Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Kështjella e ngritur shtrembër

551
Sigal

Kur shembëm kështjellën e vjetër,
ishte dhjetor dhe qiell me re.
Gëzim më të madh, nuk kishim tjetër,
do ngrinim kështjellën e kohës së re.

 

S’do të ishte kështjellë e pabesisë,
tre vëllezër të murosnin nusen e tretë,
me gjirin përjashta, t’i jepte sisë,
djalit kërthi, mbetur jetim në jetë.

 

As kështjellë e kohës parahelenike,
në kufirin e trojeve tona Jugore,
s’do kishte mure të trasha ciklopike,
as teatër dramash, për këngët me kore.

 

Duhej të ishte Kështjella e Shpëtimit,
për kështjellarë të çliruar nga diktaturat,
t’i shëmbëllente stilit të Perëndimit,
ku klasat shoqërore, lidhin urat.

 

Por u mblodhën për të ngritur mure,
ndërtues të rastit, krejt pa përvojë,
sanitar, bojaxhinj, regjës lëkure,
banditë të maskuar, nga koha që shkoi.

 

Punuan pa plumbçen, me spango,
që ruan drejtimin, në lartësi muri.
Për tridhjetë vjet llafazanët gango,
ndërtuan, sikur ishin ustallarë hauri.

Kështjella u ngrit me stërmundim
dhe krejt e shtrembëruar në lartësi.
Pa themele të thella pa drejtqëndrim,
filloi të anohet nga lindja përsëri.

 

Paratë e kështjellarëve, në tre dekada,
rrodhën, sa të shtatë lumenjtë tanë,
pseudo ustallarët, me mëditje të larta,
arritën dhe fondet e ndërtimin të hanë.

 

Hëngrën e pinë si pashallarë të kohës
për brezat e tyre, shumuan pasurinë,
bënë që kështjellarët të varfërohen,
gjeneratat e tyre, të marrin arratinë…

 

Por lëkundjet sizmike, sollën rrezikun,
se kështjella mund të na zërë nënvete,
shembja e saj, shtoi më tepër panikun,
duke filluar nga kuvendi i deputetëve.

 

Klithma zallamahie, ushtojnë përditë
duke jehuar, me zërat deri mbi re!
Kështjella jonë do të shembet sërish,
dhe me bukën e gojës, do ngrihet e re!…

 

Por tashmë duhen muratorë zanatçi,
të kenë ekonomistë e juristë te koka,
të ngrihet kështjella, vertikale në lartësi,
me drejtim të kontrolluar, siç e ka bota!…