Suplementi Pena Shqiptare/  Zamira Agalliu: Një pauzë

147
Sigal

Një pauz’ mora, dhe pashë brenda meje një miks të rrallë…

Pasioni prek racionalen.

Qetësia e natyrës gërshetohet me temperamentin.

Ftohtësia tretet nga ritmet afrikane.

Kjo jam unë: E rritur nga vështrimet e fatit tim, të cilit i kam shpallur luftë të hapur për jetë a vdekje.

E urreva veten për disa momente, si nuk kam ditur të jem pak egoiste “xhanëm”?!

Për guximin e tepruar, atë guxim që më shtyu t’i thoja fatit “jam këtu” , atë guxim që më dha kurajon të përballoja pritjen, ardhjet, ikjet, humbjet, fitoret, zhgënjimet, gëzimet e shkurtra që jetojnë sa një ylber …

Ai guxim nuk mundi të zbehej asnje çast. Tani që shoh si nga dritarja të kaluarën e afërt dhe atë të largët, të cilat nuk kanë asnjë ndryshim përvecse kalendarik, më vjen të qesh edhe të qaj në të njëjtën kohë!

Tani e di që beteja është e humbur! Askush-askush nuk e ka fituar atë para meje. As pas meje askush s’ka për ta fituar !

Unë dua që fati të lodhet me mua, dhe të thotë;

“Ishte një luftëtare e fortë” …kaq më mjafton:

A nuk do të ishte kjo një trofe?

Kjo pauzë m’u duk një shekull …!

Por më mjaftoi për t‘u mbushur me frymë dhe për të hedhur një vështrim të gjatë drejt së ardhmes. Ahhh kjo e ardhme që është vetëm iluzion, por që më bënë të ec përpara me ritmin e sahatit.

Këmbana tjetër duhet të më gjej atje, ja atje lart; as unë nuk e di se ku, mjaft të mos më gjejë përsëri këtu pa bërë asgjë.

Nesër do të jetë një ditë e re , e re , sido që të jetë, diell, shi, erë, suferin, diell

mirë se të vijë, jam këtu për ta jetuar për ta përballuar, si një pemë shumë vjeçare që jetoj katër stinët e gjelbër …