Suplementi Pena Shqiptare/ Tregim nga Niko Gjoni: Në heshtjen e asaj vajze

Ndodh që ekzistencën e njeriut ta krahasojnë me një varkë të rrahur nga dallgët e detit, apo oqeanit.Ngjarjet që përballen me ne përditë na prekin kalimthi dhe janë si era që të shtyn për të ditur më shumë në një drejtim apo në një tjetër. Jeta jonë është thjesht një ndodhi ngjarjesh të trishtuara apo dhe të gëzuara. Në të ne ndeshemi me njerëz me vullnet të dobët, apo dhe të fortë, me persona të  edukuar, por dhe me të tjerë me sjellje brutale dhe vulgare.,Kështu dhe gjendja jonë shpirtërore merr ngjyra të ndryshme, optimizmi apo dhe pesimizmi.Por, lumturia që ne kërkojmë duhet të jetë patjetër vepër e Jona. Unë dhe ime shoqe, në jetën tonë bashkëshortore duke mbështetur njëri tjetrin priremi nga më e mira. Jo rrallë, ulemi tek klubi këtu tek rruga e Kavajës, përballë me Kishën Katolike dhe bisedat mes nesh janë kryesisht për dy vajzat tona të mrekullueshme dhe qershia mbi tortë, mbesa Sofia që na i mbush shpirtin me jetë të gëzuar.

Në stinën e pranverës dhe jo vetëm në atë klub ka frenkuentim të dukshëm nga të rinj e të reja, por dhe nga burra dhe gra, familjarë që gjejnë qetësi dhe një shërbim korekt. Në anë të trotuarit përballë janë disa njësi si :”Mishi hallall”, farmacia “ Farma Vitta” dhe të tjera me radhë. Kamarierja e shkathët Jona me sytë e gjelbërt e plot ndriçim na buzëqesh dhe merr si zakonisht porositë tona, ndërkaq hyjnë e dalin lloj-lloj qytetarë, por mes tyre dhe ndonjë që na tërheq vëmëndjen.

NOA

Atë mëngjes frynte një erë që përcillte deri tek tavolinat tona gjethet e shkëputura të pemëve. Kamarierja na afrohet duke dhënë mendim se mund të uleshim në tavolinat brenda lokalit nëse era do të vazhdonte. Mes rreshtave të tavolinave dallojmë një grua të shëndetshme veshur krejt me të kuqe, madje dhe në kapelen që mbante kish vendosur një trendafil të kuq. Ajo i thërret me zë të lartë dikujt dhe qesh aq fort sa na shpon veshët. Një skenë e papëlqyeshme nga gjithkush që ulet për t’u qetësuar e për të pirë kafe, kakao apo lëng frutash për qejfin e tij. Të dy ne shikojmë se si ndiqet me sy lëvizja e shfrenuar e saj dhe po mes tavolinave duke i shtyrë me dorë kalon një tjetër grua, po trupmadhe që i drejtohet tavolinës së lirë me hap të shpejtë duke trokitur takat e zhurmshme me pafka metalike sa të detyron të kthesh kokën. Ai mëngjes vjeshte dukej sikur bashkë me erën po trazonte sëbashku tipat e njerëzve. Në një tavolinë tjetër paf-puf ndizet e thithet cigare e aty pranë nesh një grup të rinjsh, mbuluar trupin me tatuazhe bisedojnë me zë të lartë për ngjarjet që janë shfaqur ose jo në television, por që kanë të bëjnë me kronika të zeza. Kamarierja u afrohet djemve që pinë cigare duke i folur qetësisht se mund ta pijnë cigaren jashtë, aty nuk lejohet…ata revoltohen duke e kundërshtuar dhe se asaj nuk kish ç’ti duhej. Biseda dhe në këto raste kalon tek dy vajzat tona, shoqëria e tyre me të cilën njihemi dhe ne dhe shikojmë se si kur njeriu bën jetën e sinqertë, me kulturë dhe në një shoqëri të pastër, ndihet më komod. Kjo ndodh me njerëzit e kulturuar, të edukuar , arsimuar dhe fisnik…

Por, nuk mund t’i shmangemi realitetit. Lajmet ku vajza vret për vdekje babanë, djali prindin, nusja bashkëshortin e burri gruan na krijojnë situatë të rënduar. Përse mbizotërojnë kronikat e zeza?! Pak raste pozitive ka nga shqiptarë brenda dhe jashtë Atdheut, nga ata ose ato që ngrenë lart emrin e Shqipërisë? Ekzistojnë sot individë që realizojnë mrekulli autentike me vullnet. Jeta e tyre personale ka intensitetin dhe qëllimin e progresit. Mund të jenë të paktë në numër por janë mes nesh.

Na duhet të shkojmë jo rrallë tek farmacia përballë, “Farma Vitta”.Farmacistja një vajzë e re shërben në qetësi të plotë duke sqaruar çdo klient rreth medikamentit që merr dhe mënyrën e përdorimit.Nëse mungon ndonjë ilaç ajo mban shënime dhe interesohet në depon farmaceutike për ta patur qoftë dhe një kërkesë të vetme në farmaci. Flet ngadalë e qartë, pa u mërzitur nga askush. Heshtja në sytë e në fytyrën e saj duket sikur flet në mënyrën më të këndshme.

-Sikur Zoti të na kish dhënë dhe një djalë, unë për një vajzë si kjo farmacisja do t’i lutesha djalit të martohej, të krijonte familje.

-Ke të drejtë. Nuk gjen vajza të tilla sot, përgjigjet ime shoqe.

-Ka! Si nuk ka? Kjo farmacistja është një shëmbull që e kemi pesë hapa larg. Ke të drejtë se është e vërtetë që lumturia në mënyrën e të zgjedhurit është një fakt me karakter personal dhe të brendshëm. Nuk njihen lehtë as vajzat dhe as djemtë. Ka lezet vajza me tiparet e një qytetareje dhe intelektualeje të mrekullueshme farmacistja që kemi kohë ku marrim ilaçet me atë zërin e ëmbël dhe fytyrën e qeshur të lehtëson nga shqetësimet. Por, kam qënë dhe në farmaci të tjera.Të përgjigjen me arrogance. Nuk e kemi! Shiko; ka farmaci plot Tirana. Lum ai djalë që do ta ketë shoqe jete. Por nuk më dha Zoti një djalë; një vajzë si kjo shton harmoninë, kënaqësinë. Ime shoqe buzëqesh, sikur do të më thotë, tani jemi gjyshër more burrë, në tjetër kohë mund të plotësohej kjo dëshirë.

Duke biseduar me një nga doktorët që vinë shpesh në lokal, bie fjala dhe tek sjellja e mjekes së familjes, apo dhe tek kjo farmaciste që e kemi aty afër…

-Sot si ajo ka shumë të rinjë e të reja, që përpiqen të formojnë jetën e tyre organike, intelektuale dhe morale dhe me mbështetjen e shoqërisë së mirë krijojnë ekulibrin që u duhet në jetë. Farmacistja është një nga këto rastet- thotë doktori i njohur në ambjentet e spitaleve dhe klinikave të mjekësisë. Ndërkaq mendoj se si gëzimi, ankthi, frika, kënaqësia, shqetësimi, zëmërimi janë të prirur vazhdimisht në ditët tona të trazojnë qëndrueshmërinë, të qënit i lumtur. Nëse kërkon të të respektojnë të tjerët, duhet ti i pari të respektosh veten tënde, të jesh plot dinjitet e korrektesë. Vajza farmaciste është një nga  të mirat e shoqërisë duke dhënë një opinion dominues tek të gjithë. Atë e takon duke marrë përshëndetjen e qetë, pëshpëritëse, dhe tek kafja ku ne ulemi. Dhe aty ndodh ta shohim se si takon qytetarë me receta në duar ku diskuton në mënyrë bindëse për efektin e secilit medikamenti duke treguar dhe rastet pozitive që janë reflektuar tek të sëmurët, që marrin mjekimin përkatës. Farmacia është gjithnjë e pastër dhe ndërsa kalon tek sporteli shikon vështrimin e saj që zgjat dorën e merr recetën dhe përsëri në heshtje kthehet e buzëqeshur duke të sjellë ilaçet dhe shpjeguar rolin e tyre në  mënjanimin e sëmundjes tek ne. Ngrihemi nga tavolina, të dy, ndërsa në anët e trotuareve pemët shkundin degët e gjethet e kuqërremtë mblidhen nën degët gati të zhveshura .Çdo stinë është e bukur kur di si ta jetosh çdo ditë.