Suplementi Pena Shqiptare/ Xhahid Bushati: Poeti Zef Zorba në shqipërimin e E. Montales, S. Quasimodos, G. Ungarettit

534
Sigal

Shënime për librin: “Montale, Quasimodo, Ungaretti “Perfectum trinum”, shqipëroi dhe parathënie Zef Zorba, Çabej, Tiranë, 2019-

1.At’ stinë pranvere që e njoha Zorbën

Teksa po lexoja gjithë vëmendje librin e sapo dalë në qarkullim “Montale, Quasimodo, Ungaretti” -Perfectum trinum-, poezi të zgjedhura, shqipëruar dhe me parathënie të poetit të shquar Zef Zorba; njëherësh, përmes viteve, më erdhën ca kujtime që nuk mund t’i harroj lehtë, që më sillnin në memorie dhe në kujtesë: At’ stinë pranvere që e njoha Zorbën, ato pak kafe që i piva me të, fjalët e pakta, vështrimin e përqendruar e të menduar përmes gjyzlykëve me ngjyrë, tundjen e lehtë të kokës, buzëqeshjen e largët, të afërt e pakëz të zbehtë, buzët ende “të ngrira në gaz” edhe pse kishin kaluar vitet ’90, si dhe ajo shprehja e tij proverbiale që e kishte për zemër e të zemrës, plot dhimbje: “jeto pa u vënë re…”. Eh, ç’më kujtonin kujtimet! Më kujtonin shumëçka…

Libri përmban rreth 100 poezi të tre poetëve të mëdhenj italianë të shekullit XX që bënë epokë. U botua më mjeshtëri e profesionalizëm nga Botimet Çabej. Libri kishte vite që rrinte në sirtar (si dorëshkrim) përmes ditëve e viteve të heshtjes, deri një ditë si kjo…, kur pa dritën e bardhë të botimit. Kjo falë veprimit të dy bijave të Zorbës për ta paraqitur për botim.

Veprimi i tyre është një akt fisnikërie në shërbim të kulturës shqiptare, për të njohur elitat e vërteta krijuese e njëkohësisht për të plotësuar e dritësuar më tej portretin e Zorbës, për ta ridimensionuar atë, ndonëse dorëshkrime të tjera të poetit presin radhën për të parë dritën e botimit. Me të drejtë Botuesi “Çabej” në shënimin e librit shprehet: “Zef Zorba ka zgjedhur t’i sjellë në shqipen e njësuar të standardit vjershat italiane, ashtu si shkruante jo rrallë edhe poezi të vetat, duke ndërkallur hera-here elemente të gegërishtes e më rrallë edhe ndonjë të toskërishtes.

Pra është treguar i hapur ndaj përdorimit të trajtave gjithfarëshe.” Libri me rreth 100 poezi zgjedhur e shqipëruar nga Zorba shoqërohet edhe me një parathënie e shkruar nga ai 35 vjet më parë. Është një përkushtim dinjitoz kushtuar E. Montales, S. Quasimodos, G. Ungarettit; ndonëse titullohet “Dy fjalë nga Shqipëruesi”. Njohja ka disa rrafshe, si: -Zorba për tre poetët italianë dhe biografitë e tyre., -Zorba dhe letërsia italiane, procesi zhvillimor i saj., -Zorba dhe shikimi i poetikës së përbashkët të tre poetëve., – Zorba dhe njohja bibliografike e studiuesve të tjerë, të cilët me shkrimet e tyre u janë qasur tre kolosëve italianë. Kjo njohje e thelluar poetike dhe stili nga ana e Zorbës ndikuan fuqimisht jo vetëm në procesin krijues, por kryesisht te vëllimi i tij poetik “Buzë të ngrira në gaz”, libër që e përcaktoi Zorbën si individualitet i spikatur e që solli risi në rrugëtimin e poezisë shqipe.

2.Poezitë e zgjedhura të këtij libri me tekst italisht përbri

Jo vetëm gjatë përzgjedhjes e shqipërimit por edhe te parathënia, shfaqen dukshëm disa dukuri, si:

-Këndi i vështrimit të Zorbës,

-Paraqitja poetike, procesi letrar dhe ndikimi në letërsinë italiane,

-Çfarë theksoi Zorba në portretin e tyre poetik,

-Pse ka vlerë dhe dimension parathënia e Zorbës, etj.

 Zorba për Eugenio Montalen

 “Esencialiteti i poezisë së Montales qëndron në këto sfera fragmentare kërkimi të pandërprerë, edhe në zona që mund të duken të rëndomta, por që përfaqësojnë kalime të pashmangshme, të ndërlikuara, sikur është forma e instrumentit muzikor:

Kesh era që cikat sonte vëmendshëm…

… instrumente… kesh era që lind e vdes

në orën që me ngadalë qulloset

le të cikaste sonte edhe ty,

ty instrument i çakorduar…”” (Korno angleze)

Zorba për Salvatore Quasimodon

“Quasimodo që në krijimet e para, si “Ujëra e tokë”, shfaqet poet me brendi të posaçme, jo vetëm formale. Qysh aty vërehet përpjekja për realizime subjektive e më pas te lirikat e mëvonshme, “Oboe i zhytur”, vërehet largimi përfundimtar nga zgjedhja formale, për t’u zhvilluar rreth një qendre lirike më të thellë, me prirje mistike esenciale.”

Zorba për Giuseppe Ungarettin

“Tipar kryesor i poezisë së Ungarettit ka qenë një humanitet i gjithanshëm, dhënë përmes befasisë së britmës të primitivitetit. Këtë synim ai e ka arritur qysh në veprën e parë organike “Gazmendi”, e cila është autobiografia më e shmërtisur që mund të japë një poet me ritmet e temat që e trazonin, me motivet e universales të përkufizuar nga nisja dhe fundi i “Gazmendi-t” :

Mes një luleje të vjelur,

e një tjetre të falur

zeroja e pashprehshme” (“Amshim”)

dhe:

Përmbytjen ma fal,

o Zot, të asaj dite të re

në britmën e parë”. (“Lutje”).

 

  1. Parathënia që na fali Zorba si kredo e librit të tij u shkrua 35 vjet më parë

Krahas shqipërimeve, edhe ajo qëndroi në sirtarin e heshtjes, fatlume e plot dhimbje. Ajo, Parathënia, qëndron denjësisht përkrah shqipërimeve të Zorbës. E ndiej të nevojshme të përmend edhe disa dukuri të tjera të Parathënies së Zorbës, si: -Ajo mbart si koncept e ndërtim një strukturë të qartë, të ngjeshur kompozicionale., – Kompetencë shkencore në zbërthimin e kodeve poetike të secilit poet., – Erudicioni e fjalori i zgjedhur prej studiuesi i Zorbës., – Leksiku i pasur., -Vështrimi analitik vertikal e horizontal i fenomenologjive që mbartnin përkatësine e emrave, si: E. Montale, S. Quasimodo, G. Ungaretti.

 

  1. Tre poetët italianë frymuan te Zorba, po aq edhe Zorba frymoi tek lavdia poetike italiane

Zorba, si gjithnjë e si gjithmonë i heshtur dhe modest, i vuri këtë kurorë  si mbyllje Parathënies së tij: “Veç meritave të mëdha, tre poetëve të shqyrtuar shkurtimisht me krijimet e tyre, të cilat kanë hyrë fort në letërsinë botërore, u takon edhe merita e hapjes së shtigjeve të reja. Sot në Itali lulëzon një plejadë poetësh të rinj me tipare individuale që e çojnë e do ta çojnë poezinë gjithnjë e më përpara. Këto pak shënime nuk mund të mos përmbyllen me lirikën që Ungaretti, me dashuri e ndjenjë profetike, ka vendosur në fundin e librit Ndjenja e kohës:

“Pemët e nata

Nuk lëvizin më

Veç çerdhesh” (Heshtja e yllëzuar).