Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Vukaj: Hija e “Purgatorit” në vargjet e Pashko Vasës

122
Sigal

Poezia “O moj Shqypni”, me 72 vargje, botuar në vitet 1878- 1880 konsiderohet si një nga tekstet poetike më të rëndësishme të shekullit XIX. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit kjo u bë moto, sidomos për vargun lapidar: “Feja e shqyptarit asht shqyptaria”. E recituar mijëra herë, e analizuar pa fund, e muzikuar qysh në vitin 1910 nga orkestra muzikore Vlorë kjo poezi u bë shumë popullore. Natyrisht, duke qenë pjesë e një letërsie të angazhuar, ky është një tekst poetik që i ka vlerat tek fryma qëllimore e saj, tek mesazhet e forta që përcjell, tek thelbi patriotik, tek ekzaltimi i lavdisë së dikurshme dhe klithma alarmuese ndaj realiteteve mjeruese të kohës.

Siç dihet, poezia politike është e vjetër në historinë e poezisë botërore. Nga ana tjetër, raporti mjeshtër dishepull është jo vetëm marrëdhënie të nxëni dhe akt trashëgimie, por mbi të gjitha, gjenerues dhe ushqyes i fuqishëm i krijimit të vlerave të vërteta. Kështu, Virgjili- mjeshtër gjeneroi dishepullin- Dante. Por kushedi sa dishepuj pati dhe vazhdon të ketë Dante Aligieri. Dishepuj që u bënë mjeshtër të dishepujve të tjerë të panumërt në pafundësi. Një perpetuum mobile, që nuk ndalet kurrë. Kur flasim për ndikimin e një artisti mbi një tjetër, kemi të bëjmë me këtë raport. Natyrisht që ndikimi nuk është plagjiaturë; ndikimi është përthithje e AND- së së një krijuesi nga një krijues tjetër, sidomos për shkak të pikave të ngjashme mes dy shpirtrave krijues, apo për shkak të realiteteve të ngjashme historike, sociale, natyrore, psikologjike etj., që prodhojnë materien estetike të veprës, sado larg apo afër qofshin në kohë a hapësirë. Me njëfarë marrëveshjeje fjale, ndikimin mund ta quajmë edhe një lloj empatie artistike. Klithma poetike tek “O moj Shqypni” ka diçka të përbashkët me disa vargje nga Kanga VI e “Purgatorit” të Dantes. Konkretisht:

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

Kush të ka qitë me krye n’hi?

Ti ke pas kenë një zonjë e randë,

Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Te “Purgatori”

O Itale skllave, dhembjesh ba hostel,

anijë pa timonier në mes t’stuhisë,

jo zonjë përmbi provinca, por bordel! (Shqip: Meritan Spahija)

(Ahi serva Italia, di dolore ostello,

nave senza noçhiere in gran tempesta,

non donna di provincie, ma bordello!)

Përveç ngjashmërisë së apostrofave në hyrje të njësive poetike dhe përdorimit me ndjenjën e pikëllimit të fjalës “zonjë”, që nënkupton nënën, gjejmë edhe bashkëpërkime të tjera të pjesshme apo të plota. Janë interesante personifikimet për atdheun me emra femërorë. Kjo ndodh jo për shkak se të dyja vendet, “Italja” dhe “Shqypnia” janë emra të gjinisë femërore. Arsyeja është tjetër; ajo konsiston në fuqinë e madhe që ka personazhi femëror për të transmetuar dhimbjet më sublime të shpirtit njerëzor ose, siç thotë Hygo: “Një grua e mjerë është dhjetëra fish më e mjerë se një burrë i mjerë”. Dhe kjo ndodh në çdo pozitë ku ndodhet gruaja, nënë apo bashkëshorte qoftë. Te P.Vasa kemi:

Ka mbetë e ve si grue pa burrë,

Ka mbetë si nanë që s’pat djalë kurrë.

Te “Purgatori”

Pa zbrit, shih tanden Romë që lotët s’pranë,

një e vejë që ditë e natë thërret më kot:

“Cezari im pse vetëm më ke lanë.” (Shqip: Meritan Spahija)

(Vieni a veder la tua Roma che piange

vedova e sola, e dì e notte chiama:

“Cesare mio, perché non m’açompagne?”)

Kapitulli i përçarjeve shfaqet gjithashtu si një sfond dramatik në të dyja këto realitete të largëta historike. Te P. Vasa:

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,

Ndër njiqind çeta jeni shpërnda;

Ca thonë kam fè ca thonë kam din;

Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”

Te “Purgatori”

N’sa i gjallë tek ti nuk mbet pa u përzi

ndër sherre e kaq e fort rrinë tue u brejtë

dhe pse i bashkon një mur apo një vijë (Shqip: Meritan Spahija)

(e ora in te non stanno senza guerra

li vivi tuoi, e l’un l’altro si rode

di quei ch’un muro e una fossa serra.)

Motivi i laicizmit paraqitet në të dy realitetet me të përbashkëtat, por edhe me të veçantat e veta. Tek Pashko Vasa vargu “Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, që vjen si rrjedhim i vargjeve të mëparshme me terma e nocione fetare, shfaqet si një imperativ që u duhet kumtuar njerëzve të një kombi me probleme specifike dhe larmi religjioze, shpesh me ekuilibre delikate bashkëjetese, duke e parë me frikë diversitetin dhe institucionet e kultit në mënyrë skeptike, për të qenë elemente përbashkuese.

Te “Purgatori”

O ti që duhej të ishe i përkushtue

e Cezarin ta lije përmbi shalë,

n’se vesh e merr çfarë Zoti të ka shkrue… (Shqip: Meritan Spahija)

(Ahi gente che dovresti esser devota,

e lasciar seder Cesare in la sella,

se bene intendi ciò che Dio ti nota…)

Pasi i është drejtuar Italisë, poeti tani i drejtohet Kishës. Në këtë thirrje ai i drejtohet klerit, që në vend që të jetë i përkushtuar ndaj punëve të Perëndisë, ka humbur krejtësisht përqendrimin në atë fushë ku ka edhe thirrjen, por merret me politikë. Pra, sipas Dantes, Kisha nuk po merret me pushtetin e përjetshëm (punët e Perëndisë), por me pushtetin e përkohshëm (punët e njerëzve) të cilën vetë Perëndia ia ka ngarkuar perandorit. Rreshtat biblikë të cilëve u referohet poeti janë Ungjilli sipas Mateut 22: 17-21: “Na thuaj pra si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?” Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë? Më tregoni monedhën e taksës.” Atëherë ata i treguan një denar. Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?” Ata i thanë: “E Cezarit.” Atëherë ai u tha atyre: “Jepini pra Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.”Cilado qoftë rruga e lindjes dhe e krijimit të vargjeve të bukura të poezisë “O moj Shqypni”, pasi të gjitha ngjashmëritë mund të jenë të rastit, ato (ngjashmëritë) janë mjaft interesante. Së pari dëshmojnë për Pashko Vasën si një poet dhe intelektual të kalibrit të lartë. Së dyti dëshmojnë për një patriot me peshën e një iluministi të rrallë. Së treti, në rastin e ndikimit, dëshmojnë për kulturën dhe erudicionin e thellë të një individi me dije të pazakonta dhe talent të spikatur.