjen e ka dhënë poetikisht vet autori, Daut Gumeni; “një rëngëmadh, që ka vuajtur tepër shumë, por që ia ka dalë denjësisht. Rëngë, shumë rëngë jeta e tij, gur, bile gur vërtetë i rëndë në vendin e vet”. Dhe ne mëndja na shkon te vet autori, Daut Gumeni.

Zaim Basha – ish kryeredaktor i Radio Kukësit