Suplementi Spiro Mëhilli: Krenari Malësori

147
Sigal

Prel Vata banonte në një zonë të thellë të rrethit të Pukës. Ishte i ati i pesë vajzave dhe i një djali, Prengës. I gëzohej jetës së varfër. Mbante familjen me një lopë, katër dhi dhe një mushkë. Prenga kishte një vit ushtar dhe Prela priste që ai të mbaronte shërbimin e detyruar ushtarak, ta martonte e të shtonte familjen me pasardhës. Malet përreth sapo kishin filluar të zbardheshin nga bora. I ftohti i nëntorit ishte ulur këmbëkryq. Ndërkohë  që Prela po stivonte drutë e prera dëgjoi që dikush i foli: – Prel, o Prel Vata! Tek dera e gardhit qëndronte operativi i zonës, Irakli Kokthi. Prel Vata fshiu djersën e ballit me peshqirin, që mbante në brez dhe shkoi të takonte njeriun e pushtetit. – Ç’e mirë të pruni o shoku Irakli? Urdhno brenda ta hedhësh një gotë!- Nuk kam kohë…- Po…?- Nga komiteti i partisë  më lajmëruan që nesër të jesh në Kavajë.- Ç’punë kam atje?- Dëgjo; Prenga diçka ka bërë. Komanda e repartit kërkon të të takojë.- Mos ka… – dhe mendja i shkoi  tek ndonjë ngatërresë politike.- Jo, gjë pa qeder. Por, shko, kërko brigadën e xhenjos. Si të mbërrish në qytet, pyet se ta tregon cilido. Ndodhet në ish-ndërtesat e ushtrisë italiane, – tha dhe u largua. Prela nuk i tha gjë të shoqes. Gjithçka e mbajti përbrenda. Në mes të natës u çua dhe mori udhën për qytet. Fatmirësisht një “Skodë shyte” shkonte në kriporen e Karpenit, jo larg Kavajës. Fat më të madh nuk kish. Vendet tek kabina e shoferit ishin zënë me kohë. Iu desh të udhëtonte në karroceri, ku e thau era. Por ai ishte i fortë. Tetori i vitit 1986 kishte hyrë me shira. Kudo ishte përhapur lajmi se në nëntor do të mbahej Kongresi V i PPSH-s. Gatishmëria në ushtri duhet të arrinte në shkallën më të lartë, për më tepër që tre muaj më parë ishin hequr edhe gradat. Ushtria sapo kishte filluar të shndërrohej në kope bagëtish. Nuk njihej më se kush ishte komandanti, kush ishte komisari, kush ishte oficeri i thjeshtë apo nënoficeri. Shpesh njerëzit e merrnin nënoficerin për oficer nga paraqitja e jashtme trupore. Një pasdite, në orën e kulturës masive, ushtarët po  bisedonin  për probleme të ndryshme. Sikundër e kanë të rinjtë, dikush tha: kapter Pilua është më i miri.- Nuk është e vërtetë, kapteri i kompanisë sime është më i miri.- Kush, Fetiu? Pse, si të duket? Ai është një koqe kandari që s’e ka shokun, – ia ktheu ushtar Loni Pinjari nga Lushnja. Mbaje gojën! Ik e pirdhu! Mbaje gojën po të them. Pse si të dukem, nuk ta mbush synë? Preng Vata ngriti grushtin dhe e qëlloi Loni Pinjarin në pjesën e poshtme të nofullës. Shokët e pranishëm në vend që të ndërhynin dhe t’i ndanin u larguan dhe formuan një rreth. Duke dëgjuar të bërtitura atje shkoi me vrap oficeri i rojës, komandanti i kompanisë së dytë, Llazar Isaku. – Ç’bëni? Po ziheni? Turp! Kështu e prisni Kongresin e Partisë? – Më shau nga nëna o komandant Llazi.- Dhe e bëri me të vërtetë? – Jo komandant, e thashë ashtu kot. – Thoni faleminderit  që isha unë me shërbim, se po të ishte komandant Bujari do të hanit burgun. Jepini dorën njëri-tjetrit! Ata jo vetëm që nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit, por u larguan në drejtime të ndryshme. Preng Vata e mbajti frymën tek parku  i makinave, veshi kominoshet, mori një manivelë dhe e maskoi  atë nën rrobë. Në darkë, kur shokët ishin në mensë, ai priti dhe sapo e pa Lonin e qëlloi me manivelë nja 30 herë  në kokë dhe në trup. Kështu, sherri i orëve të pasditës u kthye në tragjedi. Të gjithë ndiheshin fajtorë, por tani  ishte vonë. Pasi Loni Pinjari doli nga spitali, Ministria e Mbrojtjes dha orientim që gjithçka të mbyllej me pajtim. Ky ishte dhe shkaku që Prel Vata kishte marrë udhën për në Kavajë. Dhe ja tek pragu i derës me kangjella u duk një burrë i gjatë, rreth një e nëntëdhjetë, veshur me çarkiç dhe me gajtanë të zinj, që i shkonin si shirita nga qemeri deri në fund të këmbëve, këmishë të bardhë të mbërthyer me kopsa, jelek me theka dhe kopsa poshtë brezit hedhur mbi këmishë, qeleshe rrumbullake dhe në majë të kokës me shami të gjatë rreth saj dhe mbathur opinga të sheshta. – Ku do të shkosh o xhaje, – i tha ushtari rojë, që rrinte tek postblloku. – Jam i ati i Preng Vatës. Më kanë thirrë në komandë.- Xhavit, o Xhavit, lëre, – i tha shefi i organizimit, që u ndodh në hyrje të komandës. Prel Vata i dërrmuar shpirtërisht kaloi mes për mes oborrit.- Erdhe shoku…? – Po besa!- Eja, – i tha ai dhe e futi në zyrën e komandantit të brigadës. Pesë oficerë prisnin ardhjen e tij. Në tavolinën kryesore qëndronte komisari që shtypte një copë tul buke. “Heu dhe ky luan me qurret si puna e fëmijëve tanë” – tha me vete Prel Vata. – Uluni! – Jo, faleminderit, po qëndroj më mirë në këmbë. – E di pse të kemi thirrur? – Besa jo! – Për djalin. – Mos i ka ndodh gjë? – Jo, ai është mirë me shëndet. – Mos ka vu dorë mbi pronën socialiste? – Jo! Ai ka qëlluar një shokun e vet. – Djali im e ka pas një shkak, se kot nuk ngatrrohet! – Për një fjalë goje. Ja kjo është. – Për një fjalë goje nuk ndodh ndonjë e keqe. Diku e ka prek ai. – E ka sharë nga nëna, ja…  – Dale bre  burrë. Nga nëna? Pra ka sha gruan time? – Po, si të themi… – Për këtë m’keni thirr dhe m’keni bë që unë t’marr rrugën nga fshatrat e thella të Pukës? – Donim t’i pajtonim. – Ndigjoni burra! Djali im ka mbrojtë nderin e nënës së vet dhe të gruas time. Jam krenar për tim bir. Po të kishte vepru ndryshe do ta kisha mohu. – Dëgjo një minutë… – Hallall qumështi që ka pi nga gjini i nanës s’tij. Bëni ç’të doni me të. Hajt, mirupafshim, – tha dhe doli nga dera. – Po ky? Ai doli nga zyra ku kishte qëndruar për pak kohë, kaloi korridorin, më pas qëndroi në mes të sheshit, nxori kutinë e duhanit që e mbante në brez, ndezi një cigare dhe pasi e thithi nja dy herë me kënaqësi u drejtua nga rruga automobilistike për t’u kthyer andej nga kish ardhur.