Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Këndo moj qyqe vajtimin e harresës!

83
Sigal

Mendova të dërgoj qyqen, si shamizezë,

të vajtojë borxhliun e pabesë të djalit tim.

Nuk i ktheu milionat, marrë me interes,

ma detyroi djalin të mbetet në emigrim…

Në mëngjes, mora gurin e zi të kujtesës,

dhe zgjova qyqen vajtimtare të harrimit,

tek flinte në degën e murrizit të harresës,

të këndojë për të, baladën e mallkimit.

Qyqja erdhi rrotull, me baladën në sqep,

për vajtimin e mosmirënjohësit faqezi.

Dhe kur nisi këngën e vajtimit ndjellakeq,

unë i dhashë asaj, vetëm këtë porosi:

Shko te porta e ish mikut, shkelës të besës,

vajto braktisjen e tij, nga miq e shokë,

se tashmë nuk i jep borxh, askush tjetër,

qyqarit zhytur në borxhe, këmbë e kokë!

Shko mbi çatinë e tij dhe vajto shiun,

që do t’i bjerë mbi tavanin e zbuluar,

për ta bërë, kokë e këmbë qull, të ziun,

se s’i jep njeri tjegulla, për ta mbuluar!

Shko në oborrin e tij, vajto lulet e thara,

kthyer në shkurre, me krimba e buburreca,

siç thau e harroi ai, gjithë borxhet e marra,

duke u dalë miqve, nga premtimi e besa.

Shko në dritaren e tij, vajto fundin si njeri,

se erdhi në këtë botë kolopuç, si të tjerë

dhe pasi shkeli çdo respekt e dashamirësi,

mbeti kufomë e harruar, mashtrues i mjerë.

Shurdhoja veshët, gjatë gjumit të prishur,

të mos i mbetet çast, për të gjetur qetësinë,

derisa të bëhet gati, nga kjo botë për të ikur,

si sëmundje e keqe, përzënë pa vaksinë!…