Suplementi Pena Shqiptare/ Petraq Kolevica: “Armiq dhe njerëz” i Jevtushenkos

457
Sigal

Jevgenij Jevtushenko

Armiq dhe njerëz

Më 1944, nëna ime dhe unë u kthyem në Moskë, dhe aty ishte hera e parë në jetën time që shihja armiq. Ishin, nëse s’më kujtohet saktë, njëzetepesë mijë robër gjermanë, që duhej të përshkonin rrugët e qytetit të rreshtuar në një kolonë të gjatë. Trotuaret ishin plot me njerëz që zmbrapseshin me forcë nga ushtarët dhe policët. Një turmë e pamasë. Të gjitha – gra, gra ruse me duar burri, të shformuara nga lodhja, me buzë që nuk e kishin njohur të kuqtë, me shpatulla të dobëta kockore. Secilës prej tyre, me siguri, gjermanët u kishin zhuritur zemrën ose me babanë, ose me burrin, vëllanë, ose me djalin. Ndër të tjera, kishte urrejtje në sytë e atyre grave që po rrinin duke pritur kolonën e robërve dhe shihnin me padurim ankthi andej nga kreu i rrugës. Më në fund ata u dukën. Përpara ishin gjeneralët robër. Marshonin me fytyra fodulle, me nofulla të shtrënguara. Cepat e buzëve të tyre ishin të thata: kishin ngjyrën e përçmimit. Në këtë mënyrë, ata, donin të ridëshmonin epërsinë e tyre ndaj popullit që i kishte mposhtur. Gjatë kalimit të tyre duart punëtore të grave u shtrënguan e u bënë grusht. “U qelbkan era kolonjë këta maskarenj!” – klithi një zë dhe ushtarëve dhe policëve u duhej të përdornin të tërë fuqinë e tyre për të mbajtur valën e grave që donin të çanin pengesat. Papritmas ndodhi një gjë pothuaj e jashtëzakonshme. Menjëherë pas gjeneralëve, ecnin ushtarët: Të dobët, të zhyer, të parruar, kokën të lidhur me lecka të gjakosura. Disa mbështeteshin mbi paterica, të tjerët, mbi shpatullat e shokëve të pa plagosur. Kokën e mbanin poshtë. Askush nuk klithi më. Një heshtje vdekjeje mbuloi rrugën. Dëgjohej vetëm zhurma e shuajve të këpucëve dhe e patericave përmbi kalldrëm. “Lërmëni të kaloj!” tha atëherë një grua me çizme të mëdha ruse, duke vënë dorën mbi shpatullën e një polici. Ishte kaq i vendosur zëri i kërkesës së saj, saqë polici e la të kalonte sikur të paskësh marrë një urdhër të prerë. Duke u afruar te kolona e robërve, gruaja nxori nga xhybja e saj një copë bukë të zezë dhe ia dha njërit prej tyre. Gra të tjera ndoqën shembullin e saj dhe u hidhnin ushtarëve robër gjermanë, bukë, cigare dhe gjëra të tjera për të shuar urinë. Dhe ata, si me magji, pushuan së qeni armiq. Tashmë ata ishin njerëz, asgjë tjetër, përveçse njerëz. ……………………………………………….

Është një përkthim i z.Petraq Kolevica dhe e përsëris pasi e kam postuar dikur, në vitin 2015