Siguria në aeroporte – Shqipëria vendi më i pasigurt në Ballkan

474
Sigal

Si bëhet mbrojtja e aeroporteve dhe transfertave të parave në botë

Grabitja e radhës e ndodhur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasi ishte një goditje e fortë e sigurisë kombëtare të vendit, kjo dhe për faktin se ngjarja e ndodhur ishte e përsëritur dhe vërtetoi se nga shteti shqiptar nuk është bërë asnjë përpjekje për të përforcuar masat mbrojtëse në aeroport.

Sistemi i sigurisë në shumë vende të botës është sofistikuar ndjeshëm vitet e fundit, sidomos pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por duket se vendi ynë ka mbetur në vend, sepse ndër parametrat e sigurisë që janë të përcaktuara anembanë botës, shumë pak prej tyre zbatohen në Shqipëri dhe kjo u vërtetua në grabitjen e ditës së martë. Në fakt duke iu referuar klasifikimit të të revistës amerikane “Global Finance”, Shqipëria renditet e 69-ta nga 128 shtete të botës për sa i përket sigurisë në aeroporte. Ndër vendet e Ballkanit, ne jemi të fundit duke qenë vendi më i pasigurt në Rajon.

Siguria e aeroporteve në botë

Shumë shtete të zhvilluara, por edhe ato të botës së tretë kanë marrë një sërë masash përgjatë viteve të fundit për t’i bërë aeroportet e tyre më të sigurta. Disa vende në Afrikën Lindore dhe Lindjen e Mesme kanë rritur ndjeshëm sigurinë duke caktuar një perimetër të gjerë sigurie rreth e rrotull aeroportit.

Rrethimet e sigurisë fillojnë qindra metra larg terminaleve dhe hyrjes së aeroportit. Makinat dhe autobusët shqyrtohen dhe kontrollohen nga personeli i trajnuar i sigurisë dhe çdo automjet ose udhëtar i dyshimtë nxirret jashtë perimetrit të sigurisë për një inspektim më të plotë. Ndryshe nga aeroporti “Nënë Tereza”, ku udhëtari lejohet të hyjë direkt në godinë, pasi në dyert e aeroportit nuk ka rojë sigurie, në pjesën më të madhe të aeroporteve në botë, si brenda ashtu edhe jashtë godinës, policët patrullojnë dyert e hyrjes duke ndaluar çdo udhëtar të dyshimtë.

Nëse do të zbatoheshin në vendin tonë, këto masa do të ofronin një siguri shtesë, duke u ofruar minimalisht autoriteteve të sigurisë mundësinë që të sinjalizimin për hyrjen e personave të dyshimtë apo edhe të armatosur. Pas sulmeve terroriste në aeroportin e Brukselit dhe Stambollit, Mbretëria e Bashkuar ka prezantuar në OKB një konventë të posaçme për të përmirësuar standardet ndërkombëtare të sigurisë në aeroportet anembanë botës, e cila ka marrë mbështetjen e shumicës së vendeve evropiane.

Kjo strategji ofronte një sërë masash efektive përmes rritjes së rojeve në aeroporte, rritjen e kontrolleve të sigurisë dhe shtimin e hyrjeve dhe daljeve emergjente në rast rreziku.  Vetë Britania e Madhe ka ndërmarrë tashmë një sërë hapash për të përmirësuar sigurinë ndërkombëtare të aviacionit dhe ka sot ndër aeroportet më të sigurta në botë. Ajo ka krijuar një rrjet monitorimi për të gjitha kompanitë private që ofrojnë shërbimet e sigurisë ne aeroporte.

Transferimi i parave cash

Pavarësisht trasnfertave online, paratë cash vazhdojnë të transportohen anembanë globit, kryesisht nga bankat që transferojnë fonde nga një filial në tjetrin, por masat e sigurisë gjatë këtyre transfertave janë të pakauleshme. Zakonisht paratë transportohen nëpërmjet linjave ajrore komerciale dhe atyre të mallrave.

Para se të mbërrijnë në aeroport, paratë futen në kasaforta të cilat mund të hapen dhe mbyllen vetëm nga vetë banka. Këto kasaforta mund të mbajnë deri në 5 milionë dollarë dhe janë të pajisura me sisteme gjurmimi si dhe kode që shërbejnë për hapjen dhe mbylljen.  Nga banka, automjetet e blinduara transportojnë kasafortat si gjatë dërgimit në aeroport, ashtu edhe gjatë transferimit për në bankë.

Sipas rregullave të sigurisë, ato futen në avion, ndërkohë që udhëtarët bëjnë kontrollet e valixheve të tyre dhe jo ndërkohë që ata janë duke hipur në avion. Sipas “Delta’s Cargo”, artikujt me vlerë të lartë shoqërohen jo vetëm nga rojet e kompanive private, por edhe ato të aeroportit, të cilët janë përgjegjës për çdo incident brenda aeroportit. Rastet e grabitjes së transfertave të bankave janë tejet të rralla jo vetëm në Perëndim, por edhe në disa nga aeroportet më të rrezikshme në botë. Hera e fundit e vjedhjes së një transferte parash ishte në Pakistan, në vitin 2018, kur ngarkesa u grabit pak pas hyrjes në aeroport.