Suplementi Pena Shqiptare/ Zot, bekoi poetët

624
Sigal

Petrit Ruka

Mirënjohje Shqiponja, për këtë shkrim kaq prekës për mua nga Londra

Zot, bekoi poetët

Shqiponja Axhami Trota

“Në një kafe stacionesh në Londër unë lexoj edhe poezinë e fundit të këtij libri. (“Shami të zeza qiellore”) E mbytur në lot, pezm… Ngre kokën…Përtej xhamave nëpër mjegull shquaj një qen dhe një të pastrehë… Janë shtrirë mbi shtrojë…Lutem me zë të lartë me një gegërishte të ngutshme sa dy gra të vjetra angleze më shohin me çudi…Them veç një fjali: “Zot bekoi poetët!”

 

Libri me poezi i Petrit Rukës “Shami të zeza qiellore” një vlerë e shtuar e poezisë shqipe me një funksion të mëvetësishëm estetik.

Nëse së fundmi poezia shqipe orvatet të shkojë drejt modernes duke sforcuar vargun dhe fabulën drejt një kahe që i ofron lexuesit herë – herë lodhje, duhet pranuar që ajo dorëzohet kur është fjala për poezi të natyrshme si ato të poetit Petrit Ruka. Në fund të fundit poezia është poezi kur krijon muzikalitet dhe efekt të menjëhershëm tek lexuesi dhe padyshim që poezitë e këtij vëllimi janë pa diskutim një renditje magjish të njëpasnjëshme, të cilat, që në leximin e parë të mbeten jo vetëm në mendje e të ngjyrosin në shpirt duke zgjuar në të idiliken por dhe madhështoren.
Ne poezinë “Gjërat e mia të vogla” poeti përmes një leksiku të gjetur dhe krahasimeve të spikatura mbledh gjërat e tij të vogla por mbyllja e poezisë “e vogla” kalon në të tërën e padiskutueshme në rrekjen e paqes absolute (si… krahë i pëllumbit )

Do të shkoj t’i marr shokët, të gjallë e të vdekur,
t’i vë tek koka e krevatit si librat e fundit,
nuk kam ç’lexoj gjë tjetër në këtë shtëpi
me strehë të vogla ,
sa krahu i pëllumbit

Një vend të rëndësishëm në këtë libër zë figura e gruas. Ai e çmon atë, e dashuron e mitizon madje ashtu siç ndodh edhe tek Naimi, e lartëson atë deri tek krijuesi Zot, Krishti. Përmes një klasikeje me kahe moderne ai e sjell gruan edhe si misionare madje pse jo si shkak te vazhdimësisë.

O zot, e ndjeva, ishte kuja e ëndrrave,
që i kishe të gjitha brenda
fill e për pe,
nga buka e grunjtë tek loti dhe kripa,
mister,… si një Fe…

Ky shkallëzim rritës mbi figurën e gruas është padyshim një ndër gjetjet më të bukura në poezinë e derisotme shqipe.

Dashuria për gruan, vlerësimi ndaj saj vjen jo vetëm përmes këtyre gjetjeve por dhe përmes “mallkimeve” tipike në këngët popullore, gjë që e afron edhe më tepër poezinë e Rukës me stilin modern por që pluskon në ujërat e një klasikeje melodioze të pakrahasueshme.

Veç ja, tani, tek varri – i Krishtit
të fundmit lutje bëj për ty
si unë të dashuroftë një tjetër
dhe kurrë mos u bëfshin dy…

Erotizmi në poezinë e Rukës nuk është i vrazhdë por vjen fin dhe rrok brenda tij vetë filozofinë e jetës, në fund të fundit bota nuk do kishte kuptim pa të.

…Tani që u zgjuam, shpejt, eja t’i mbledhim
gjymtyrët e trupit shpërndarë mbi krevat!
Pa shih sa e bukur jashtë u bë bota,
se duhemi kaq shumë… dhe bota ka fat

Reticencat janë shpesh të pranishme në poezi dhe kjo jo vetëm i jep peshë mendimit por dhe shërben si pauzë e muzikalitetit duke të ofruar një tingull të mëtejshëm edhe më të ndjerë. Duke përzgjedhur leksikun por dhe duke e pasuruar atë.

Ma ngri sa të shkruash një këngë rioshe
t’më mbetet pas vdekjes kënga –kujtim,
të thonë miqtë e mi në mbrëmjet sarhoshe,
me shpirt këndoi… pastë amshim…

Në të gjitha poezitë mbi gruan, të bukurën poeti përmes dashurisë, erotizmit gjen dhe rreshton fjalët dhe krahasimet më të bukura që nga kaçurreli, buzët, gjinjtë, por deri tek konceptet më skajore filozofike dhe biblike sa i gjithë libri ngjan me një piskamë skajore lahute ku nuk ka tingull të papërfshirë në të, sa çdo frymëmarrje mbetet e ndalur dhe thua :
-Dua ta lexoj dhe një herë.

Kjo është estetika kjo është mëvetësia që rrallë poet e ka zbuluar në poezinë e këtij fund shekulli. Nëse ke dhimbje për jo të gjallët si Poradeci, Mjeda, De Rada, Rreshpja, në këto poezi do gjesh një ngjizje gati mitike të të gjithëve, mbështjellë nën një tis të folkut, idilikes, notës, muzikës deri në kapërcimin shumë delikat të gjetjes së fabulës dhe konceptit mbi jetën, dashurinë, mungesën dhe vdekjen.

Ti je brinja e thyer që dhemb në çdo frymë
Ku ndarja rënkon si grua e ve,
Kur shpirti më vaket si ujë që pret
Ta laj të vdekurin e fjetur mbi dhè

Është e pazakontë gjetja e motiveve të Rukës në poezi, ai bën poezi çdo gjë që i ka lënë dhimbje, çdo gjë të zakontë i jep fuqinë magjike të së pazakontës, të qasjes nga një varg me rimë në një thelb të konceptit. I shënjuari dhe shënjuesi tek poezia e Rukës orvaten në oktavën e epërme të një -oi që ngjan here-herë me vajet e herë –here me këngën. Kjo është padyshim ajo që quhet poezi.

Po ah një ditë ti shkove papritur,
Mjekët të gjetën një vrimë në zemër.
Si korb pikëllimi ika dhe unë,…
Krahë të thyer,
qielli i shtrembër.

Dialogu me të vdekurit i jep librit edhe më shumë vlerë, fundja të gjithë jemi vdekatarë. Ky dialog vjen lirshëm a thua të vdekurit dinë gjithçka rreth nesh. Ky dialog vjen fuqishëm goditës, shpesh herë revoltues dhe përmes një elementi modern; ëndrrës. Shumë emra të mëdhenj të letërsisë, duke i ikur realitetit të zymtë, kanë gjetur prehje në bisedat me të vdekurit, por bisedat tek poezitë e Rukës vijnë të veçanta dhe të thjeshta njëkohësisht.

Babai u çmend! S’e mbajti premtimin.
Iku babai!
Doli prej varrit,
U bie pash më pash ëndrrave të mia
“Ç’kini me mua janë ëndrrat e djalit”

Ndërsa një temë mjaft e fuqishme që tregon zymtësinë që sjell “evoluimi” shoqëror dhe dëshpërimin e poetit në pamundësinë e ndryshimit është e pranueshme në pothuajse të gjithë ciklin për nënën, babain, motrën.

Baba, ne ikëm,… shtëpinë e braktisëm,
Një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota
dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
si kyç një palë lot vendosëm tek porta…

Ironia për kohën e mospasjes në të cilën jetoi fëmijërinë poeti vjen në një poezi për nënën. Poeti në këtë poezi jo vetëm përcjell mallin për të, për dhimbjen e mospasjes së një fotoje, por brenda vetëm një poezie vjen ironia e një epoke. ( uni i poetit, nëna, shteti, robërit…)

Nëna foto nuk ka veç të pasaportës,
që gjendet dhe në varrin e saj ku u fal.
shteti veç njëherë e dërgoi fotografin
për robërit e tij
deri lart në mal…

Koncepte të thella filozofike vijnë qoftë edhe në një togë fjalësh ose fjali (u ndal kosa mbi bar, gratë na rilindin, psalme deliri, të shiteshin lotët, e sertë plot humnera, nënë më çmendin numrat, t’ia këpus një të vdekuri pa bujë e pa zë etj.) Poeti di të vë ekuilibër mes revoltës dhe detyrimit, mes dhimbjes dhe durimit, mes jetës dhe vdekjes duke përcjellë tek lexuesi një mesazh të dëlirë, ndërgjegjësimin e përkohësisë njerëzore por dhe bukurisë së saj.

Të paktën këtu në një psalme deliri,
shpallem shef i pluhurave që era vërtit.
E në pafsha veten prapë në një kthesë
S’kam turp të bërtas më prit , o Petrit
.

Cikli i poezive mbi baladat është padyshim një ndër pjesët më të vlera të librit. Me një metrikë të saktë të mirë peshuar, çdo baladë mund të jetë një këngë, jo nga ato këngët e thjeshta, por këngë që drithërojnë edhe tingujt e një fyelli në udhnajat e bjeshkëve të Labërisë por edhe këngë të një violine të vetmuar. Poezia e Rukës qëndron bindshëm mes klasikes dhe modernes duke shkaktuar efekt të mëvetësishëm estetik qoftë tek një lexues elitar, qoftë tek një bari që i bie fyellit dhe kjo është magjia e poezisë së vërtetë.

Dili flas e Dili s’ka,
Dilia në ëndërr ra,…
Koka më dysh m’u ça
një në varr e një në krah
koka, kokën nuk e pa…

Në poezitë e fundit ka prapë zhdërvjelltësi tematike që vijnë kronologjikisht sipas viteve. Ai herë i këndon dhimbjes, dashurisë, pamundësisë, zhgënjimit por dhe ndërgjegjësimit, shpresës. I tillë është timbri zanor i vetë jetës. Ky libër përmbledh një arsenal poezish, që duhet të hyjnë padyshim në historikun e poezisë shqipe si një faqe më vete përkrah poetëve të mëdhenj të vdekur e të gjallë.

Në një nga poezitë e tij ai shkruan:

Përvoja: shkruaj libra, vetmi, filma
Vjet solla nga Rumania, Himnin
(Udhëtova përmendësh njëqind vjet)
I vetmi që nuk e pa ish ministri i kulturës
U gjend në një seminar për qentë…

Në një kafe stacionesh në Londër unë lexoj dhe poezinë e fundit të këtij libri. E mbytur në lot, pezm… Ngre kokën…Përtej xhamave nëpër mjegull shquaj një qen dhe një të pastrehë… Janë shtrirë mbi shtrojë…Lutem me zë të lartë me një gegërishte të ngutshme sa dy gra të vjetra angleze më shohin me çudi…Them veç një fjali:
– Zot, bekoi poetët!