Sigal

Fjala ime hyrëse ne promovimin e librit të Piro Milkanit

“E vërtete, po e pabesueshme” Parathënia…

Për një artist të shumënjohur e të dashur për publikun shqiptar si Piro Milkani, Artist i Popullit, një nga pionierët themelues të kinematografisë shqiptare, do të ishte e pakuptueshme të mos linte pas kujtimet e një jete. Mund të quhej pa frikë një humbje për filmografinë tonë, boshllëk në historinë e filmit shqiptar, sepse fati e ka përkëdhelur të jetë bash në qendër të gjithë atyre ngjarjeve të mëdha të këtij arti kaq të dashur prej themelimit e deri në ditët tona. Shkurt, në shprehjet e bisedave ligjërimore të gjuhës së përditshme, për këto raste thuhet shkurt: gjynah të mos shkruhet gjithë ajo jetë e madhe.
Dhe Milkani e ka pasur këtë fat me shumicë, me shkollimin e tij në një nga shkollat më brilante e me emër të ndritur të kohës së tij, me shokë që vinin nga tërë anët e globit e bënë emrin e tyre të madh nga Amerika deri në Indinë e largët. Pastaj pati përkëdheljen të ishte një nga kamerat e para të filmit shqiptar, i cili sapo ngrihej si motak në këmbë, si regjisor, që fati u tha, “Ju jini të parët e me të drejtën e shenjtë të të parit do të hidhni themelet. Më vonë historia nuk mund të shkruhet pa kaluar nëpër emrat tuaj.”
Dhe ja, tani që po mbush të tetëdhjetat, ka moshën e artë të kujtimeve. Por ndryshe nga shumë të tjerë (një inflacion i padurueshëm librash me kujtime po bën “vapë” mbytëse gjithandej,) Piro Milkani, ky i përkëdhelur pafundësisht prej jetës dhe fatit, nuk mund të mos ishte i tillë edhe në këtë fushë, në artin e të shkruarit, ku fati është treguar bujar sërish me talentin e tij të të treguarit shkurt dhe plot emocione.
Nëse duhen pak dëshmi për talentin e tij, me Piron puna bëhet e lehtë ta besosh “a priori” se edhe ky libër kujtimesh lexohet me një frymë falë prirjes së tij të lindur të rrëfimit të këndshëm, aftësisë për t’i marrë gjuhës së mrekullueshme shqipe vezullimet e saj të ligjërimit, lakonizmin dhe shijen e një gjuhe të gjallë vetanake.
E ka dëshmuar këtë Milkani me shqipërimin e të një romani të mrekullueshëm siç është “I kam shërbyer mbretit të Anglisë” i Bohumil Hrabalit, që e kam lexuar ndër të parët, po edhe me një libër tjetër të rrallë siç është ai i regjisorit të madh çek “Nga Casllavi ne Hollivud” të Milosh Formanit, pwr tw mos përmendur më tej përkthime të tjera si drama “Opera e Leckamaneve” tw Vaclav Havelit (me porosi të Teatrit shqiptar tw Shkupit), me “Fedrwn” e Rasinit etj.

Në këtë libër, që vjen në 80-vjetorin e tij për lexuesin shqiptar parakalon një pjesë e vogël, shumë e vogël ngjarjesh nga tërë ajo jetë e madhe, duke përzgjedhur me një kujdes “tepër koprac” ca ngjarje të bukura që lexohen me një frymë e të tronditin me bukurinë e tyre të rrallë, me gjetjet e tyre poetike që i ka servirur vetë jeta me koincidencat e saj të befta e të pabesueshme, me kapriciot e fatit, rinjohjet e befta pas dekadash të tëra terri e izolimi me miq të rinisë, takime me artistë të mëdhenj botërorë, fama e të cilëve të mek mendjen e frymën sapo u lexon emrin.
Nëse jeta e tij e gjatë prej artisti (ashtu si jeta e çdo njeriu) është një lumë, Milkani ulur në breg të tij, ka marrë shoshën dhe ka shpëlarë tërë rërën e bregut për të gjetur ca thërrime ari, njësoj si ata kërkuesit e dikurshëm në Alaskë, që përshkruan Xhek London. Këtë radhë nuk është ai regjisori e as skenaristi. Përkundrazi e tillë është jeta e tij dhe Milkani, veç sa ka xhiruar ato episode që i ka diktuar ajo, kujtesa e një jete. Veçse në vend të kamerës, operatori i dikurshëm (që ca gra në Korçë, kur po nisej për në Pragë i thanë njëra- tjetrës të prisnin edhe ca, sa të kthehej e t’i operonte djali i tyre, që po bëhej doktor-kirurg,) në vend të arrifleksit të dikurshëm sot ka një laps të gjatë kujtese që ka qëlluar i artë.
Nuk do të doja të zbuloja e të digjja kureshtjen e asnjë lexuesi duke analizuar qoftë edhe një tregim të vetëm të përzgjedhur nga kujtesa e tij, por dua të them se tek- tuk, në rrëfimet e tij ka diçka që të bind, se legjendat ku ndodhin mrekullitë nuk janë vetëm fryt fantazie e tashmë të vdekura. Jetojnë akoma. Ja një shembull me tregimin: “Dasma e Viktorit, Ema Cerna dhe Butrinti.”
Një vajzë e bukur çeke, që shkollohet me të e fle një kat më lart në konviktin e tij dhe me të cilën ka pasur dikur një flirt të bukur dashurie, tashmë ka humbur prej dyzet vjetësh në ndarjen e madhe të ideologjisë së dy shteteve. Një telefonatë me të pas rënies së komunizmit drejt shoqes së tij bukuroshe nuk i kujton asgjë Emës në Pragë. Ajo e ka harruar emrin e djaloshit korçar me të cilin ka shkëmbyer ca puthje të zjarrta dikur. Por ironia e fatit dhe kripa e rrëfimit nuk mbaron këtu, vazhdon të tallet si ne legjenda edhe më tej. Pas 20 vjetësh të tjerë më shumë (domethënë plot pas 60 vjetësh) një nate në Festivalin e Butrintit, pas shfaqjes, Piro dhe Bebi, gruaja e tij, marrin me dëshirë dy aktore çeke në makinë. Rrugës flet me çekishten e tij të shkëlqyer me të renë dhe me gruan e moshuar gjithfarë bisedash zbavitëse. Pastaj ndahen në hotel.
Të nesërmen kap një fletë katalogu dhe risheh emrat e aktorëve të trupës çeke.
Mosss!

Gruaja që solli prej Butrintit në Sarandë dhe u shkrinë së qeshuri tërë rrugës paska qenë vetë Ema Cerna, vajza e ëmbël me të cilën puthej gjashtë dekada më parë…
Rrëfimet e tjera janë plot e përlot me rastësi të tilla, që bëjnë gjëmime fatesh në kujtesën e lexuesit që do ta ketë në duar.
Duke qenë një mik, nxënës e koleg prej gati i një jete me Piron, një adhurues i rrëfimeve të tij plot jetë e gjallëri, mund të paragjykohem se po e gjykoj me pak hatër këtë libër. Ndaj e solla këtë “çikërrimë” të vogël kaq të bukur prej librit si një dëshmi se të tjera tregime të mrekullueshme ju presin në faqet e tij.
Libra të tillë, që vijnë prej dëshmitarësh të mëdhenj të artit, artistëve themelues të degëve të reja të tij në Shqipëri, siç është filmi, nuk janë më libra kujtimesh personale. E kapërcejnë këtë gjini letrare shumëfish, sepse rrezatojnë më gjerë dhe janë vetë muret mbajtës të historisë së gjallë të filmografisë shqiptare.

Dhe së fundi, (pse të mos e them?) jam i lumtur e ndihem krenar që ma besoi mua si “mbles” takimin e tij të parë të këtij libri me lexuesin. Sepse kam privilegjin e kaq dëshirueshëm ta uroj i pari duke i thënë:
Faleminderit që po lë pas kaq shumë pasuri Mjeshtër!

Petrit Ruka
Tiranë, tetor 2018