SHPIRTRAT E MËDHENJ HAPEN SI HORIZONTI…
Si dhe sa e lexojnë shkrimtarët njëri-tjetrin? Ka autorë që lexojnë dhe shprehen për të tjerët. Ka autorë që lexojnë, por nuk flasin për të tjerët. Ndërsa një palë, megjithëse kolegët nuk i lexojnë, gjithandej i mohojnë dhe vetëm i mohojnë. Nga vreri i zi këta janë të gatshëm të mohojnë edhe Zotin, vetëm e vetëm pse i la përgjysmë si shkrimtarë.
Sa interesant është komunikimi midis kolegëve, në rastet kur korrespondenca ekziston. Shpirtrat e mëdhenj janë si horizonti, që pason horizontin dhe, ndërsa hapësira zgjeron kufijtë. E madhërishmja aty zotëron.
E gjej këtë shenjë edhe në letrën e mëposhtme të kolegut, që merr shkas nga një roman në dorëshkrim. Është shkruar nga Mehmet Kraja, një autor i mirënjohur, i cili qëndron me dinjitet në ballë të letërsisë shqipe, duke sjellë kontribute të shquara në zhvillimet e romanit bashkëkohor. Por i njohur gjerësisht edhe si polemist i flaktë, logjik dhe argumentues, i papajtueshëm ndaj çdo kompromisi, që shkel interesin publik. Mehmet Kraja, tashmë, është gjithashtu Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Përshëndetje mik Zija:
U përpoqa të lidhem me ty në vibër, t’i dërgova nja dy mesazhe, por e shoh se nuk i ke marrë. Më anë tjeter, të shoh hera-herës në fb, çka më bën të kuptoj se e ke ndalur telefonin dhe je duke bërë pushim për merak!
Sikundër mund ta marrësh me mend, me ta marrë romanin e printova, sepse të tillë e lexoj më mirë. Dhe e lexova jo me nguti, as duke i vênë vetes ndonjë detyrim, por për pikën e qejfit, ngadalë, duke shijuar secilën fjali, secilin paragraf. E përfundova para dy ditësh dhe, siç e kemi bërë zakon, i shkrova nja tre paragrafë të shkurtë, duke u përpjekur të bëj një kondensim mendimesh, në mënyrë që të jem i saktë dhe joinflator. Kjo më shkaktoi pak mundim, më shumë se po të kisha shkruar gjatë e gjatë. Tani këtë tekst të shkurtër po ta dërgoj, pa obligim që ta përdorësh, por edhe nëse e perdor, je i lirë të bësh çfarë të duash me të. Besoj se idete aty janë të qarta. Për mua kjo ka rëndësi… Dhe ka rëndësi të them saktë, pa ekuivoke: je romancier i mbaruar dhe ta kam lakmi për lehtësinë me të cilën e bën “rrëmujë” këtë botën tonë të dhjerë!
Urime mik! Tani bëj një pushim se e ke hak.





















