Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Gruaja në fronin e zotit

341
Sigal

Gruaja, ujëvarat e saj të lotit,
i bën lulëkuqe në lëndinat faqe.
Dashuria i ndez yjet e gjoksit,
dhuna ia shuan me breshër nate.

Shpirtin ia deh, mashkull gojëmbli,
zemrën ia helmon sherri i hallit.
Brenda trupit i vallëzon engjëlli,
rreth e qark, i vjen rrotull djalli.

Kur s’ka t’i shuaj fëmijës urinë,
shtrydh qumësht nga lotët e saj.
Shkrihet në këmbë për të sëmurin,
siç shkrin selvia, dëborën në maj.

Gjallërinë që i sjell ritmi i këngës,
ia ndrydh përgojimi, prej zilisë.
Mendjen e ka, te zëri i nënës,
trupin te njerëzit e shtëpisë.

Nderimi, i dhuron rreze drite,
fyerja i arratis humorin tutje.
Dimri i vjen, nga një mërzitje,
pranvera i çel lule, nga një puthje.

Bukurinë që i merr shtatzënia,
ia jep bebi, qumështor i gjirit.
Petalet e gazit, që i çel fëmija,
nuk ia çel as dielli, trëndafilit.

Ngryset hirushe me përparëse fshese,
gdhihet perri, me pak dhurata.
Fustani i ri, i jep hije mbretëreshe,
me vezullim floriri, nëpër unaza.

Lahet në dushin e përkëdheljeve,
shtrihet në dyshek premtimesh.
Mbështillet me çarçafët e reve,
zgjohet në mjegulla zhgënjimesh.

Kur burri, i tjetërson kurorën,
dhe tradhtisht shkon me tjetrën,
ajo çiftit, mund t’i ruaj formën,
por pabesia i trishton krejt jetën.

Kur mashkulli e ndëshkon me prekje,
duke nxjerrë brirët e egërsisë,
dashuria e gruas, kthehet urrejtje,
ditët i shndërrohen net, të zeza pis.

Dikur lindjen e saj, quanin mallkim,
por së fundi ardhja e saj mezi pritet.
Në kohën tonë gruaja vjen si bekim
dhe shuhet si hëna, në qiell drite.

Kësaj krijese madhore që lind njerëzimin,
i takon nderimi kryesor, i gjithë globit.
Vetëm kush lind ajrin, ujin, blerimin,
meriton si gruaja, fronin pranë Zotit…