Suplementi Pena Shqiptare/ Enrieta Sina: Je veç ti….!

481
Sigal

Nëse dridhem nga dimri i ashpër,
Rrugët ndërrojnë stinët krejt papritur.
Ti vjen dhe qiellin tim e mbush,
Me tjetër gjelbërim në zemër rritur.

Shihemi mes reve shuajmë mall
Dhe aty ti ecën lehtë dhe thua:
“Nga ty nuk mund të qëndroj larg
Po ti jeton dot pa mua?!”

Bëhem vesë mbi sy të ulem
Ti me ngrohtësi e than shpejt
Vështrimi rri lehtë në buzë
Ku dhe mbin trëndafili vetë’

Puthjet tona qiellit vetëtijnë,
Dhe pse ka bubullima përmbi tokë.
E ç’më duhet errësirë e endur
Kur ti vjen e më përqafon fort?!

Në kaq vite jam e dashuruar,
Të dërgoj ëndrrën si magji,
Ke dëgjuar, besoj e ke dëgjuar:
“Në zemrën time je veç ti…!”

Nuk e di por s’ka si ndodh
Dashuri e heshtur jeton gjatë,
Vjen atje ku je dhe të gëzon,
Ikën për të ardhur tek ty prapë.

Ndërsa vitet shkojnë si pa kuptuar,
Ajo ngjitet trupit të përshkon.
Si një katarakt uji i kulluar
Përhapet lëndinës që lulëzon.

Prej aty ndjenja kurrë nuk vyshket,
Në çdo moshë të qëndron në sy.
Nëse një ditë s’do ja dëgjosh zërin,
Unë s’do jem më në sytë e tu…

Do jem ngjitur qiellit duke pritur,
Në tjetër jetë një mrekulli,
Do të pres, në shekuj do të pres,
Të bëhemi një në përjetësi.

Nëse dridhem nga dimri i ashpër,
Rrugët ndërrojnë stinët krejt papritur,
Ti vjen dhe qiellin tim e mbush,
Me tjetër yllësi në zemër rritur.

Në krahët e reve me lot derdhur,
Sytë do shkëlqejnë nga dashuria,
Është një dëshirë e mbetur larg,
Apo ëndërr që sjell largësia…