Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Siamezja fenomenale

599
Sigal

Kur artistët prindër gdhendën me pasion
skulpturën e gjallë të trupit tënd,
s’menduan, se me një femër, që verbon,
mund t’i linin meshkujt krejt pa mend…

Ky vështrim i syve me rrezatim të shenjtë,
ditën më sjell aroma, nga lulet dhe pyjet,
netëve më josh me eros e më deh krejt,
derisa ndjehem fllad, që flas me yjet.

Buza, gusha, gjoksi, nektari yt i hojës,
kur nisin të ndezin puthjen e shpuzët,
puthja tjetër fryn prushin brenda gojës
dhe hovi i zjarrit, të flakëron te buzët.

Ndoshta nuk është mishi trazimtar,
që më jep etjen e diellit, përmbi dete,
por lumi i thellë, i shpirtit me valë,
që më fundos dhe përsëri kam etje.

Mos ma ndaj prehrin me dallgë ekstaze,
se më thahet zemra, o moj shpirtushe!
Kthehu drejt meje dhe pulsomë taze,
të më vijë gjaku prapë, nëpër barkushe.

Dy siamezët njihen si një rast përjashtim,
fenomen anomalie, i trupave të ngjitur;
Ashtu të paça ty, ngjitur me shpirtin tim,
o siamezja ime, fenomen nga qielli zbritur!