Bota do të përballet me një mungesë prej 13 milionë infermierësh në vitin 2030

300
Sigal

Numri i punonjësve, që janë pjesë e sistemit të kujdesit shëndetësor është reduktuar ndjeshëm në të gjithë botën, si pasojë e burnout-it, rraskapitjes, keqtrajtimit, si dhe rreth 115 mijë vdekjeve nga Covid. Në një raport të publikuar (më 24 janar), Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve (KNI), një organizatë e shoqatave globale të infermierëve me qendër në Gjenevë, vlerësoi se bota mund të ketë një mungesë prej 13 milionë infermierësh deri në vitin 2030, nëse nuk ndërmerren veprime konkrete për të frenuar valën e largimeve në këtë sektor, si dhe për të punësuar infermierë të rinj në sistemin e kujdesit shëndetësor.“E dinim se situata ishte e brishtë për shkak të mungesës së vazhdueshme të financimit për sektorin e infermierisë në mbarë botën, për shumë e shumë vite me radhë,” tha Hoëard Catton, CEO i Këshillit Ndërkombëtar të Infermierëve me qendër në Gjenevë, i cili përfaqëson më shumë se 27 milionë infermierë në 130 vende të ndryshme, “por, duke u bazuar tek informacionet e fundit në lidhje me vendet e lira të punës për infermierë, normën e lartë të largimit të tyre nga puna, si dhe normës së lartë të sëmundjeve së stafit, tani mungesa e infermierëve duhet të konsiderohet një krizë globale.”Edhe përpara goditjes së pandemisë, e cila ka hyrë tashmë në vitin e saj të tretë, bota kishte një mungesë prej 5.9 milionë infermierësh. Shumica e këtyre mungesave ishin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Duke qenë se vendet më të pasura tërheqin infermierë nga vendet e tjera, pabarazitë mund të përkeqësohen akoma më shumë. Ndërkohë, stafi i reduktuar në spitalet amerikane ka çuar gjithashtu në rënien e raportit infermierë-për-pacient, raport ky që u përkeqësua akoma më tepër që nga fillimi i Covid. Ndërkohë, situata me Covid-in, duke përfshirë nevojën për vaksinimin e popullsisë, si dhe kujdesin për miliona njerëz që infektohen nga virusi, ka rritur kërkesën për punonjës të kujdesit shëndetësor, duke zgjeruar akoma më tej hendekun midis numrit aktual të infermierëve dhe numrit të nevojshëm të tyre. Për më tepër, ndryshimet e përgjithshme demografike, që kanë sjellë rritjen e popullsisë së moshuar në shumë vende, do të sjellin gjithashtu kërkesë më të madhe për infermierë.