Suplementi Pena Shqiptare/ Zhuljeta Grabocka Çina: E dua pranverën

561
Sigal

E dua pranverën,
si një shall të blertë hedhur krahëve,
e rrëqethur prej ftohtit të mëngjesit,
kur paqen e ngrohtësisë së puthjes e lë në shtrat.

E dua pranverën,
të më veshë trupin
me një tufë rrezesh të më rrëmbejë në krahë,
pllajave e kodrave, të më ngjitë,
të dihatur si Abrahami i bindur urdhrit të flijimit
malit të shenjtë në lartësitë e Sinait.

E dua pranverën,
nazike e të pambrojtur
tek grindet me erën e athët të dimrit,
me zërin e burbuletjes së sytheve,
të më thotë: – Hiqi sandalet!
Në tokën e shenjtë ke shkelur, akull e zjarr!

I hoqa sandalet, dhe eca e përkëdhelur nga fija e re e barit.
Aty – këtu nëpër lëndinë ka çelur luledeleja, ka çelur lulekaçja
Aty – këtu nëpër zhaurimën e gurëve rri e ndrojtur manushaqja!
Prushëruese kërcitja e shkurres nga flakët e zjarrit,
si në ritualin e përmotshëm të paqtë e hyjnor.
Imazhi i Moisiut, përqafon erërat, tokën e qiellin!
Në magmën e shpirtit të katër stinët e vitit më bëhen “Një”!

Unë e dua pranverën,
kur polemin me erën e luleve tej e tej e shpërndan
i vështirë, kërcënues e i pabesë është rreziku,
si përndjekja e kryqëzimi i Krishtit,
si ecja mbi Detin e kuq!
si tundimi në mal!
Hartën e ADN-së, natyra mes lulesh e përflak!
Triumfin e jetës, tinguj e ngjyra asgjë s’e ndal!
S’e ndal blerimin!
S’e ndal lulëzimin!
S’e ndal!