Suplementi Pena Shqiptare/ Ferit Metuku: Rrëfimi i një banori … Qengji ”diversant” dhe ”kulaku” i fshatit…

736
Sigal

Të gjithë ata që e kanë përjetuar atë regjim të kaluar të para ’90-ës, e dinë mjaft mirë se si funksiononte struktura apo organika nëpër fshatrat e vendit. çdo fshat kishte edhe një dezhurn, që kujdesej për gatishmërinë e fshatit. Sigurisht, caktoheshin njerëzit më të besueshëm dhe më vigjilent në kryerjen e detyrës së ngarkuar. Pa dashur të zgjatem në këtë histori, një ditë, në një fshat të zonës së veriut, dezhurni i fshatit kishte pikasur me shumë kujdes, se si një banor i fshatit kishte futur në mënyrë ”klandestine” një qengj. Në momentin që dezhurni vigjilent e kishte pikasur, menjëherë kishte njoftuar me telefon kryetarin e këshillit të fshatit, (se në atë kohë, kryetari i këshillit, veç telefonit që kishte në zyrën e tij të punës, mbante edhe një telefon në shtëpinë e tij), për ”incidentin” që kishte ndodhur. Kryetari i këshillit, menjëherë sapo kishte marrë njoftimin, kishte thirrur mbledhjen urgjente të këshillit të fshatit, ku i kishte vënë në dijeni për ”ngjarjen” që kishte ndodhur në atë fshat. – Ore kryetar, para se të marrim një vendim për personin në fjalë, ta thërrasim atë dhe ta pyesim, se si qëndron e vërteta, i kishin thënë anëtarët e këshillit, kryetarit të tyre. Pas kësaj, me sa duket, ishte bindur edhe kryetari. E kishin thirrur në mbledhjen e këshillit, fshatarin e shkretë, dhe e kishin pyetur, se përse e kishte marrë qengjin? Ai ishte përgjigjur, se e donte për ta therur kur të martonte djalin e tij, dhe se nuk kishte asnjë thelë mishi për të ftuarit, kur të bënte dasmën, madje, ai i ishte drejtuar edhe kryetarit, ku i kishte thënë, se edhe ti, o kryetar, do të jeni i ftuar në dasmën e djalit tim, dhe se ty të takon edhe thela më e madhe e qengjit, sepse ju jeni kryetari i këshillit të fshatit tonë, dhe si i tillë, duhet të respektoheni. Kryetari, tashmë i acaruar dhe i nervozuar me këtë përgjigje që i kishte dhënë fshatari, i drejtohet këtij të fundit, dhe i thotë: – Po si kur të gjithë ata që martohen, të marrin nga një qengj, a e dini se çfarë mund të ndodhë në fshat? A e dini se veç një lopë dhe një kafshë pune (gomar ose kalë), nuk lejohet të mbani gjë tjetër? – Do të dalim kundër vijës dhe direktivës së Partisë, – ishte përgjigjur vetë kryetari i këshillit. Pas shumë debatesh që ishin zhvilluar në atë mbledhje, më në fund, këshilli i fshatit kishte vendosur, që fshatari i cili kishte mbajtur qengjin në mënyrë ”klandestine”, t’i sekuestrohej menjëherë dhe të dorëzohej në tufën e kooperativës, si dhe t’i propozonte organizatës së frontit demokratik të fshatit, që t’i hiqej tesera e frontit demokratik për 6-muaj! Një parantezë, për ata që nuk e kanë jetuar atë regjim: Atij personi që i hiqej ky dokument (tesera e frontit), automatikisht shpallej ”kulak” ose i ”deklasuar”, thënë ndryshe me termin e asaj kohe. Pra, pas asaj që kishte ndodhur, nëse atij fshatari, do t’i hiqej ky dokument, konsiderohej jo më banori i fshatit, por …”kulaku” i fshatit! Pas komunikimit të kësaj mase, kryetari i këshillit i ishte drejtua fshatarit, duke i thënë se, a kishte gjë tjetër për të thënë? Ndërkohë, fshatari i ishte përgjigjur: -Shyqyr që nuk kisha blerë një viç , se do të përfundoja në burg, por të paktën, më lejoni për pak kohë që të mbajë një gjel deti, e ta ther për dasmën e djalit! Ja pra, kjo ishte dhe ”vigjilenca” e dezhurnit të fshatit, që ishte bërë shkak, që ai fshatari i shkretë, të ndëshkohej me një masë të rëndë dhe ekstreme. Teksa njihesh me këtë fakt, a mund të konsiderohej normale, që për një fshatar që kishte blerë një qengj, e që do e therte kur të martonte djalin e tij, të mund të konsiderohej, si një ”diversant” që kishte hyrë në fshat, e aq më keq akoma, të shpallej edhe ”kulaku” i fshatit …?! Ja pra, ky ishte regjimi i asaj kohe, për një qengj që të mund ta mbaje pa leje, jo vetëm që shpalleshe ”kulaku” i fshatit, por mund të përfundoje edhe në…burg”! Kështu e mbylli rrëfimin e tij, banori i një fshati nga zonat e thella të veriut…