Suplementi Pena Shqiptare/ Zyhdi Dervishi : Tharm mallkimi                                     

184
Sigal

Dyzim qyteti

 

Shëmbëllimet e mijëra kalimtarëve,

shumëfishohen nga pasqyrat

e vitrinave luksoze.

 

Ata kryqëzohen e puthen:

nga mëngjesi në mbrëmje,

nga mbrëmja deri në të aguar.

 

Të divorcuar nga shëmbëllimet e veta

njerëzit ndihen gjithnjë

e më të vetmuar.

 

Rënie

 

Fluturat harruan rrugëtimin e përditshëm

dhe krahëthyer u futën,

në flurudhat kobzeza

të plumbave.

 

Faqen e veremosur

të dheut e çukisin,

pikiatat mortore

të pëllumbave.

 

 

Vetëtransplant

 

Prej vitesh i thinjur e drobitur

nga diarrè e truve.

 

Zorra qorre ia ka mbushur,

zgavrën e zbrazët nën kafkë.

 

Sfilitet marramendshëm

nga zjarrmi e iluzioneve:

për t’u vetëparaqitur

politikan i aftë.

 

Blice

 

Vetëtimat – blice të Perëndisë.

 

Çjerrin maskat prej nate

në fytyrat e njerëzve.

 

….që në thellësitë e qenies

së njëri-tjetrit të shohin

më mirë

ligësinë.

 

Arkivole drite

 

Librat janë arkivole.

 

Disa bartin silueta të dritshme,

që ndriçojnë mendjet

e njerëzve ndër breza.

 

Të tjerë bartin frymëmarrje të kalbëzuara,

që përhapin perde miopie

dhe valë paragjykimesh me

qefine të zeza.

 

Autorët e librave

gjithë jetën sfiliten

me arkivole,

mbi shpinë.

 

Shkojnë kah errësira e varrezave

apo ngjiten si Sizifi:

majë maleve më të larta

për të përqafuar përjetësinë?!

 

Tango e hirtë

 

Hijet – karavidhe të hirta rreken

të zhduken mes vedi.

 

Pas komës së eklipseve të ndërsjella

rilindin e rilindin pa pushim.

 

Rilindin brenda llojit

të pështirë të hijeve,

deri në amëshim.

 

Helm apo mallkim?

 

 

Gatuani gjithçka me duart tuaja,

se në çdo gatim mund të fshihen

avuj me mister-helmimi.

 

… Ose nga duart e tjetrit,

që gatuan për ju

kullojnë bulëza djerse

me tharm mallkimi.

 

Diagrama e vetëmohimit

 

Njeriu shurdhohet nga kërcitjet

e takave të këpucëve të veta:

në gurët e kalldrëmit,

në ftohtësinë e akujve,

në shkëlqimet marramendëse

të pllakave të mermerta.

 

Njeriu verbohet nga pafundësi

e shëmbëllimeve të çoroditura

të fytyrave të veta:

Në bebëzat e trazuara të syve të miqve,

flakërimave të urrejtjes në sytë e armiqve .

Në sipërfaqen miope të ujërave të zeza

Në pasqyrat e thërrmuara

nga fuqia goditëse

e çekanit të rëndë

të të vërtetave.

Pa e kuptuar

njeriu shkon kah qivuri,

me patericat e padukshme

të gabimeve të veta.

 

Kuja e heshtur e mokrave

 

Mokra të bukura,

që s’lëvizin kurrë.

 

Mokra që s’bluajnë,

as misër, as grurë.

 

Mokra që i vetëgërryen

myku i hidhur i përtacisë.

 

Mokra të vdekura – çibanë kancerozë

në trurin e njerëzisë.

 

Kohë e kundërkohës

grave iu rriten mjekrat

dhe faqet e burrave

lëpihen qose.

 

Në mokrat e paralizuara

bluhen vetëm

dokrra,

dokrra,

dokrra.

 

Lart

 

Lotët nuk rrjedhin poshtë.

Me flatrat e dhimbjeve

ato ngjiten përpjetë.

 

Nuk lagin tokën:

përçajnë retë.

 

Ikje

 

Shpesh njerëzit dalin

nga lëkura e vetvetes

dhe, ikin në drejtim

të paditur.

 

Rreken më kot të futen

në lëkurën e të tjerëve.

 

… Për të gjetur këto shtigje

janë krejt të papërgatitur.

 

Portret i trishtë nëne

 

Para duarve të rreshkura të nënës,

përgjunjen vargmalet

e gjithë krenarive.

 

Para shikimit të turbulluar të nënës:

verbohen yjet

e të gjitha yjësive.

 

Para honeve – rrudha në ballin e nënës,

shtangin vrullet

e gjithë stuhive.

 

Para psherëtimave trishtuese të nënës,

heshtin bubullimat

e gjithë gjëmimeve.

 

Në tufan

 

Me dhëmbë të krimbur, të zverdhur

nga vrer i thartuar i veseve

gjallëtarë me sy njeriu,

shqyejnë çdo kristal ideali,

çdo fismëri virtyti

çdo rregull drejtësie

çdo normë.

 

Nga ky tufan

dhe varret u lemerisën:

flakën pllakat e mermerta

u bënë zgavra përthithëse

pa formë.

 

Mos

 

Nëse në qenien tënde

nuk ke një oqean

lotësh dallgëtrazuar,

që godasin pa pushim

gjithë shkëmbinjtë

kryeneçë të veseve,

mos shkruaj poezi!

 

Nëse në arteriet e tua

nuk rrjedhin gjithë lumenjtë

e gjakut, që kanë derdhur

popujt për liri,

mos shkruaj poezi!

 

Nëse nuk ke fantazi të çartur,

për të përkulur majat

e maleve më të lartë

përpara ëndrrave të vrara

të fëmijëve fatkeqë,

mos shkruaj poezi!

 

Nëse nuk vetësakrifikohesh

për një foto drite,

që shumëfishon çdo mirësi,

mos shkruaj poezi!

 

Nëse nuk di të çaktivizosh

helmin e gjithë dilemave

dhe, nuk ke kyçe

për të hapur çdo zemër,

mos shkruaj poezi!